14.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësDita e 33-të e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit.
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësDita e 33-të e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit.

Dita e 33-të e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit.

Arqipeshkvi Imzot Arjan DODAJ F.d.C. i ftuar në dioqezën “Ascoli Piceno” në Itali.

Të dielën me dt. 23 mars 2025, Arqipeshkvi Imzot Arjan DODAJ F.d.C. pati mundësi të jepte një dëshmi të fortë dhe prekëse mbi martirizimin e Kishës Katolike në Shqipëri. E bëri këtë gjatë kremtimit Eukaristik me rastin e Ditës ndërdioqezane të Misionarëve Martirë. Morën pjesë besimtarë dhe autoritete të shumta. Ngjarja përfaqësoi jo vetëm një moment feste për rihapjen e kishës së “Zemrës së Shenjtë” në Sant’Egidio alla Vibrata, por edhe një mundësi për reflektim të thellë mbi vlerën e veprimtarisë misionare dhe të martirizimit.

Imzot Dodaj, duke shprehur mirënjohjen e tij për ftesën e marrë tha: “I nderuar imzot Gianpiero Palmieri, i jam thellësisht mirënjohës provanisë që dëshiroi këtë takim. Miqësia jonë, e kultivuar ndër vite, është një dhuratë e çmuar për mua. Arqipeshkvi Palmieri, në fakt, ishte gjithashtu një bashkëshugures në shugurimin tim ipeshkvor në vitin 2020. Falënderoj gjithashtu të gjithë ju këtu të pranishëm: është gëzim dhe emocion për mua që mund ta ndaj këtë moment besimi dhe kungate”.

Në meditimin e tij, Arqipeshkvi Dodaj, kujtoi figurën e të Lumit Vinçens Prennushi si një dëshmitar heroik i besimit në Shqipëri. “Unë vij nga një vend, tha Imzoti,“që ka përjetuar vite të tëra vuajtjesh dhe përndjekjesh. Kisha shqiptare ka pësuar martirizim për dekada dhe imzot Prennushi ishte një nga figurat e saj më të ndritura si një farë që vdes për të dhënë fryt, ka gjetur jetë të re. Një nga frytet e saj më të shndritshme është padyshim Nënë Tereza e Kalkutës, të cilën të gjithë e njohim dhe e nderojmë”.

Në vazhdim të dëshmisë së tij, Imzot Dodaj nënvizoi rëndësinë e misionit dhe të sakrificës.“Imzot Prennushi” tha, “megjithë torturat, nuk i humbi kurrë shpresat. Ai ishte një njeri me kulturë të madhe, që kishte studiuar në vende të ndryshme dhe kishte dëgjuar thirrjen e Zotit për të bërë vepra të mëdha. Kur u kthye në Shqipëri, ai ia kushtoi jetën në ndihmë të nevojtarëve, duke mishëruar plotësisht mesazhin ungjillor”.

Kremtimi përfundoi me një ftesë për reflektim dhe veprim konkret: “Misioni ynë është ta shikojmë botën me dashuri. Të jesh misionar do të thotë të jesh i gatshëm të japësh gjithçka, ashtu siç bëri Krishti. Nuk ka mision pa sakrifica. Të gjithë jemi thirrur të jemi një mision, kudo që jemi”.

Sivjet në Vitin e Jubileut të Shpresës, tema e Ditës së 33-të të Martirëve Misionarë është “Shkoni dhe ftoni” (Mt 22). Dita e Lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit të Jezu Krishtit përkon me përvjetorin e vrasjes së Arqipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, ndërsa kremtonte Meshën e Shenjtë. Imzot Romero pat denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në vendin e tij. E që nga viti 1993 Kisha Katolike ia kushton këtë ditë misionarëve martirë e kështu më 24 mars mediton mbi vlerën e farës së gjakut të martirëve, që dhuruan jetën e tyre për Krishtin dhe për njeriun vëlla, duke flijuar çdo gjë, deri jetën për fe e për dashuri vëllazërore.

Të kujtojmë të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri, duke vuajtur së bashku me popullin dhunën e persekutimin të periudhave të ndryshme të errëta si në kohën otomane e atë komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e mbarë kombit dhe ruajtjen e kultivimin e identietit shqiptar.

Misionarët martirë janë « shpresë për botën », që na kujtojnë vlerën e krishterë të martirizimit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit. Martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme