ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E ZAKONSHME LXXV E KONFERENCËS IPESHKVORE TË SHQIPËRISË
22-23 tetor 2025
Në ambientet e Selisë së Konferencës Ipeshkvore barinjtë e Kishës në Shqipëri u mblodhën për
të diskutuar dhe analizuar punën dhe sfidat baritore të realitetit tonë kishtar.
Meshën e hapjes së punimeve e udhëhoqi Sh.T Imzot Arjan Dodaj F.d.C, Arqipeshkëv Tiranë-Durrës. Në homelinë e tij nënvizoi faktin se Kisha është e thirrur për të vepruar në një shoqëri si e sotmja
me shumë urti profetike dhe e udhëhequr nga parimi i subsidiaritetit.

Jubileu që po kalojmë, shtoi ai, është rasti i volitshëm për t’i kujtuar dhe promovuar këto dy realitete. Po ashtu ai nënvizoi domosdoshmërinë e të qenit një Kishë që nuk i harron rrënjët e veta e që ka të qartë horizontin
drejt të cilit duhet të priret.
Në fjalën e hapëse të punimeve, Presidenti i KISH Imzot Gjergj Meta, shprehu nevojën e përqendrimit të Kishës Katolike në shumë prej situatave në të cilat gjendet shoqëria jonë. Ai u ndal te shumë fenomene të cilat prekin vendin tonë po aq sa edhe vendet e tjera, e në këtë mënyrë Kisha Katolike këtu, nuk mund të qëndrojë indiferente. Duhet të jemi të vetëdijshëm, shtoi ai, se realitete të tilla si inteligjenca artificiale apo ndryshimet e mëdha demografike në shumë prej qyteteve të vendit tonë, janë sfida të pashmangshme me të cilat përballemi.

Fillimet e punimeve u përshëndeten edhe nga i Ngarkuari me punë i Selisë Shenjte në Tiranë Imzot Ionuţ Paul Strejac. Në fjalën e tij përshëndetëse ai shprehu kënaqësinë për mënyrën me të cilën janë organizuar shumë prej aktiviteteve jubilare në vendin tonë. Ai theksoi domosdoshmërinë e një lidhjeje aktive që duhet të ekzistojë te besimtarët mes Kishës vendore dhe Selisë apostolike nëpërmjet iniciativave të ndryshme.
Pas përshëndetjeve të rastit, ipeshkvijtë vazhduan punimet sipas rendit të punës të paracaktuar më parë nga sekretaria e përgjithshme. Këto punime do t’i mbajnë të bashkuar barinjtë e Kishës Katolike për dy ditë në kryeqytetin e Shqipërisë.