12.5 C
Tirana
HomeKryesorIbrahim Rugova nderohet si “I Drejti i Vitit 2025” në Kampusin Spitalor...
HomeKryesorIbrahim Rugova nderohet si “I Drejti i Vitit 2025” në Kampusin Spitalor...

Ibrahim Rugova nderohet si “I Drejti i Vitit 2025” në Kampusin Spitalor dhe Universitar “Zoja e Këshillit të Mirë”

Në Kopshtin e Të Drejtëve në Kampusin Spitalor dhe Universitar Zoja e Këshillit të Mirë u gdhend emri i Të Drejtit të vitit 2025. Emri i Presidentit Ibrahim Rugova u zbulua gjatë një ceremonie solemne, gjatë të cilës shumë të pranishëm, personalitete, diplomatë dhe trupa akademike e UKZKM nderuan kontributin e Presidentit të Parë të Kosovës dhe historinë e vyer të veprës së tij domethënëse.

Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini ftoi Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, SH.T Skënder Durmishi, të zbulonte emrin e Presidentit Rugova, mbuluar me flamurin e Bashkimit Evropian që do të qëndrojë i gdhendur në Kopshtin e të Drejtëve, si simbol i paqes dhe i dialogut.

Ibrahim Rugova ishte një politikan shumëdimensional, me kulturë të gjerë dhe me qasje paqësore në luftën për pavarësi të Kosovës. Këtë vlere të çmuar të veprës së tij e risolli në vëmendje edhe Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën Monsinjor Vincenzo Paglia, i cili jo vetëm kujtoi takimet e tij me Presidentin Rugova, por edhe u kujtoi të pranishmëve të shumtë, mes tyre edhe shumë të rinj studentë, fjalët e shkrimtarit Ismail Kadare që e quante Rugovën një “Kolos të brishtë të Kosovës”.

Rugova mori pergjegjësinë, tha Monsinjor Paglia që të përfaqësonte popullin e tij, pavarësisht vështirësive dhe ai do te mbetet baba i familjes së tij, i popullit të Kosovës dhe modeli i njeriut që udhëhoqi me paqe dhe dialog. Rektori i UKZKM Prof. Leonardo Palombi Palombi tha se në kohët e sotme mesazhi i Presidentit Rugova është aktual. Zgjodhëm një Të Drejtë, tha Rektori që tregon se dialogu dhe paqja është vendimi i duhur.

Ambasadori i Republikës së Kosovës SH.T Skënder Durmishi tha gjatë takimit të posaçëm se ndihej i nderuar për këtë ngjarje dhe shprehu mirënjohjen ndaj Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë dhe Universitetit Katolik për këtë vendim që është, tha ambasadori Durmishi, një gjest i rëndësishëm për kujtimin e Presidentit të Parë të Kosovës.

Mons. Gjergj Meta President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë tha se Rugova ndërtoi me modelin e tij një narrativë politike që nuk e ka ndërtuar askush tjetër deri më sot.

Emri i Ibrahim Rugovës u zgjodh me votim të fshehtë gjatë muajit Janar të këtij viti dhe pjesë e procesit të votimit ishin studentë dhe vullnetarë të UKZKM që treguan gjatë ceremonisë mbresat e tyre dhe vlerësimin për të çuar përpara trashëgiminë e Presidentit Rugova.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme