Në pritje të fillimit të shërbimit baritor ipeshkvor si Arqipeshkëv Metropolit i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj është takuar dje 13 janar 2022, gjatë audiencës së përgjithshme, në sallën Pali VI në Vatikan, me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.
Në rrëfimin e tij për këtë takim me Papa Françeskun, Imzot Dodaj thekson se që në momentin e parë që ka shikuar Atin e Shenjtë ka ndjerë një dashuri të thellë e mikpritëse.
Rrëfimi i Imzot Arjanit për takimin me Papën:
Sot kam pasur bekimin që të mund të takoj Papa Françeskun. Që në momentin që jemi parë në atë shkëmbim vështrimesh kam përceptuar e kam ndjerë nga ai një dashuri të thellë e mikpritëse që ka për secilin prej nesh. Atë mirësi që mban në zemren e tij, e që na e përcjell si Ati i Shenjtë, si Bariu i Kishës Universale.
Më pas në takimin konkret me të, ka qenë e bukur sepse që në atë moment jam ndjerë totalisht i përqafuar nga ai vështrim i gjerë që ai ka për mbarë Kishën, nga ajo dashuri që ka pikërisht për Kishën tonë, duke qenë aq i interesuar për të mirën e Kishës sonë në Shqipëri, për të mirën e Arqidioqezes sonë, dhe me të vërtetë duke shfaqur atë dëshirën e tij që gjithmonë e më shumë të jemi përcjellës të atyre vlerave që janë: ndershmëria, paqja, drejtësia – janë e vërteta shpallja e Ungjillit. Papa Françesku me praninë e tij, përcjell praninë e Bariut të Mirë, i cili gjithmonë ka përzemër grigjën e vet. Kështu që na prek për të qenë edhe ne barinj në shkollën e tij, që të kemi përzemër Kishen e Zotit që na është besuar. Në fakt i besova pikërisht Papa Françeskut edhe fillimin tim me datë 22 janar – duke më garantuar lutjen dhe bekimin e tij. Në të njëjtën kohë për mbarë shoqërinë tonë veçanërisht për Arqidioqezen tonë Tiranë–Durrës, ai na shoqëron me të vërtetë me praninë e tij. Në të njëjtën kohë edhe unë i thashë Papa Françeskut që është i pranishëm në lutjet tona e më të rinjtë tanë, por edhe në kishat tona, në famullitë tona e kujtojmë përherë në lutje – u ndje aq i lumtur dhe në të njëjten kohë duke më porositur kam nevojë gjithmonë për lutjet tuaja.
Falenderoj Zotin që kam pasur këtë mundësi takimi me të përpara këtij angazhimi zyrtar në Kishën e Arqidioqezës Tiranë-Durrës dhe ndjehemi të bekuar sepse siç pikërisht thuhet latinisht “Ubi Petrus Ibi Ecclesia” – Ku është Pjetri aty është Kisha, jam shumë i lumtur sepse kështu akoma më shumë do ta kemi Pjetrin, thithim më shumë nga Kisha nënë atë esencë që me të vërtetë do ti përcjellim edhe Kishës sonë, që jemi një me Pjetrin, që jemi një me Kishen, që jemi me të vërtetë dëshmitarë të asaj dashurie të Zotit që na viziton gjithmonë e në çdo kohë nëpërmjet barinjve të vet.
Qoftë Lëvduar Jezu Krishti.