11.5 C
Tirana
HomeEditorialKoncili “i papritur” 60 vjet nga hapja e tij
HomeEditorialKoncili “i papritur” 60 vjet nga hapja e tij

Koncili “i papritur” 60 vjet nga hapja e tij

Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta

Sot u mbushën 60 vjet nga fillimi i Koncilit II të Vatikanit. Kjo ngjarje, historike për Kishën katolike, e pati pikënisjen e vet nga një intuitë mjaft personale e Papa Gjonit XXIII. Ja si shprehet ai në Fjalimin hapës të Koncilit, pikërisht më 11 tetor 1962: “Për herë të parë e kemi ngjizur këtë Koncil në mendje pothuajse papritur …”. Papa në fakt nuk i pati treguar askujt para se ta kumtonte lajmin e ky lajm, që ai e bëri të ditur më 25 janar 1959 në Bazilikën e shën Palit Jashtë Mureve, para Kolegjit të Kardinalëve, i la të shastisur pothuajse të gjithë të pranishmit e pse jo edhe botën mbarë. Shumëkush që kishte menduar për një papë kalimtar, pas pontifikatit të Piut XII, u gjend tërësisht jashtë parashikimeve. Kumti i një Koncili Ekumenik është një ngjarje që nuk mund ta linte indiferente Kishën dhe do të kishte pasoja në të ardhmen e saj. Papa, i supozuar kalimtar, me këtë kumt dhe vendim, tregoi se edhe aq kalimtar nuk qe!

Nga shumë anë pritej një përditësim dhe reformim i Kishës edhe para se papa të jepte lajmin e mbajtjes së Koncilit. Por po ashtu nga anë të tjera të Kishës dukej nuk ndjehej nevoja e një përditësimi të tillë. Prandaj që ky lajmi i dhënë nga Papa Gjoni XXIII krijoi një ndjesi befasie të madhe, pse jo edhe ndjenja kundërshtie brenda Kishës. Megjithatë për 3 vjet rresht u punua që të përgatitej Koncili, dhe ai u hap pikërisht si sot 60 vjet më parë.

Atyre, që sipas Papës nuk e quanin këtë kohë të përshtatshme për një Koncil, ai u jep emrin “profetë fatkeqësie” duke thënë se ata “… edhe pse plot zell për fenë, i vlerësojnë faktet pa një objektivitet të mjaftueshëm e pa një gjykim të matur”. Me siguri qëllimet e atyre që donin ta ndalonin Koncilin ose ta çonin atë në një hulli të parapërcaktuar, pa dashur të trazonin fort ujërat e “ndenjura” që ishin krijuar me kohë, nuk ishin të këqija, por ata nuk donin të vlerësonin dhe të njihnin shenjat e kohës që thërrisnin, madje britnin për një ndryshim.

Thënë kjo, del fare qartë në pah, nga shënimet dhe lajmet e kohës, se kumtimi, e më pas hapja e Koncilit, ngjalli shumë entuziazëm brenda Kishës në të katër anët e globit. Ipeshkvinjtë nga e gjithë bota erdhën në Romë për të marrë pjesë në Koncil dhe shumë shpejt ata bënë të ndjehet zëri i tyre, duke marrë në dorë fatin e Koncilit. Edhe pse pati përpjekje nga një pjesë e Kuries romake që Koncili të shkonte në një drejtim “minimalist” apo drejt aprovimit të shpejtë të disa dokumentave doktrinore e dogmatike të parapërgatitura, dëshmitë e asaj kohe, të sjella edhe nga vetë Papa Benedikti XVI, që në atë Koncil ishte peritus (ekspert), tregojnë se ipeshkvinjtë e kundërshtuan këtë logjikë. U pa shumë shpejt se ky nuk do të ishte një Koncil dogmatik e as disiplinor, por një Koncil baritor e barinjtë duhet të kishin zërin e tyre.

Fillimi i Koncilit, ndërkohë që ngjalli shumë shpresa, po bëhej edhe në një klimë armiqësie midis dy kampeve në të cilat ishte ndarë bota e atëhershme: kampi perëndimor dhe ai lindor. Lufta e ftoftë, persekutimet e Kishës dhe të të krishterëvë në vendet e kampit socialist, kishin krijuar shumë pasiguri dhe trishtim në një pjesë të mirë të Kishës. Në fakt në atë ditë të hapjes së Koncilit nuk ishin të pranishëm shumë ipeshkvinj përtej perdes së hekurt të cilët o ishin në burg ose të vrarë apo në kampe pune të detyruar. Ndërmjet ipeshkvinjëve të mbledhur në Romë nuk ishin të pranishëm as ipeshkvinjtë e Shqipërisë. Papa Gjoni XXIII do t’i kujtonte ata në Fjalimin e tij të 11 tetorit 1962 duke shprehur keqardhjen që nuk ishin aty të pranishëm: “Rrëfejmë se sot jemi të pikëlluar nga një dhimbje shumë e madhe, sepse në mesin tuaj nuk janë të pranishëm shumë Barinj të Kishës që janë fort të dashur për Ne, të cilët për shkak të Fesë së Krishtit janë të lidhur në zinxhirë apo të penguar nga të tjera pengesa e kujtimi i të cilëve na nxit të lartësojmë për ta drejt Hyjit lutjet tona të zjarrta…”.

Kështu Kisha në Shqipëri ra në kontakt me Koncilin II të Vatikanit vetëm kur ra perdja e hekurt në vitin 1991. Kjo qe një sfidë e madhe për një Kishë që dilte nga gërmadhat dhe është ende sot e kësaj dite një sfidë e madhe për ne: ndërtimi i një bashkësie të krishterë mbi parimet kishtare të Koncilit, që për ne sot është zëri i Shpirtit Shenjt të Hyjit. Sot si edhe atëherë Kisha gjendet përballë risive që ndryshimi i shpejtë i shoqërisë ka sjellë me vete në lidhje me shumë dimensione të jetës. I njëjti Ungjill i gjithmonshëm i Krishtit, kërkon sot një hermeneutikë të përshtatshme që të përcillet sa më kuptueshëm tek njerëzit e kohës sonë. Rruga sinodale që Papa Françesku ka udhëzuar për mbarë Kishën është një zhvillim i mëtejshëm i Koncilit II të Vatikanit që me siguri, edhe pse mes dhimbjesh, vështirësish, moskuptimesh e keqkuptimesh, por dhe dëshirash e ëndërrash, do të sjellë diçka të bukur për Kishën.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme