Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët.
Koncili i Dytë i Vatikanit, dokumenteve të të cilit po u kushtojmë katekezat, kur deshi ta përshkruajë Kishën, para së gjithash u kujdes të shpjegojë se nga e ka ajo prejardhjen. Për ta bërë këtë gjë, në Kushtetutën dogmatike Lumen gentium, të miratuar më 21 nëntor 1964, ai mori nga letrat e Shën Palit termin «mister». Duke zgjedhur këtë fjalë, nuk deshi të thoshte se Kisha është diçka e errët ose e pakuptueshme, siç ndonjëherë mendohet kur dëgjohet fjala “mister”. Është pikërisht e kundërta. Në fakt, kur Shën Pali e përdor këtë fjalë, sidomos në Letrën drejtuar Efesianëve, ai dëshiron të tregojë një realitet që më parë ishte i fshehur dhe tani është zbuluar.
Bëhet fjalë për planin e Hyjit, i cili ka një qëllim: të bashkojë të gjitha krijesat falë veprimit pajtues të Jezu Krishtit, veprim që u krye në vdekjen e tij në kryq. Kjo përjetohet para së gjithash në asamblenë e mbledhur për kremtimin liturgjik. Ndryshmëritë humbin peshën; ajo që ka rëndësi është të jesh së bashku, sepse tërhiqesh nga dashuria e Krishtit, i cili e ka rrëzuar murin e ndarjes ndërmjet personave dhe grupeve shoqërore. Për Shën Palin, misteri është shfaqja e asaj që Hyji ka dashur të realizojë për mbarë njerëzimin dhe që bëhet e njohur në përvoja vendore, të cilat gradualisht zgjerohen derisa të përfshijnë të gjithë njerëzit, madje edhe kozmosin.
Gjendja e njerëzimit është një copëzim që vetë njerëzit nuk janë në gjendje ta riparojnë, megjithëse vëmendja ndaj unitetit banon në zemrat e tyre. Në këtë gjendje hyn veprimi i Jezu Krishtit, i cili, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, mposht forcat e përçarjes dhe vetë përçarësin. Mbledhja së bashku për ta kremtuar atë, pasi i ke besuar shpalljes së Ungjillit, përjetohet si tërheqje e ushtruar nga kryqi i Krishtit, që është shfaqja më e lartë e dashurisë së Hyjit; është të ndihesh i thirrur së bashku nga Hyji. Për këtë arsye përdoret termi ekklesía, domethënë asamble e personave që e njohin veten të thirrur. Prandaj ka njëfarë përkimi ndërmjet këtij misteri dhe Kishës: Kisha është misteri i bërë i perceptueshëm.
Kjo thirrje/bashkim, pikërisht sepse është kryer nga Hyji, nuk mund të kufizohet në një grup personash, por është e destinuar të bëhet përvojë e të gjithë njerëzve. Prandaj Koncili i Dytë i Vatikanit, në fillim të Kushtetutës Lumen gentium, pohon kështu: «Kisha është në Krishtin, në njëfarë mënyre, sakrament, domethënë shenjë dhe mjet i bashkimit të ngushtë me Hyjin dhe i unitetit të mbarë gjinisë njerëzore» (nr. 1). Me përdorimin e termit sakrament dhe me shpjegimin përkatës, dëshirohet të tregohet se Kisha është, në historinë e njerëzimit, shprehje e asaj që Hyji dëshiron të realizojë; kështu, duke e soditur atë, kuptohet në njëfarë mase plani i Hyjit, misteri. Në këtë kuptim, Kisha është shenjë. Për më tepër, termit sakrament i shtohet edhe ai i mjetit, pikërisht për të treguar se Kisha është një shenjë vepruese. Në fakt, kur Hyji vepron në histori, ai i përfshin në veprimin e vet personat që janë marrës të veprës së tij. Dhe nëpërmjet Kishës Hyji e arrin synimin për t’i bashkuar njerëzit me veten dhe për t’i mbledhur ata ndërmjet tyre.
Bashkimi me Hyjin gjen pasqyrimin e vet në bashkimin e personave njerëzorë. Kjo është përvoja e shpëtimit. Jo rastësisht, në Kushtetutën Lumen gentium, në kapitullin 7 kushtuar natyrës eskatologjike të Kishës shtegtare, në numrin 48, përdoret përsëri përshkrimi i Kishës si sakrament, me saktësimin: [sakrament] i shpëtimit. Në të vërtetë, thotë Koncili, «Krishti, kur u lartësua mbi tokë, i tërhoqi të gjithë te vetja; duke u ngjallur prej të vdekurve, e dërgoi mbi apostujt Shpirtin e tij gjallërues dhe, nëpërmjet tij, themeloi Trupin e vet, që është Kisha, si sakrament universal i shpëtimit. I ulur në të djathtën e Atit, ai vepron vazhdimisht në botë për t’i çuar njerëzit drejt Kishës dhe, nëpërmjet saj, për t’i bashkuar më ngushtë me veten dhe për t’i bërë pjesëtarë të jetës së tij të lavdishme, duke i ushqyer me trupin dhe gjakun e vet».
Ky tekst na lejon të kuptojmë marrëdhënien ndërmjet veprimit bashkues të Pashkës së Jezusit, që është mister i mundimit, vdekjes dhe ngjalljes, dhe identitetit të Kishës. Njëkohësisht, ai na bën mirënjohës që i përkasim Kishës, Trup i Krishtit të ngjallur dhe Popull i vetëm i Hyjit, shtegtar në histori, që jeton si prani shenjtëruese, në mes të një njerëzimi ende të copëzuar, si shenjë e fuqishme e unitetit dhe e pajtimit ndërmjet popujve.

