3. Një visar i shenjtë i vetëm. Marrëdhënia ndërmjet Shkrimit dhe Traditës
Vëllezër dhe motra të dashur, mirëdita e mirë se erdhët!
Duke vijuar leximin e Kushtetutës konciliare Dei Verbum mbi Zbulesën hyjnore, sot do të reflektojmë mbi marrëdhënien ndërmjet Shkrimit Shenjt dhe Traditës. Mund të marrim si sfond dy skena ungjillore. Në të parën, që zhvillohet në Qenakull, Jezusi, në fjalimin-testament të tij drejtuar dishepujve, pohon: «Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë. […] E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën» (Gjn 14,25-26; 16,13).
Ndërsa skena e dytë na çon në kodrat e Galilesë. Jezusi i ngjallur u shfaqet dishepujve, të cilët janë të habitur e dyshues, dhe u thotë: «Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! […] Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!». (Mt 28,19-20). Në të dyja këto skena është e dukshme lidhja e ngushtë ndërmjet fjalës së shqiptuar nga Krishti dhe përhapjes së saj përgjatë shekujve.
Këtë gjë e pohon Koncili II i Vatikanit duke përdorur një figurë sugjestive: «Shkrimi Shenjt dhe Tradita e shenjtë janë të lidhura ngushtë dhe komunikojnë ndërmjet tyre. Sepse të dyja burojnë nga i njëjti burim hyjnor; ato formojnë, në njëfarë mënyre, një tërësi të vetme dhe priren drejt të njëjtit qëllim» (Dei Verbum, 9). Tradita kishtare shtrihet përgjatë rrjedhës së historisë përmes Kishës që ruan, interpreton dhe mishëron Fjalën e Hyjit. Katekizmi i Kishës Katolike (krh. nr. 113) i referohet, në këtë drejtim, një thënieje të Etërve të Kishës: «Shkrimi Shenjt është i shkruar në zemrën e Kishës para se të shkruhet mbi mjete materiale», domethënë në tekstin e shenjtë.
Duke ndjekur fjalët e Krishtit të cituara më sipër, Koncili pohon se «Tradita me origjinë apostolike përparon në Kishë me ndihmën e Shpirtit Shenjt» (DV, 8). Kjo ndodh përmes kuptimit të plotë nëpërmjet «reflektimit dhe studimit të besimtarëve», përmes përvojës që lind nga «një dije më e thellë e gjërave shpirtërore» dhe, mbi të gjitha, përmes predikimit të pasardhësve të apostujve, të cilët kanë marrë «një karizmë të sigurt të së vërtetës». Në përmbledhje, «Kisha, në doktrinën e saj, në jetën dhe në kultin e saj, e përjetëson dhe ua përçon të gjitha breznive gjithçka që ajo beson» (po aty).
Shprehja e Shën Gregorit të Madh, në lidhje me këtë gjë, është shumë e njohur: «Shkrimi Shenjt rritet me ata që e lexojnë». Edhe Shën Augustini kishte pohuar tashmë se «një i vetëm është fjalimi i Hyjit që shpaloset në mbarë Shkrimin dhe një e vetme është Fjala që kumbon në gojën e shumë shenjtërve». Fjala e Hyjit, pra, nuk është e fosilizuar, por është një realitet i gjallë dhe organik që zhvillohet e rritet në Traditë. Kjo e fundit, falë Shpirtit Shenjt, e kupton Fjalën në pasurinë e së vërtetës së saj dhe e mishëron në koordinatat e ndryshueshme të historisë.
Në këtë drejtim, është mjaft domethënëse ajo që propozonte shenjti Mësues i Kishës John Henry Newman, në veprën e tij Zhvillimi i doktrinës së krishterë. Ai pohonte se krishterimi, qoftë si përvojë bashkësiore qoftë si doktrinë, është një realitet dinamik, sipas mënyrës që vetë Jezusi e ka treguar me shëmbëlltyrat e farës (krh. Mk 4,26-29): një realitet i gjallë që zhvillohet falë një force jetësore të brendshme.
Pali apostull e nxit disa herë dishepullin dhe bashkëpunëtorin e tij Timoteun: «Ruaji, o Timote, të vërtetat [visarin] e fesë që t’u besuan!» (1 Tim 6,20; krh. 2 Tim 1,12.14). Kushtetuta dogmatike Dei Verbum i bën jehonë këtij teksti paolin aty ku thotë: «Tradita e shenjtë dhe Shkrimi Shenjt përbëjnë një visar të vetëm të Fjalës së Hyjit, që i është besuar Kishës», i interpretuar nga «Magjisteri i gjallë i Kishës, autoriteti i të cilit ushtrohet në emër të Jezu Krishtit» (nr. 10). “Visar [lat. = Depositum]” është një term që, në matricën e vet zanafillore, ka natyrë juridike dhe i imponon marrësit detyrën për ta ruajtur përmbajtjen, që në këtë rast është feja, dhe për ta përçuar atë të paprekur.
“Visari” i Fjalës së Hyjit është edhe sot në duart e Kishës dhe ne të gjithë, në shërbesat e ndryshme kishtare, duhet të vazhdojmë ta ruajmë atë në tërësinë e saj, si një yll polar për ecjen tonë në kompleksitetin e historisë e të ekzistencës.
Në përfundim, shumë të dashur, le të dëgjojmë sërish Dei Verbum, që e lartëson ndërthurjen ndërmjet Shkrimit Shenjt dhe Traditës: ato – pohon dokumenti – janë aq të lidhura e të bashkuara ndërmjet tyre saqë nuk mund të qëndrojnë të pavarura, dhe së bashku, secila sipas mënyrës së vet, nën veprimin e një të vetmit Shpirt Shenjt, kontribuojnë në mënyrë të frytshme për shpëtimin e shpirtrave (krh. nr. 10).

