13.5 C
Tirana
HomeKISHKatekezë 1. Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum.
HomeKISHKatekezë 1. Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum.

Katekezë 1. Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum.

Pas përmbylljes së Vitit Jubilar, të përqendruar në misteret e jetës së Jezusit, Papa Leoni XIV nisë një udhëtim të ri katekezash kushtuar Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe rileximit të Dokumenteve të tij. Sikurse pohon vetë Ati i Shenjtë, kjo gjë përbën një mundësi të çmuar për të thelluar dhe për të rizbuluar vlerën e jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje të madhe kishtare. Në fund të Jubileut të vitit 2000, Shën Gjon Pali II e theksonte këtë duke pohuar: «E ndiej më shumë se kurrë detyrën për ta përshquar Koncilin si hirin e madh me të cilin Kisha është pasuruar në shekullin XX» (Let. ap. Novo millennio ineunte, 57).

1. Hyji u flet njerëzve si miq

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Kemi nisur ciklin e katekezave mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit. Sot fillojmë të thellohemi në Kushtetutën dogmatike Dei Verbum mbi Zbulesën hyjnore. Bëhet fjalë për një nga dokumentet më të bukura dhe më të rëndësishme të asamblesë konciliare dhe, për t’u futur në të, na vijnë në ndihmë fjalët e Jezusit: «Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim» (Gjn 15,15). Kjo gjë është një pikë themelore e fesë së krishterë, që Dei Verbum na e kujton: Jezu Krishti e shndërron rrënjësisht marrëdhënien e njeriut me Hyjin, tani e tutje ajo do të jetë një marrëdhënie miqësie. Prandaj, kushti i vetëm i Besëlidhjes së re është dashuria.

Shën Augustini, duke komentuar këtë pasazh të Ungjillit sipas Gjonit, këmbëngul në perspektivën e hirit, e vetëm ai mund të na bëjë miq të Hyjit në Birin e tij (Koment mbi Ungjillin e Gjonit, Homilia 86). Njëmend, një moto e lashtë thoshte: “Amicitia aut pares invenit, aut facit”, “miqësia ose lind mes të barabartëve, ose i bën të tillë”. Ne nuk jemi të barabartë me Hyjin, por vetë Hyji na bën të ngjashëm me Të në Birin e tij.

Për këtë arsye, siç mund ta shohim në krejt Shkrimin e Shenjtë, në Besëlidhje ka një çast të parë distance, sepse pakti ndërmjet Hyjit dhe njeriut mbetet gjithmonë asimetrik: Hyji është Hyj dhe ne jemi krijesa; por me ardhjen e Birit në mish njerëzor, Besëlidhja hapet drejt qëllimit të saj fundor: në Jezusin, Hyji na bën bij dhe na thërret të bëhemi të ngjashëm me Të në njerëzishmërinë tonë, megjithëse e brishtë. Përngjasimi ynë me Hyjin, pra, nuk arrihet përmes shkeljes [së urdhrit] dhe mëkatit, siç i sugjeron gjarpri Evës (krh. Zan 3,5), por në marrëdhënien me Birin që u bë njeri.

Fjalët e Zotit Jezus që kemi kujtuar – “unë ju quajta miq” – janë marrë pikërisht në Kushtetutën Dei Verbum, e cila pohon: «Njëmend, me këtë Zbulesë, Hyji i padukshëm (krh. Kol 1,15; 1 Tim 1,17) në dashurinë e tij të madhe u flet njerëzve si miq (krh. Dal 33,11; Gjn 15,14-15) dhe bashkëbisedon me ta (krh. Bar 3,38), për t’i ftuar dhe për t’i pranuar në bashkësi me veten» (nr. 2). Hyji i Zanafillës fliste tashmë me të parët, duke dialoguar me ta (krh. Dei Verbum, 3); dhe kur me mëkatin ky dialog ndërpritet, Krijuesi nuk resht së kërkuari takimin me krijesat e veta dhe së vendosuri herë pas here një besëlidhje me to. Në Zbulesën e krishterë, domethënë kur Hyji, për të na kërkuar, bëhet mish në Birin e tij, dialogu që ishte ndërprerë rivendoset në mënyrë përfundimtare: Besëlidhja është e re dhe e amshuar, asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e tij. Zbulesa e Hyjit, kësisoj, ka karakterin dialogjik të miqësisë dhe, ashtu si ndodh në përvojën e miqësisë njerëzore, nuk e duron heshtjen, por ushqehet nga shkëmbimi i fjalëve të vërteta.

Kushtetuta Dei Verbum na e kujton edhe këtë: Hyji na flet. Është e rëndësishme të kuptohet dallimi ndërmjet fjalës dhe llafes: kjo e fundit ndalet në sipërfaqe dhe nuk krijon bashkësi ndërmjet personave, ndërsa në marrëdhëniet e vërteta fjala nuk shërben vetëm për të shkëmbyer informacione dhe lajme, por për të zbuluar se kush jemi. Fjala ka një dimension zbulues që krijon marrëdhënie me tjetrin. Kështu, Hyji, duke na folur, na zbulon vetveten si Aleat që na fton në miqësi me Të.

Në këtë perspektivë, qëndrimi i parë që duhet kultivuar është dëgjimi, që Fjala hyjnore të mund të depërtojë në mendjet dhe në zemrat tona; në të njëjtën kohë, jemi të thirrur që t’i flasim Hyjit, jo për t’i komunikuar atë që Ai tashmë e njeh, por për t’ia zbuluar veten vetes sonë.

Prej këtu buron domosdoshmëria e lutjes, në të cilën jemi të thirrur të jetojmë dhe ta kultivojmë miqësinë me Zotin. Kjo realizohet para së gjithash në lutjen liturgjike dhe bashkësiore, ku nuk jemi ne që vendosim çfarë të dëgjojmë nga Fjala e Hyjit, por është Ai vetë që na flet përmes Kishës; për më tepër, përmbushet në lutjen personale, që ndodh në brendësinë e zemrës e të mendjes. Nuk mund të mungojë, në ditën e në javën e të krishterit, koha kushtuar lutjes, meditimit dhe reflektimit. Vetëm kur flasim me Hyjin, mund të flasim edhe për Të.

Përvoja jonë na tregon se miqësitë mund të përfundojnë ose nga ndonjë gjest i bujshëm thyerjeje, ose nga një varg pakujdesish të përditshme, që e shpërbëjnë marrëdhënien deri sa e humbasin. Nëse Jezusi na thërret të jemi miq, le të përpiqemi që të mos e lëmë pa u dëgjuar këtë thirrje. Ta pranojmë, të kujdesemi për këtë marrëdhënie dhe do të zbulojmë se pikërisht miqësia me Hyjin është shpëtimi ynë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme