26.5 C
Tirana
HomeLajmeFra Massimo Fusarelli, Gjenerali i Urdhnit të Fretërve Minore vizitë në Shqipëri
HomeLajmeFra Massimo Fusarelli, Gjenerali i Urdhnit të Fretërve Minore vizitë në Shqipëri

Fra Massimo Fusarelli, Gjenerali i Urdhnit të Fretërve Minore vizitë në Shqipëri

Urdhri i Fretërve Minorë, në datat 3-18 korrik 2021, ka zhvilluar Kapitullin Gjeneral në Romë, në të cilin kanë marrë pjesë 118 fretër nga e tërë bota. Pas votimeve të bëra me datën 13 korrik, Kardinali João Braz de Aviz, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, i caktuar nga Shenjtëria e Tij Papa Françesku si Kardinal Delegat për të udhëhequr Kapitullin, ka shpallur se fra Massimo Fusarelli është zgjedhur Ministri i ri gjeneral për gjashtëvjeçarin 2021-2027. Jo shumë kohë pas përzgjedhjes së tij si Ministër ai ka zhvilluar vizita nëpër provinca dhe kustodie të ndryshme si: në Tokën e Shenjtë, Sicili, Bosnjë, Kroaci etj. Vizita e radhës e tij është duke u bërë në Provincën françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Ministri Gjeneral ka mbërritur në aeroportin e Podgoricës më 2 maj 2022 në orën 16:30, ku është pritur nga Delegati i Ministrit Gjeneral për Shqipërinë fra Ivan Sesar, Provinciali i kësaj Province fra Pashko Gojçaj dhe zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj. Menjëherë pas përshëndetjes vëllazërore, ndalesa e parë është bërë në Qendrën Katolike Shpirtërore në Sukruq. Aty u pritën nga fra Fran Dushaj, i cili u prezantoi atyre ambientet e kishës së Shën Françeskut, kuvendit, kopshtit të fëmijëve dhe sallave për takime të ndryshme. Pas vizitës në Sukruq fretërit u mirëpritën në kuvendin e Shna Ndout në Tuz nga guardiani i këtij kuvendi fra Mirash Marinaj. Pas përshëndetjes, Ministri pati takimin me bashkësinë vendase e më pas darkën, në të cilën qe i pranishëm edhe arqipeshkvi i Tivarit imzot Rrok Gjonlleshaj. Më të mbaruar darkën fretërit u drejtuan për në kuvendin e Zojës Rruzare në Shkodër, aty ku Ministri do të qëndrojë përgjatë vizitës së tij.

Në ditën e dytë vizita e Ministrit Gjeneral vijoi në Shenjtëroren e Shna Ndout në Laç, ku dhe udhëhoqi meshën e shenjtë të orës 11:00. Bashkëkremtues në kremtimin eukaristik ishte fra Ivani, fra Pashku, fra Aureli dhe guardiani i kuvendit të Shna Ndout fra Prelë Gjurashaj, i cili i mirëpriti fretërit në kuvend, ku dhe patën drekën vëllazërore. Pas drekës zbritën në famullinë e Shën Mhillit, famullitar i së cilës është fra Sokol Pepushaj. Aty panë kishën dhe mensën për të varfrit. Ndalesa e fundit e fretërve ishte në Kepin e Rodonit. Vizitës atje iu bashkua edhe njëri nga këshilltarët e Këshillit të Provincës fra Gazmend Tinaj, i cili i shpjegoi Ministrit Gjeneral historinë dhe situatën aktuale të atij vendi.

Në ditën e tretë të vizitës së tij, Ministri ka vizituar disa vende në Shkodër dhe disa rrethina të saj. Fillimisht fra Massimo ka vizituar motrat klarise të Urdhrit të dytë françeskan, të cilat janë të vetmet klarise që veprojnë në territoret shqiptare. Pas përshëndetjes me motrat, këto të fundit bashkë me fretërit kanë vizituar ambientet e ish-burgut, aty ku shumë prej martirëve tanë kanë qenë të burgosur dhe të torturuar. Shpjegimet në vende të tilla janë të tepërta pasi vetë qelitë dhe muret e këtij burgu dëshmojnë atë që ka ndodhur me të vërtetë aty. Më pas Ministri është drejtuar për te selia e arqipeshkvit të Shkodër-Pultit imzot Angelo Massafrës, i cili i ka mirëpritur fretërit. Pas përshëndetjes me arqipeshkvin, fretërit janë drejtuar për te Mensa “Buka e Shna Ndout”, e cila është ngjitur me kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol. Në këtë mensë, tashmë për disa vite me radhë, të varfërve u ofrohet një vakt i ngrohtë çdo ditë (me përjashtim të të dielës). Ndalesa tjetër ishte në kuvendin e Shën Françeskut, ku Ministri pati mundësinë të njihej me klerikët studentë të Provincës, me të cilët zhvilloi një takim vëllazëror, menjëherë pas drekës në kuvend. Në drekë ishte i pranishëm edhe arqipeshkvi së bashku me fra Luigi Aluisi dhe fra Angelo de Padova. Pas takimit me klerikët, Ministri është nisur për në Bajzë, ku me vizitën e bërë kësaj bashkësie ka përmbyllur edhe ditën e tretë të vizitës së tij. 

Fra Lorenc Pepniku

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme