Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum.
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Në katekezën e sotme do të ndalemi te lidhja e thellë dhe jetike që ekziston ndërmjet Fjalës së Hyjit dhe Kishës, lidhje e shprehur nga Kushtetuta konciliare Dei Verbum, në kapitullin e gjashtë. Kisha është vetë vendi i Shkrimit të Shenjtë. Nën frymëzimin e Shpirtit Shenjt, Bibla ka lindur nga populli i Hyjit dhe është e destinuar për popullin Hyjit. Në bashkësinë e krishterë ajo ka, si të thuash, habitatin e vet: në jetën dhe në fenë e Kishës gjen hapësirën ku zbulohet kuptimi i saj dhe shfaq fuqinë e vet.
Vatikani II kujton se «Kisha i ka nderuar gjithmonë Shkrimet hyjnore, sikurse ka bërë për vetë Trupin e Zotit, duke mos reshtur kurrë, sidomos në liturgjinë e shenjtë, së ushqyeri me bukën e jetës nga tryeza si e Fjalës së Hyjit ashtu edhe e Trupit të Krishtit, dhe t’ua japë atë besimtarëve». Për më tepër, «së bashku me Traditën e Shenjtë, Kisha i ka çmuar gjithmonë dhe i çmon si rregullën më të lartë të fesë» (Dei Verbum, 21).
Kisha nuk resht kurrë së reflektuari mbi vlerën e Shkrimeve të Shenjta. Pas Koncilit, një moment shumë i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Sinodit të Ipeshkvijve mbi temën “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”, në tetor 2008. Papa Benedikti XVI e ka mbledhur frytin e saj në Nxitjen apostolike pas-sinodale Verbum Domini (30 shtator 2010), ku pohon: «Pikërisht lidhja e brendshme ndërmjet Fjalës dhe fesë vë në pah se hermeneutika autentike e Biblës nuk mund të jetë veçse në fenë kishtare, e cila ka në “po”-në e Marisë paradigmën e vet. […] Vendi burimor i interpretimit të Shkrimit është jeta e Kishës» (nr. 29).
Në bashkësinë kishtare Shkrimi gjen, pra, mjedisin ku e ushtron detyrën e vet të veçantë dhe arrin qëllimin e vet: ta bëjë të njohur Krishtin dhe ta hapë njeriun ndaj dialogut me Hyjin. «Mosnjohja e Shkrimit – në të vërtetë – është mosnjohje e Krishtit». Kjo shprehje e famshme e Shën Jeronimit na kujton qëllimin e fundit të leximit e të meditimit të Shkrimit: të njohim Krishtin dhe, përmes Tij, të hyjmë në marrëdhënie me Hyjin, marrëdhënie që mund të kuptohet si një bisedë, një dialog. Dhe Kushtetuta Dei Verbum na e ka paraqitur Zbulesën pikërisht si dialog, në të cilin Hyji u flet njerëzve si miq (krh. DV, 2). Kjo ndodh kur e lexojmë Biblën me një qëndrim të brendshëm lutjeje: atëherë Hyji na del përpara dhe hyn në bisedë me ne.
Shkrimi i Shenjtë, që i është besuar Kishës e që ruhet e shpjegohet prej saj, ushtron një rol aktiv: njëmend, me veprimin dhe fuqinë e vet i jep mbështetje dhe gjallëri bashkësisë së krishterë. Të gjithë besimtarët janë të thirrur që ta shuajnë etjen nga ky burim, para së gjithash në kremtimin e Eukaristisë dhe të Sakramenteve të tjera. Dashuria për Shkrimet e Shenjta dhe familjariteti me to duhet t’i udhëheqin ata që kryejnë shërbesën e Fjalës: ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, katekistët. Puna e ekzegjetëve dhe e atyre që merren me shkencat biblike është e vyer; dhe vendi i Shkrimit është qendror për teologjinë, e cila gjen në Fjalën e Hyjit themelin dhe shpirtin e vet.
Ajo që Kisha e dëshiron me zjarr është që Fjala e Hyjit të arrijë çdo anëtar të saj dhe ta ushqejë në udhën e fesë së tij. Por Fjala e Hyjit e shtyn Kishën edhe përtej vetes, e hap vazhdimisht drejt misionit ndaj të gjithëve. Në të vërtetë, jetojmë të rrethuar nga shumë fjalë, por shumë prej tyre janë të zbrazëta! Nganjëherë dëgjojmë edhe fjalë të mençura, por që nuk e prekin fatin tonë të fundit. Fjala e Hyjit, përkundrazi, i del para etjes sonë për domethënie, për të vërtetën mbi jetën tonë. Ajo është e vetmja Fjalë gjithmonë e re: duke na zbuluar misterin e Hyjit, është e pashtershme, nuk pushon kurrë së ofruari pasuritë e veta.
Të dashur, duke jetuar në Kishë mësojmë se Shkrimi i Shenjtë është tërësisht i lidhur me Jezu Krishtin, dhe përjetohet se Shkrimi është arsyeja e thellë e vlerës dhe e fuqisë së vet. Krishti është Fjala e gjallë e Atit, Fjala e Hyjit e bërë mish. Të gjitha Shkrimet shpallin Personin e Tij dhe praninë e Tij që shpëton, për secilin prej nesh dhe për mbarë njerëzimin. Le ta hapim, pra, zemrën dhe mendjen për ta pranuar këtë dhuratë, në shkollën e Marisë, Nënës së Kishës.

