Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Duke vazhduar reflektimin mbi Kushtetutën dogmatike «Lumen gentium» (LG), sot ndalemi në kapitullin e dytë, kushtuar Popullit të Hyjit.
Hyji, që ka krijuar botën dhe njerëzimin dhe që dëshiron ta shpëtojë çdo njeri, e përmbush veprën e vet të shpëtimit në histori duke zgjedhur një popull konkret dhe duke banuar në të. Për këtë arsye, Ai e thërret Abrahamin dhe i premton atij një pasardhësi të shumtë si yjet e qiellit dhe si rëra e detit (krh. Zan 22,17-18). Me bijtë e Abrahamit, pasi i ka çliruar nga gjendja e skllavërisë, Hyji lidh një besëlidhje, i shoqëron, kujdeset për ta, i mbledh sa herë që shpërndahen. Prandaj identiteti i këtij populli përcaktohet nga veprimi i Hyjit dhe nga feja në Të. Ai është i thirrur që të bëhet dritë për kombet e tjera, si një far që do të tërheqë drejt vetes të gjithë popujt, mbarë njerëzimin (krh. Is 2,1-5).
Koncili pohon se «e gjithë kjo ndodhi si përgatitje dhe si figurë e asaj besëlidhjeje të re dhe të përsosur që do të përmbyllej me Krishtin, dhe e atij zbulimi më të plotë që do të përçohej nga vetë Fjala e Hyjit e bërë njeri» (LG, 9). Është vërtet Krishti që, në dhurimin e Trupit e të Gjakut të tij, e mbledh në vetvete e në mënyrë përfundimtare këtë popull. Ai tashmë përbëhet nga njerëz që vijnë nga çdo komb; është i bashkuar nga feja në Të, nga lidhja me Të, nga të jetuarit e së njëjtës jetë të tij, të gjallëruar nga Shpirti i të Ngjallurit. Kjo është Kisha: populli i Hyjit që e merr ekzistencën e vet nga trupi i Krishtit dhe që është vetë trupi i Krishtit; jo një popull si të tjerët, por populli i Hyjit, i thirrur prej Tij dhe i përbërë nga gra e burra që vijnë nga të gjithë popujt e tokës. Parimi i tij unifikues nuk është një gjuhë, një kulturë apo një etni, por feja në Krishtin: prandaj Kisha është – sipas një shprehjeje të shkëlqyer të Koncilit – «mbledhja e atyre që shikojnë me fe drejt Jezusit» (LG, 9).
Bëhet fjalë për një popull mesianik, pikërisht sepse ka për krye Krishtin, Mesinë. Ata që i përkasin nuk mburren me merita apo tituj, por vetëm me dhuratën e të qenit, në Krishtin dhe nëpërmjet Tij, bija e bij të Hyjit. Para çdo detyre apo funksioni, pra, ajo që ka vërtet rëndësi në Kishë është të jesh i shartuar në Krishtin, të jesh bir/j i/e Hyjit falë hirit. Ky është edhe i vetmi titull nderi që duhet të kërkojmë si të krishterë. Jemi në Kishë për të marrë pandërprerë jetën nga Ati dhe për të jetuar si bij të tij dhe si vëllezër mes nesh. Si rrjedhojë, ligji që gjallëron marrëdhëniet në Kishë është dashuria, ashtu siç e marrim dhe e përjetojmë në Jezusin; dhe qëllimi i saj është Mbretëria e Hyjit, drejt së cilës ajo ecën së bashku me mbarë njerëzimin.
E bashkuar në Krishtin, Zot dhe Shpëtimtar i çdo burri e gruaje, Kisha nuk mund të jetë kurrë e përkulur mbi vetvete, por është e hapur për të gjithë dhe është për të gjithë. Nëse në të bëjnë pjesë besimtarët në Krishtin, Koncili na kujton se «të gjithë njerëzit janë të thirrur që të formojnë popullin e ri të Hyjit. Prandaj ky popull, duke mbetur një dhe i vetëm, duhet të shtrihet në mbarë botën dhe në të gjithë shekujt, që të përmbushet pikësynimi i vullnetit të Hyjit, i cili në fillim e krijoi natyrën njerëzore një të vetme dhe dëshiron t’i mbledhë së bashku bijtë e tij që ishin shpërndarë» (LG, 13). Edhe ai që nuk e ka marrë ende Ungjillin, në njëfarë mënyre është i orientuar drejt popullit të Hyjit dhe Kisha, duke bashkëpunuar në misionin e Krishtit, është e thirrur që ta përhapë Ungjillin kudo dhe te të gjithë (krh. LG, 17), që secili të mund ta takojë Krishtin. Kjo do të thotë se në Kishë ka dhe duhet të ketë vend për të gjithë dhe se çdo i krishterë është i thirrur që ta shpallë Ungjillin dhe të japë dëshmi në çdo mjedis ku jeton dhe vepron. Kështu, ky popull, e tregon karakterin katolik, duke pranuar pasuritë dhe burimet e kulturave të ndryshme dhe, në të njëjtën kohë, duke u ofruar atyre risinë e Ungjillit për t’i pastruar dhe për t’i ngritur (krh. LG, 13).
Në këtë kuptim, Kisha është një, por i përfshin të gjithë. Kështu e përshkroi një teolog i madh: «Arka e vetme e Shpëtimit duhet të pranojë në anijen e saj të gjerë të gjitha ndryshmëritë njerëzore. Salla e vetme e Banketit, ushqimet që shpërndan i merr nga i gjithë krijimi. Petku, pa qepje, i Krishtit është edhe – dhe është e njëjta gjë – petku i Jozefit me shumë ngjyra» (Krh. H. Le Lubac, Cattolicismo. Aspetti sociali del dogma, Milano1992, 222).
Është një shenjë e madhe shprese – sidomos në ditët tona, të përshkuara nga shumë konflikte dhe luftëra – të dimë se Kisha është një popull në të cilin bashkëjetojnë, për virtyt të fesë, gra dhe burra të ndryshëm për nga kombësia, gjuha apo kultura: është një shenjë e vendosur në zemër të vetë njerëzimit, kujtesë dhe profeci e asaj njësie dhe paqeje në të cilën Ati Hyj i thërret të gjithë bijtë e vet.

