Ipeshkvia Prizren-Prishtinë shpreh shqetësim të thellë për gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe dënon fuqishëm çdo akt dhune që cenon paqen dhe rendin publik në Vend. Kushdo është përgjegjës për humbjen e jetëve të njerëzve duhet të vihet para përgjegjësisë.
Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, sot në meshën e orës 11:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza, ka shprehur indinjatën e tij të thellë për gjendjen e rëndë dhe është lutur që Zoti të preh në paqe policin e vrarë e t’i ngushëllojë familjaret e tij, e të plagosurit të kenë shërim të shpejtë.
Ftojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendore që ta marrin seriozisht gjendjen e krijuar dhe t’i japin përgjigjen e duhur për ta ruajtur paqen si domosdoshmëri dhe dobi për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe me gjerë.
Mbetemi në lutje të vazhdueshme që kjo situatë e krijuar të përfundojë sa më shpejtë dhe rendi e siguria të kthehen sa më parë.
Prishtinë, më 24 shtator 2023
Don Fatmir Koliqi
Zëdhënës i Ipeshkvisë