5.5 C
Tirana
HomeKISHAborti në Kartën e BE-së. E drejta e parë është gjithmonë jeta
HomeKISHAborti në Kartën e BE-së. E drejta e parë është gjithmonë jeta

Aborti në Kartën e BE-së. E drejta e parë është gjithmonë jeta

Nëse ju thonë se në të gjithë botën e drejta për ta njohur nevojën për “hapësirë ​​jetësore” miratohet me koston e luftës; ose e drejta simetrike për të bërë luftë me qëllimin për të mbrojtur hapësirën përkatëse jetësore nga agresioni i fqinjit, njëra dhe tjetra palë duke përdorur jetën e njerëzve të tyre për të vrarë jetën e njerëzve të tjerë, sepse njerëzit e tjerë janë një kërcënim dhe të shkatërrosh kërcënimin është virtyt dhe për këtë arsye masakrat e luftës janë të virtytshme, mos thoni se e drejta dhe e padrejta, e mira dhe e keqja do të përcaktohen pastaj nga gjykata e historisë. Më mirë thoni se të flasësh për të drejtën për të vrarë njëri-tjetrin në luftë ka diçka të çmendur në vetvete, sepse lufta është marrëzia më tragjike e sjelljes njerëzore. Ah, sikur të zhdukej nga historia e njerëzimit!

Nëse ju thonë se vrasja e fëmijëve në barkun e nënës është një e drejtë për atë hapësirë ​​jetësore të quajtur vetëpërcaktim, ose për t’u mbrojtur kundër një furacaku që e sulmon dhe kështu duhet vrarë – dhe sa më shpejt të bëhet, aq më pak ka vramendje dhe më pak kokëçarje krijohen –, mos thoni se përfitimi i një vullneti që vendos për vdekjen e fëmijës është një ngjarje që lidhet me shëndetin riprodhues. Më mirë thoni se aborti është në vetvete një plagë tragjike, një murtajë që korr më shumë viktima në botë se të gjitha luftërat. Ah, sikur të ndalohej masakra e të pafajshmëve!

Ditët e fundit u publikua Deklarata e Kongregatës për Doktrinën e Fesë me titull “Dignitas infinita” [Dinjiteti i pafund] i çdo qenieje njerëzore. Pa dallime konditash sepse pafundësia nuk ka shkallare. Fëmija në barkun e nënës merr pjesë në këtë dinjitet. Madje, fjala dinjitet është pikërisht ajo që hap titullin e parë të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, ku thuhet se “dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm”. Dhe menjëherë më pas shpallet norma e madhe që është në bazë të Kartës në tërësi, themeli i të gjitha normave të tjera: e drejta për jetën.

Tani Parlamenti Evropian votoi dje për një rezolutë që dëshiron të përfshijë abortin në atë Kartë. E bën këtë gjë duke rimorkiuar disa qëllime të mira për kushtet shëndetësore, por, si përbërës të fundit, i shton gjellës pikërisht helmin. Aty thuhet kështu: «Çdokush ka të drejtën e vendimmarrjes autonome mbi trupin vetjak, për akses të lirë, të informuar, të plotë dhe universal në shëndetin seksual e riprodhues dhe në shërbimet shëndetësore të lidhura me to, pa diskriminim, duke përfshirë aksesin për në abort të sigurt e të ligjshëm». Nisma nuk ka vlerë detyruese, është më shumë një dëshirë. Çështjet shëndetësore hyjnë brenda kompetencave kombëtare dhe për të ndryshuar Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe për të përfshirë abortin, do të duhej një marrëveshje unanime e të gjitha Shteteve anëtare.

Por domethënia e votës në nivel kulturor është me peshë. Ajo nxjerr në pah një mendim përkëdhelës e bindës që përhapet dhe dëshiron t’i shtrojë rrugën bindjes se aborti është një qasje shëndetësore, një shërbim me akses të lirë; kujdesi për shëndetin seksual. “I sigurt dhe i ligjshëm” janë mbiemrat bindës (kush vallë do të donte që shëndeti seksual të ishte i pasigurt dhe i paligjshëm?) me të cilat, në të vërtetë, përjashtohet bërthama e problemit themelor, padrejtësia e vrasjes së fëmijës. Diçka e marrë si e mirëqenë, që s’mund të diskutohet më. Në vend të kësaj, do të diskutohet nëse është më mirë të bëhet abortimi me kanulën Karman apo me mifepriston [e njohur më shumë me emrin francez RU-486 ose “kokrra e abortit”] dhe nëse studentët e mjekësisë duhet ta mësojnë, në mënyrë të detyrueshme, se si ta bëjnë atë gjë, pikësynim ky që dëshirohet gjithashtu.

Nëse shkrimi i një Karte të të Drejtave Themelore ka të bëjë me qytetërimin, ajo që bie në sy në këtë Parlament që po vdes është mungesa e një mendimi koherent me bazat juridike të vërtetuara: dinjiteti i pacenueshëm (neni 1) dhe e drejta për jetën (neni 2). Dhe ka një ngjashmëri të çuditshme me mendimin aktual që përkulet para fatalitetit të luftërave dhe arsenaleve që duhen përgatitur për masakra të zgjuara, në vend që të përdoren të gjitha energjitë dhe burimet për paqen, për të arritur dhe jetuar paqen. Në mënyrë të ngjashme, amësia “e vështirë” ka nevojë për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë. Një Evropë, siç shkruajnë ipeshkvijtë, ku gratë mund ta jetojnë amësinë lirisht dhe si një dhuratë për veten dhe shoqërinë dhe ku të qenit nënë nuk është aspak një kufizim për jetën e tyre personale, sociale dhe profesionale. Jeta ka nevojë për paqe, jo për vdekje. Një ngjashmëri që një grua, Tereza e Kalkutës – e mbani mend? – ia zbuloi botës kur mori çmimin Nobel për Paqen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme