2. Jezu Krishti, zbuluesi i Atit
Vëllezër dhe motra të dashur, mirëdita e mirë se erdhët!
Vazhdojmë katekezat mbi Kushtetutën dogmatike Dei Verbum të Koncilit II të Vatikanit, mbi Zbulesën hyjnore. Kemi parë se Hyji zbulohet në një dialog besëlidhjeje, në të cilin na drejtohet si miqve. Bëhet fjalë, pra, për një njohje marrëdhëniore, që nuk komunikon vetëm ide, por bashkëndan një histori dhe thërret për në bashkim në reciprocitet. Përmbushja e kësaj zbulese realizohet në një takim historik dhe personal, në të cilin vetë Hyji na dhurohet, duke u bërë i pranishëm, dhe ne e zbulojmë veten të njohur në të vërtetën tonë më të thellë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Jezu Krishtin. Dokumenti thotë se e vërteta e brendshme, si e Hyjit ashtu edhe e shpëtimit të njeriut, shkëlqen në Krishtin, i cili është njëherësh ndërmjetësi dhe plotësia e krejt zbulesës (krh. DV, 2).
Jezusi na zbulon Atin duke na përfshirë në marrëdhënien e tij me Të. Në Birin e dërguar nga Hyji Atë «njerëzit […] mund t’i afrohen Atit në Shpirtin Shenjt dhe bëhen pjesëmarrës të natyrës hyjnore» (po aty). Arrijmë kështu njohjen e plotë të Hyjit duke hyrë në marrëdhënien e Birit me Atin e tij, falë veprimit të Shpirtit. Këtë e dëshmon, për shembull, Luka ungjilltar kur na e tregon lutjen e ngazëllimit të Zotit: «Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: “Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu! Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë”» (Lk 10,21-22).
Falë Jezusit e njohim Hyjin ashtu siç jemi të njohur prej Tij (krh. Gal 4,9; 1 Kor 13,13). Njëmend, në Krishtin Hyji na ka komunikuar vetveten dhe, njëkohësisht, na ka shfaqur identitetin tonë të vërtetë si bij, të krijuar në shëmbëllesë të Fjalës. Kjo «Fjalë e amshuar ndriçon çdo njeri» (DV, 4), duke ua zbuluar të vërtetën në vështrimin e Atit: «Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë» (Mt 6,4.6.8), thotë Jezusi; dhe shton se «Ati i njeh nevojat tona» (krh. Mt 6,32). Jezu Krishti është vendi ku e njohim të vërtetën e Hyjit Atë, ndërsa e zbulojmë veten të njohur prej Tij si bij në Birin, të thirrur për të njëjtin cak jete, jeta e plotë. Shkruan Shën Pali: «Por, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet[…] që ne ta fitonim bijësinë në shpirt. E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba ‑ o Atë!”». (Gal 4,4-6).
Në fund, Jezu Krishti është zbulues i Atit me vetë njerëzishmërinë e tij. Pikërisht sepse është Fjala e mishëruar që banon ndër njerëz, Jezusi na e zbulon Hyjin me njerëzishmërinë e tij të vërtetë e të plotë: «Prandaj – thotë Koncili –, duke e parë atë, shohim Atin (krh. Gjn 14,9). Ai, me gjithë praninë dhe dëftimin e tij përmes fjalëve dhe veprave, përmes shenjave dhe mrekullive, dhe sidomos përmes vdekjes dhe ngjalljes së tij të lavdishme prej së vdekurish, e më në fund me dërgimin e Shpirtit të së vërtetës, e çon zbulesën në plotësi, duke e përmbushur atë» (DV, 4). Për ta njohur Hyjin në Krishtin duhet ta pranojmë njerëzishmërinë e tij tërësore: e vërteta e Hyjit nuk zbulohet plotësisht aty ku i hiqet diçka njerëzores, ashtu si edhe integriteti i njerëzishmërisë së Jezusit nuk e pakëson plotësinë e dhuratës hyjnore. Është njerëzorja e plotë e Jezusit që na rrëfen të vërtetën e Atit (krh. Gjn 1,18).
Nuk janë vetëm vdekja dhe ngjallja e Jezusit ato që na shpëtojnë dhe na thërrasin, por vetë personi i tij: Zoti që mishërohet, lind, shëron, mëson, vuan, vdes, ngjallet dhe mbetet ndër ne. Prandaj, për ta nderuar madhështinë e Mishërimit, nuk mjafton ta konsiderojmë Jezusin si një kanal përçimi të të vërtetave intelektuale. Nëse Jezusi ka një trup të vërtetë, komunikimi i së vërtetës së Hyjit realizohet në atë trup, me mënyrën e tij të veçantë të perceptimit e të ndjeshmërisë ndaj realitetit, me mënyrën e tij të banimit në botë dhe të kalimit përmes saj. Vetë Jezusi na fton që ta bashkëndajmë vështrimin e tij mbi realitetin: «Shikoni shpendët e qiellit – thotë ai –: as nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata?» (Mt 6,26).
Vëllezër e motra, duke e ndjekur deri në fund ecjen e Jezusit, arrijmë në sigurinë se asgjë nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit: «Nëse Hyji na përkrah – shkruan shën Pali –, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu […[ e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë?» (Rom 8,31–32). Falë Jezusit, i krishteri e njeh Hyjin Atë dhe i dorëzohet Atij me besim.

