11.5 C
Tirana
HomeKISHFesta e Ngjitjes së Zojës në Qiell - shenjë shprese për mbarë...
HomeKISHFesta e Ngjitjes së Zojës në Qiell - shenjë shprese për mbarë...

Festa e Ngjitjes së Zojës në Qiell – shenjë shprese për mbarë njerëzimin

Solemniteti i “Ngjitjes së Zojës në Qiell,” që e kremtojmë më 15 gusht, është një nga festat më të dashura të devocionit popullor. Në këtë festë kujtojmë ngjitjen e Virgjërës Mari në Qiell, siç ka besuar Kisha që nga zanafilla e saj, një besim i shpallur solemnisht nga Papa Piu XII më 1 nëntor 1950. Kjo festë na kujton se jeta jonë është një shtegtim drejt një jete të pasosur, duke theksuar se jeta tokësore nuk është fundi.

Festa e Ngjitjes së Zojës në Qiell është një ftesë për të ngritur sytë drejt amshimit, për të kujtuar se jeta e njeriut nuk përfundon këtu poshtë. Jeta nuk mbyllet me të sotmen, por shkon drejt jetës së pasosur, që përmbush gjithçka. Jeta është një shtegtim, një udhëtim drejt përjetësisë.

Me solemnitetin e Ngjitjes së Zojës, ne mësojmë të bëhemi shenja shprese dhe ngushëllimi, përballë trishtimit dhe dhimbjes që vërshon mbi botën bashkëkohore. Kisha na nxit të ngjitemi bashkë me Marinë drejt lartësive shpirtërore, ku gjejmë ajrin e pastër të jetës së mbinatyrshme dhe shikojmë bukurinë e shenjtërisë.

Ngjitja e Marisë me shpirt e trup në Qiell është një ngjarje e jashtëzakonshme që mbush zemrat me shpresë dhe lumturi. Kjo festë na fton të ngrijmë sytë drejt qiellit, një qiell që nuk është abstrakt, por realiteti i vërtetë i Hyjit. Kur Maria kaloi nga kjo botë, ajo thjesht ndoqi Birin e saj, Jezusin, në shtegtimin e tij përfundimtar drejt Atit Hyjnor. Të gjithë jemi në shtegtim drejt lumturisë së përjetshme, që është Hyji.

Maria, e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, ndjek Krishtin në shtegtimin e saj. Krishti është fryti i parë, dhe korpi i tij i Ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë. Ky shndërrim përfshin gjithë gjithësinë, drejt lindjes së një qielli të ri dhe një toke të re, ku nuk do të ketë më lot apo vdekje.

Dashuria e Krishtit fitoi mbi vdekjen dhe vetëm dashuria të fut në mbretërinë e jetës. Maria hyri në atë mbretëri pas të Birit, duke lënë pas udhën e hapur për të gjithë ne. Prandaj e quajmë atë “Porta e qiellit,” “Mbretëresha e Engjëjve,” dhe “Streha e mëkatarëve.”

Në këtë festë, Kisha na kujton se nga Parajsa, Zoja e Bekuar vijon të ndihmojë bijtë e saj në momentet e provave të vështira. Të gjitha dëshmitë e kësaj mbrojtjeje amtare janë të dukshme në Kishat dhe Shenjtëroret e saj në mbarë botën, përfshirë edhe viset shqiptare.

Zoja e Ngjitur në Qiell na tregon cakun e fundit të shtegtimit tonë tokësor. Ajo na kujton se gjithë qenia jonë – shpirt dhe trup – është e paracaktuar për jetën e vërtetë; se kush jeton dhe vdes duke dashur Zotin dhe të afërmin, do të shndërrohet sipas shëmbëlltyrës së Krishtit të Ngjallur. Në këtë festë, t’i lutemi Marisë të na shoqërojë në çdo hap të jetës sonë dhe të na ndihmojë të arrijmë atdheun e lumnive hyjnore.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme