12.5 C
Tirana
HomeEditorialA të bëhemi gati për Krishtlindje?
HomeEditorialA të bëhemi gati për Krishtlindje?

A të bëhemi gati për Krishtlindje?

Nga Imzot Gjergj Meta

Pritja – Ndërkoha – Përmbushja

Ende janë të gjalla në përfytyrimin tonë shëmbëllimet në ekranin e televizorit, kur njerëzit pritnin t’ua nxirrnin familjarët, të afërmit dhe miqtë e tyre nga gërmadhat e tërmetit të para dy viteve. Me siguri ka qenë një pritje e vështirë dhe plot ankth. Në disa raste ka përfunduar me britma gëzimi, ndërsa në disa të tjera, fatkeqësisht ka përfunduar me britma dhembjeje.

Gjithashtu, pritja e shumë familjeve që të strehohen në banesat e reja, për shkak se tërmeti ua shembi ato që kishin, është një pritje tjetër, e cila të paktën mund ta ketë një fund të lumtur.

Pritja ka po ashtu fytyrën e pashlyeshme nga mendja, të imazheve të atyre njerëzve, të cilët rrinin pas transeve në spitalin e infektivit të Tiranës, duke pritur të merrnin ndonjë lajm për familjarët dhe të afërmit e tyre të intubuar prej infektimit me COVID-19. Edhe aty në disa raste ka përfunduar me britma gëzimi, ndërsa në disa të tjera, fatkeqësisht ka përfunduar me britma dhembjeje.

Zgjodha të flisja për pritjen, e cila për të krishterët karakterizon javët që i paraprijnë Krishtlindjes, duke u nisur prej këtyre shembujve realë nga jeta e vendit tonë në këto dy vitet e fundit.

Nëse do të bënim një listë të gjërave për të cilat jemi në pritje në jetën tonë të përditshme, ajo listë do të ishte e gjatë. Shumica e këtyre pritjeve e kanë një emër, po ka edhe nga ato që s’ua vëmë dot një të tillë, janë më patrajtë, më të fshehura dhe as vetë personi nuk e di se çfarë po pret.

Teksa presim, të gjithë ne jemi në një gjendje tendosjeje psiko-shpirtërore të vazhdueshme, e cila mund të krijojë ankth ose entuziazëm. P.sh. krijon ankth kur pret rezultatet e një analize mjekësore ose përgjigjen ndaj një kërkese për vend pune, kur je jashtë një salle operacioni në të cilën gjendet një njeri i afërt i yti që po lufton me vdekjen, sa herë përjeton ardhjen e një fëmije në një familje apo në jetën e një çifti dhe kështu me radhë. Çdo pritje ka brenda ankthin dhe entuziazmin. Ja që përvoja e pritjes është një përvojë njerëzore e rrënjosur thellë në strukturën e jetës sonë.

Pritja ka të bëjë me dëshirën dhe kjo e fundit është gjithmonë pozitive: të realizohet ajo çka unë pres realisht apo të ndodhë e kundërta e një fatkeqësie. Dëshira është motori që e vë në lëvizje pritjen. E megjithatë, ne konstatojmë se ka edhe njerëz që nuk presin më, çka do të thotë se për një arsye apo një tjetër, iu janë shuar dëshirat. Imagjinoni pak një të sëmurë mendor, i cili është i destinuar të rrijë në një spital psikiatrik për gjithë jetën e tij; një tjetër që po pret t’i mbarojnë ditët e tij nga një sëmundje e rëndë, e cila ia ka hapur metastazat në të gjithë trupin; dikë që ka humbur fëmijën e tij dhe i ngrys ditët e veta në vetminë e pleqërisë; dikë që i është fikur dëshira për të jetuar nga depresioni, etj., etj.

Kështu që ndoshta duhet thënë se është me fat kush e provon ende ankthin e pritjes, sepse ajo pritje mund ta shpërblejë një ditë.

Ndërkoha e kësaj pritjeje është edhe sfida jonë. Arti i të priturit është edhe arti i jetës shpirtërore. Tendosja jonë ekzistenciale është një lëvizje nga … drejt… dhe varet shumë nga mënyra se si ne e organizojmë pritjen. Kjo e fundit nuk është vetëm individuale. Është një akt shoqëror, pasi në ndërkohë unë jam në një rrjetë relacionesh me të tjerët rreth meje.

Edhe historia e shpirtit ka trajektoren e vet të pritjes dhe është e gjallëruar nga dëshira e përmbushjes. Për ne që besojmë, Zoti hyn në këtë pritje dhe nuk është thjesht një spektator indiferent që shijon një spektakël. Ai pret dhe përjeton bashkë me njerëzit. Mund të themi se është një Zot-njerëzor.

Të përgatitesh për Krishtlindje, këtë vit dhe çdo vit të jetës sonë, do të thotë pikërisht këtë: t’iu japësh një emër dëshirave që i japin jetë kësaj pritjeje.

Historia e përshkruar në gjithë Shkrimin e Shenjtë, për ne është historia e një pritjeje, e një ndërkohe dhe e realizimit të saj. Ne do ta ndjekim këtë pritje duke medituar mbi leximet që na ofron liturgjia e Fjalës në Kohën e Ardhjes.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme