20.5 C
Tirana
HomeKISHAti «ynë»
HomeKISHAti «ynë»

Ati «ynë»

Të pagëzuarit nuk mund ta lusin Ati «ynë», po nuk sollën përpara tij të gjithë ata për të cilët ai ka dhënë Birin e vet të dashur.
Kjo përkujdesje hyjnore për të gjithë njerëzit dhe për mbarë krijimin ka frymëzuar të gjithë lutësit e mëdhenj: duhet të zgjerojë lutjen tonë deri te hapësirat e pakufishme të dashurisë, kur guxojmë të themi: Ati «ynë».

2786 Ati «ynë» i referohet Hyjit. Përemri, për sa na takon ne, nuk shpreh pronësi, por një marrëdhënie me Hyjin krejtësisht të re.

2787 Kur themi Ati «ynë», pranojmë para së gjithash se të gjitha premtimet e tij të dashurisë, të lajmëruara nga profetët, janë përmbushur në Besëlidhjen e re dhe të amshuar në Krishtin e tij: ne jemi bërë populli «i tij» dhe ai tashmë është Hyji «ynë». Kjo marrëdhënie e re është një përkitje e ndërsjellë e dhuruar falas: «hirit» dhe «së vërtetës», që na u dhuruan në Jezu Krishtin, duhet t’i përgjigjemi me dashuri dhe besnikëri.

2788 Meqenëse Lutja e Zotit është ajo e popullit të tij në «kohët e fundit», përemri «ynë» shpreh edhe shpresën tonë në premtimin e fundit të Hyjit: në Jerusalemin e ri ai do të thotë për fitimtarin: «Unë do të jem Hyji i tij e ai biri im» (Zb 21,7).

2789 Duke lutur Ati «ynë», i drejtohemi personalisht Atit të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Nuk ndajmë hyjninë, meqenëse Ati «është burimi dhe zanafilla», por dëshmojmë në këtë mënyrë se Biri është lindur prej tij nga amshimi dhe se prej tij rrjedh Shpirti Shenjt. Nuk ngatërrojmë as Personat, sepse dëshmojmë se bashkimi ynë është me Atin dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, në një të vetmin Shpirtin Shenjt të tyre. E Shenjtërueshmja Trini është e njëqenshme dhe e pandashme. Kur i lutemi Atit, e adhurojmë dhe i japim lavdi atij, me Birin dhe Shpirtin Shenjt.

2790 Gramatikisht, përemri «ynë» cilëson një realitet të përbashkët për shumë veta. Nuk ka veçse një Hyj të vetëm dhe njihet Atë nga ata që, me anë të fesë në Birin e tij të njëlindur, janë rilindur prej tij me anë të ujit dhe të Shpirtit Shenjt. Kisha është ky bashkim i ri i Hyjit dhe i njerëzve: e bashkuar me Birin e vetëm, i bërë «vëllai i parë në mesin e shumë vëllezërve» (Rom 8,29), ajo është në bashkim me një Atë të vetëm dhe të njëjtë, në një Shpirt Shenjt të vetëm dhe të njëjtë. Duke lutur Ati «ynë», çdo i pagëzuar lutet në këtë bashkim: «Të gjithë ata që kishin besuar, ishin të një zemre e të një shpirti» (krh. Vap 4,32).

2791 Për këtë arsye, pavarësisht nga ndarjet e të krishterëve, lutja Ati «ynë» mbetet e mira e përbashkët dhe një thirrje e ngutshme për të gjithë të pagëzuarit. Në bashkim me Krishtin me anë të fesë dhe Pagëzimit, ata duhet të marrin pjesë në lutjen e Jezusit për unitetin e dishepujve të tij.

2792 Së fundi, në qoftë se lusim përnjëmend «Ati ynë», ne dalim nga individualizmi, sepse jemi të çliruar nga dashuria që pranojmë. Përemri «ynë» i fillimit të lutjes së Zotit, sikurse përemri «ne» te katër kërkesat e fundit, nuk përjashton askënd. Për ta thënë atë në të vërtetën, ndarjet dhe antagonizmat tanë duhen kapërcyer.

2793 Të pagëzuarit nuk mund ta lusin Ati «ynë», po nuk sollën përpara tij të gjithë ata për të cilët ai ka dhënë Birin e vet të dashur. Dashuria e Hyjit nuk njeh kufij, ndaj e tillë duhet të jetë edhe dashuria jonë. Të luturit Ati «ynë» na hap para përmasave të dashurisë së tij, të shfaqur në Krishtin: në lutje me të gjithë njerëzit dhe për të gjithë njerëzit që ende nuk e njohin, që të jenë të bashkuar në një. Kjo përkujdesje hyjnore për të gjithë njerëzit dhe për mbarë krijimin ka frymëzuar të gjithë lutësit e mëdhenj: duhet të zgjerojë lutjen tonë deri te hapësirat e pakufishme të dashurisë, kur guxojmë të themi: Ati «ynë».

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme