18.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleBiografia e Papa Leonit XIV
HomeKisha UniversaleBiografia e Papa Leonit XIV

Biografia e Papa Leonit XIV

Kardinali Robert Francis Prevost, O.S.A., Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, Arqipeshkëv-Ipeshkëv Emeritus i Çiklajos, lindi më 14 shtator 1955 në Çikago, Illinois, Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1977 hyri në noviciatin e Urdhrit të Shën Augustinit (O.S.A.), në provincën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Saint Louis. Më 29 gusht 1981, bëri kushtet e përjetshme. Ka studiuar në Unionin Teologjik Katolik në Çikago, ku u diplomua në Teologji.

Në moshën 27 vjeç, u dërgua nga Urdhri në Romë për të studiuar të Drejtën Kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomë Akuinit (Angelicum). U shugurua meshtar më 19 qershor 1982. Bëri Specializimin në vitin 1984, pastaj u dërgua të punonte në misionin e Chulucanas, në Piura të Perusë (1985-1986).

Në vitin 1987 bëri doktoraturën me tezën: “Roli i eprorit vendor të Urdhrit të Shën Augustinit”. Në të njëjtin vit u zgjodh drejtor i thirrjeve dhe drejtor i misioneve të Provincës Augustiniane të “Nënës së Këshillit të Mirë” në Olympia Fields, Illinois (SHBA). Në vitin 1988 u dërgua në misionin e Trujillos si drejtor i projektit të formimit të përbashkët të aspirantëve augustinianë të Vikariateve të Chulucanas, Iquitos dhe Apurímac. Atje ai ishte epror i komunitetit (1988-1992), drejtor i formimit (1988-1998) dhe mësues i të kushtuarve me kushte të përjetshme (1992-1998). Në Arqidioqezën e Trujillos ishte vikar gjyqësor (1989-1998), profesor i së Drejtës Kanonike, Patristikës dhe Moralit në Seminarin e Madh “Shën Karlos dhe Shën Marçelo”.

Në vitin 1999 u zgjodh epror provincial i Provincës “Nëna e Këshillit të Mirë” (Çikago). Pas dy vjetësh e gjysmë, Kapitulli i Përgjithshëm i Zakonshëm e zgjodhi atë Epror të Përgjithshëm, një shërbesë që Urdhri ia besoi përsëri në Kapitullin e Përgjithshëm të Zakonshëm të vitit 2007. Në tetor 2013 u kthye në Provincën e tij (Çikago) për të qenë mësues i të kushtuarve me kushte të përjetshme dhe vikar provincial; detyra që i mbajti derisa Papa Françesku e emëroi, më 3 nëntor 2014, administrator apostolik të Dioqezës së Çiklajos (Peru), duke e ngritur në dinjitetin episkopal të ipeshkvit titullar të Dioqezës së Sufarit. Më 7 nëntor mori në zotërim kanonik Dioqezën në prani të Nuncit Apostolik James Patrick Green; u shugurua ipeshkëv më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupës, në Katedralen e dioqezës së tij. Ka qenë ipeshkëv i Çiklajos që nga 26 shtatori 2015. Që nga marsi 2018 ka qenë zëvendës i dytë i Konferencës Ipeshkvore Peruviane. Papa Françesku e emëroi atë anëtar të Kongregatës për Klerin në vitin 2019 dhe anëtar të Kongregatës për Ipeshkvijtë në vitin 2020.

Më 15 prill 2020, Papa e emëroi Administrator Apostolik të dioqezës së Callao-s.

Që nga 30 janari 2023, është Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe President i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.

Më 6 shkurt 2025, Ati i Shenjtë Françesku e gradoi atë në Urdhrin e Ipeshkvijve, duke i dhënë Titullin e Kishës Suburbikariane të Albanos.

U krijua dhe u shpall Kardinal nga Papa Françesku në Koncistorin e 30 shtatorit 2023 të Diakonisë së Santa Monikës.

Është anëtar:

  • i Dikastereve: për Ungjillëzimin, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja vendore; për Doktrinën e Fesë; për Kishat Lindore; për Klerin; për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; për Kulturën dhe Edukimin; për Tekstet Legjislative.
  • të Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme