“Të premten, më 25 mars, gjatë Kremtimit të Pendesës, që do ta kryesojë në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku do t’ia kushtojë Rusinë dhe Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Marisë. I njëjti akt, në të njëjtën ditë, do të kryhet në Fatima nga kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar apostolik, i dërguar i Atit të Shenjtë”. Ky është njoftimi i dhënë nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Për këtë kushtim u zgjodh dita e festës së Lajmërimit të Zotit. Lajmin e bëri të ditur edhe Papa, përmes një postimi në Twitter, duke i ftuar njerëzit të luten për paqen.
Duke u nisur nga lajmërimi i Papa Françeskut, Ipeshkvinjtë kanë vendosur ti përgjigjen kësaj ftesë dhe në të gjitha katedralet, shenjtëroret, famullitë dhe shtëpitë rregulltare në Shqipëri do ti kushtohet Rusisë dhe Ukrainës për festën e Zojës Nunciatë.
Lajmërimi i Ipeshkvinjve:
Të dashur vëllezër e motra,
Në këto orë të vështira që po kalon populli i Ukrainës për shkak të konfliktit të armatosur me Rusinë, Papa Françesku na ka ftuar që t’i bashkohemi nismës së tij për t’ia kushtuar Rusinë dhe Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Zojës së bekuar.
Prandaj edhe ne, të gjithë së bashku, Ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë, do t’i përgjigjemi kësaj ftese për t’u bashkuar shpirtërisht me Atin e Shenjtë më 25 mars 2022, Festa e Zojës Nunciatë, në orën 17:00 duke u lutur në katedralet, shenjtëroret, famullitë, shtëpitë rregulltare dhe në familjet tona, me lutjen e kushtimit që këto ditë do të na dërgojë vetë papa Françesku.
Të mos reshtim duke u lutur e t’ia besojmë kujdesit amnor të Zojës së Papërlyer viktimat, familjet, fëmijët dhe refugjatët e kësaj lufte dhe të të gjitha konflikteve në botë. Të lutemi për paqen që buron nga zemra dhe mendje të bashkuara me Hyjin e paqes dhe të jetës.
Ipeshkvinjtë tuaj