21.5 C
Tirana
HomeLajmeFillon Triditshi i Pashkëve, kremtimet e Papa Françeskut
HomeLajmeFillon Triditshi i Pashkëve, kremtimet e Papa Françeskut

Fillon Triditshi i Pashkëve, kremtimet e Papa Françeskut

Një Bazilikë gjysmë boshe, me një numër tejet të kufizuar besimtarësh: kjo, skena, në të cilën Papa Françesku kryesoi kremtimet kulmore të vitit liturgjik në 2020. Ishin muaj izolimi të detyruar për shkak të Covid-19, kur shumëkush mundi të marrë pjesë në Ritet e ndryshme vetëm falë mjeteve të komunikimit. Kremtimet u ndoqën pak më mirë në vitin 2021, ndonëse përsëri, për të dytën herë me radhë, Udha e Kryqit nuk u kremtua në Koloseum, por në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Sivjet rikthehet në Koloseum.

E Enjtja e Madhe: Mesha e Bagmit në Bazilikë

Që sot, e Enjtja e Javës së Madhe, filloi Triditshi i Pashkëve, kulm i vitit liturgjik dhe i jetës së Kishës, kohë përgatitjeje për Pashkët, kur rijetohen Mundimet e Jezusit. Riteve të “këtij çasti tronditës” i priu Mesha e Bagmit, që nisi në orën 9.30, në Shën Pjetër, me pjesëmarrjen e patriarkëve, kardinajve, kryeipeshkvijve dhe ipeshkvijve të pranishëm në Romë. Bashkëkremtuesit, pas homelisë, përsëritën premtimet meshtarake e Papa bekoi vajin e katekumenëve dhe të sëmurëve dhe shuguroi Bagmin, që do të përdoret si në mbarështimin e sakramenteve të Pagëzimit dhe të Krezmimit, ashtu edhe për shugurimin e meshtarëve, të ipeshkvijve, të ndonjë kishe a altari.

Via Crucis të Premten e Madhe në Koloseum

Nesër, e Premtja e Madhe, në Bazilikën e Vatikanit do të fillojë kremtimi i Mundimeve të Zotit, kryesuar nga Papa, në orën 17.00. Homelinë do ta mbajë Predikatari i Shtëpisë Papnore, Kardinali Raniero Cantalamessa. Në mbrëmje Papa do të shkojë në Koloseum për Udhën e Kryqit, që do të fillojë në orën 21.15. Kryqi do të mbahet nga njëmbëdhjetë familje, një çift i ri i sapomartuar, një çift të moshuarish dhe një çift gjyshërish. Janë ata që i përgatitën meditimet, frymëzuar nga rrugët e ndryshme të jetës, të përshkuara shpesh nga dhimbja ose të jetuara me frymën bujare të misionit, të ndihmës për prindërit e sëmurë apo fëmijët me aftësi të kufizuara.

E Shtuna e Madhe me Natën e Pashkëve

Kremtimet e Natës së Shenjtë e Pashkëve, “nënë e të gjitha netëve pa gjumë”, do të kryesohen nga Papa Françesku më 16 Prill, të Shtunën e Madhe, duke nisur nga ora 19.30 në Bazilikën e Vatikanit. Në këtë Natë të Madhe, Papa do të kremtojë edhe disa pagëzime e krezmime.

Një shesh i shndërruar në lulishtë, për të kremtuar Ringjalljen

Sheshi i Shën Pjetrit, i “mbjellë” me drurë e lule, dhuruar nga lulishtarët holandezë, do të jetë mjedisi, ku do të kremtohet Mesha solemne e së Dielës së Pashkëve, më 17 prill, kryesuar nga Papa Françesku në orën 10.00.

Më pas, një kulm tjetër: në orën 12.00, nga Lozha qendrore e Bazilikës, Papa do të japë Bekimin “Urbi et Orbi”- “Romës e Botës”.

Takimi i Papës me të rinjtë, të Hënën e Pashkëve

Më në fund, më 18 prill, të hënën e Pashkëve, Papa do të kremtojë lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në orën 12.00, për t’u rikthyer në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 18.00. E presin vajzat dhe djemtë që marrin pjesë në shtegtimin e adoleshentëve, organizuar në Romë nga Kisha Italiane. “Pas këtyre muajve të jetës së pasigurt, do të jetë rikthimi i parë i një takimi të Papës në Sheshin e Shën Pjetrit dhe më duket gjë e bukur që kjo do të ndodhë me fëmijët e  asaj moshe, që vuajti shumë. Kemi nevojë për shenja shprese”, kujtoi, duke paraqitur ngjarjen, kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i CEI.

Marrë nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme