4.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenDom Gjergj Meta: Pamjet rrënqethëse të zjarreve, mbi kë bie përgjegjësia
HomeDioqeza RrëshenDom Gjergj Meta: Pamjet rrënqethëse të zjarreve, mbi kë bie përgjegjësia

Dom Gjergj Meta: Pamjet rrënqethëse të zjarreve, mbi kë bie përgjegjësia

Prononcim për shtyp nga Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta

Pamjet rrënqethëse që na vijnë nga Munella dhe Thirra në Dioqezën tonë të Rrëshenit dhe jo vetëm prej aty, por nga anekënd vendit, janë ngjarje të rënda. Fatkeqësisht po përsëriten çdo vit duke zhdukur kështu florën dhe faunën e zonave tona. 

Kjo është kriminale.

Zjarri në pyje është një “fatkeqësi” që do ta paguajmë, ashtu sikurse kemi paguar prerjen e tyre të pakriter, prishjen e lumenjve e të prrojeve të ujit për HEC-et, apo sikurse kemi shfrytëzuar minierat pa kritere, me të vetmin qëllim përfitime individuale.

Mbi kë bie përgjegjësia?

Përgjegjësia e parë bie mbi autoritetet shtetërore që nuk kanë marrë masa serioze për mbrojtjen e natyrës dhe të territorit. Natyra, pyjet, malet janë lënë krejt pasdore, duke u mjaftuar me disa investime, më shumë private, por që edhe këto e kanë përçudnuar pothuaj tërësisht natyrën, të përqendruara në bregdetin shqiptar.

Pjesa e brendshme e natyrës shqiptare është lënë në mëshirë të fatit e të njerëzve të papërgjegjshëm kriminalë ose përfitues të bizneseve klienteliste.

Përgjegjësia e autoriteteve shtetërore nuk mund të fshihet e as të mbulohet me ngrohjen globale apo me papërgjegjësinë e “çobanëve” zjarrvënës. Këta zjarre dhe përhapja e tyre janë kryekëput dështime të shtetit shqiptar, ashtu sikurse qe prerja e pyjeve menjëherë pas rënies së komunizmit.

Përgjegjësia e dytë, por jo më e vogël, është ajo e ne qytetarëve me mosangazhimin tonë, me pandjeshmërinë tonë, pothuajse totale ndaj natyrës si një e mirë dhe pasuri e përbashkët. Natyra është shtëpia jonë e përbashkët na kujton Papa Françesku. E duam natyrën vetëm kur na freskon apo na ngroh, por jo kur na duhet ta mbrojmë atë. Për vite me rradhë, qysh me rënien e komunizmit me natyrën është abuzuar. Krahas korrupsionit shtetëror është shtuar edhe papërgjegjshmëria dhe formimi i ulët qytetar. Duhet së pari ta ruajmë e më pas të denoncojmë abuzimet me natyrën, duke çuar në vëmendjen e autoriteteve abuzuesit e duke protestuar kur abuzesi është vetë shteti me hallkat e tij të korruptuara.

Është koha e një veprimi dhe reflektimi serioz.

Prandaj përveç hapave ligjorë të domosdoshëm ndaj përgjegjësve të zjarreve, në çdo hallkë që ata janë, por që kanë ndikuar negativisht me veprimin apo mosveprimin në kohë, me neglizhencën e qëllimshme apo të paqëllimshme të tyren, nevojitet një ndërgjegjësim qytetar, një ndërveprim i të gjithëve që ta shpëtojmë edhe këtë pak Shqipëri që na ka mbetë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme