10.5 C
Tirana
HomeKISHFjalimi i Presidentit, SH.T.Z. Ilir META, me rastin e akordimit të Dekoratës...
HomeKISHFjalimi i Presidentit, SH.T.Z. Ilir META, me rastin e akordimit të Dekoratës...

Fjalimi i Presidentit, SH.T.Z. Ilir META, me rastin e akordimit të Dekoratës “Nënë Tereza” Imzot Angelo Massafrës

Fjalimi i Presidentit, SH.T.Z. Ilir META, me rastin e akordimit të Dekoratës “Nënë Tereza” Imzot Angelo Massafrës –  27 Qershor, ora 11.30 – në Presidencë

I nderuar Imzot Angelo Massafra,

I nderuar Zoti Ambasador,

Të nderuar përfaqësues të klerit katolik,

Të nderuar të ftuar,

Sot kam privilegjin dhe kenaqësinë e veçantë të nderoj me Dekoratën e Lartë “Nënë Tereza”, një arbëresh me vlera të jashtëzakonshme patriotike, fetare dhe humaniste – Imzot Angelo Massafrën, Arqipeshvin e Shkodër – Pult dhe njëkohësisht Presidentin e Caritas-it Shqiptar.

Ky vlerësim solemn për Imzot Massafrën mishëron simbolikën e duhur sepse nga njëra anë përkon me jubilen e Vitit të Skënderbeut dhe nga ana tjetër dekorata mban emrin e “shenjtores” së madhe për mbarë njerëzimin, “Nënë Tereza”.

Kontributi i Imzot Massafrës në Shqipëri, tashmë prej më shumë se 25 vitesh – si një “udhëheqës shpirtror”dhe një klerik i devotshëm nuk mund të përkufizohet vetëm në rolin e tij të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin e komunitetit katolik shqiptar.

Veprimtaria dhe përkushtimi i tij jetësor shkon madje përtej kornizës religjoze për kultivimin dhe promovimin e vlerave tona unike të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Imzot Massafra me dashurinë dhe dimensionin universal të një humanisti, ka sakrifikuar shumë në misionin e tij në luftën kundër fenomenit të kahershëm dhe plagës së dhimbshme të shoqërisë tonë, pikërisht atë të gjakmarrjes.

Sot kemi dëshmitë shpresëdhënëse të dhjetëra familjeve, të cilat me ndërmjetësimin personal të Imzot Massafrës dhe në emër të besimit të tyre, i kanë falur gjakun njëra-tjetrës.

Ka ardhur koha që ta kthejmë këtë shembull frymëzues paqeje dhe pajtimi të Imzot Massafrës në misionin e mbarë shoqërisë shqiptare për ta “arkivuar” një herë e mirë fenomenin e gjakmarrjes në “muzeun e historisë”.

Predikimet e vyera të Imzot Massafrës për paqen, dashurinë dhe jetën, nuk kanë prekur vetëm zemrat dhe mendjet e besimtarëve katolikë brenda mureve të kishës, por kanë qenë dhe mbeten mesazhe aktuale dhe këmbanë alarmi për të gjithë ne, sidomos në drejtim të brezit të ri për ti mbajtur të rinjtë tanë larg veseve dhe “sëmundjeve të kohëve moderne” siç janë droga, bixhozi apo alkoli.

Të dashur miq,

Imzot Massafra ka një rol të pazëvendësueshëm në rimëkëmbjen dhe riorganizimin e institucioneve të kishës katolike shqiptare pas viteve 90’, sikurse ka një meritë të pamohueshme në shkollimin dhe pregatitjen intelektuale të shumë djemëve dhe vajzave, kryesisht atyre të zonës së Shkodrës dhe Dukagjinit.

Vlerësimi për Imzot Massafrën nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të përmendnim angazhimin e tij të vyer në shumë projekte bamirësie në ndihmë të shtresave dhe komuniteteve më të marxhinalizuara të shoqërisë tonë. Në këtë kontekst, secili prej nesh dhe të gjithë së bashku duhet të tregojmë më shumë solidaritet dhe angazhim konkret për ta luftuar seriozisht plagën e varfërisë, e cila është armiku kryesor i progresit social dhe zhvillimit ekonomik të një vendi.

Gjithashtu, Imzot Masafra ka një kontribut të qënësishëm edhe në mikpritjen e mijëra vëllezërve dhe motrave kosovarë në Shkodër, të dëbuar si refugjatë gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Në mbyllje të kësaj fjale të shkurtër, nuk mund të fsheh krenarinë shqiptare për Imzot Massafrën, sepse ai simbolizon shembullin më fisnik të një arbëreshi të rikthyer në tokën e të parëve të tij, në përmbushje të “amanetit” të heroit tone kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut dhe të misionit të shenjtores tonë “Nënë Tereza”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme