Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se vini!
Sot dëshiroj të ndaj me ju disa reflektime mbi udhëtimin apostolik që zhvillova javën e kaluar në Spanjë, duke vizituar Madridin, Barcelonën, Abacinë e Montserratit dhe Ishujt Kanarie.
Pas udhëtimit të gjatë në katër vende afrikane, kësaj radhe u gjenda i zhytur në një vend evropian me një traditë katolike të lashtë dhe tejet të pasur. U bë e qartë se, në Spanjën e sotme, e cila ka njohur ndryshime të rëndësishme shoqërore dhe kulturore, Papa u prit kudo me entuziazëm dhe me gatishmëri për ta dëgjuar. Për këtë i falënderohem Hyjit dhe mbarë popullit spanjoll, Mbretit dhe autoriteteve civile, ipeshkvijve dhe bashkësive kishtare.
Populli i Hyjit më ngushëlloi shumë me shpërfaqjen e gëzueshme të fesë dhe të dashurisë së vet. Nga ana ime, i përforcova besimtarët dhe, si Ipeshkëv i Romës, i nxita që të kapërcejnë çdo formë përçarjeje e kundërvënieje, duke kultivuar gjithmonë bashkimin, dialogun dhe unitetin në ndryshmëri. Ky është shërbimi i veçantë i Pasardhësit të Pjetrit, një shërbim që në udhëtimet apostolike gjen një shprehje të posaçme, çdo herë i përshtatur me situatat kishtare dhe shoqërore të vendeve të vizituara.
Në rastin e Spanjës, pata gëzimin të vërej se sa shumë njerëzit, të çdo moshe e të gjendjeje, e prisnin vizitën e Papës: kudo gjeta turma të mëdha që më pritën me ngrohtësi të madhe. Kjo nuk ishte diçka e vetëkuptueshme dhe meriton një reflektim. Natyrisht, kjo pjesëmarrje shpreh para së gjithash, siç thashë, fenë e popullit spanjoll; por, njëkohësisht, mendoj se ajo shfaq edhe nevojën e përhapur për t’u gjetur sërish të bashkuar mbi një themel të vërtetë e të thellë, jo ideologjik dhe as të lidhur me interesa të pjesshme. Ky themel është ai që vetëm Krishti mund ta sigurojë përfundimisht dhe që Ungjilli, përmes “inkulturimeve” të nevojshme, mund ta përcjellë në jetën e popujve. Mund ta bëjë këtë sepse mesazhi i tij u përgjigjet plotësisht të dyja këtyre kërkesave: kërkimit të së vërtetës dhe etjes për drejtësi.
Në Madrid dhe Barcelonë u mblodhëm në katedralet e mëdha, por edhe në stadiume shumë moderne. U lutëm Rruzaren e shenjtë në Abacinë e Montserratit. Kremtuam në Sagrada Familia, simbol madhështor, simfoni guri dhe drite që u flet të gjithëve për misterin e krishterë. Ky takim i së lashtës me modernen, i traditës katolike me kulturën bashkëkohore, më bëri ta ndiej drejtpërdrejt karakterin e veçantë të Evropës, pasurinë e saj të paçmueshme si një realitet aktual e jo të tejkaluar. Bëhet fjalë për një trashëgimi që duhet ruajtur me kujdes, në mënyrë që të vihet në shërbim të së tashmes globale me sfidat e saj epokale: paqen, ekologjinë integrale, zhvillimin e drejtë e të përballueshëm, respektimin e dinjitetit njerëzor. Janë sfida që Koncili II i Vatikanit i kishte njohur tashmë qartë dhe mbi të cilat është kthyer vazhdimisht Magjisteri pasues, deri te Enciklika ime e fundit Magnifica humanitas, e cila synon të ruajë personin njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale.
Nëpërmjet takimeve të ndryshme, kam vënë re nevojën për të dëgjuar në zërin e Papës Ungjillin e shpresës për njerëzimin tonë të sotëm, të goditur rëndë nga pasojat negative të një modeli zhvillimi mashtrues. Këtë nevojë, e cila u shpreh në dëshmitë e shumta që munda të dëgjoja – herë prekëse e herë ndërtuese – e kam vërejtur sidomos në fytyrat e të vegjëlve dhe të varfërve që takova: te fëmija që më lexoi letrën e tij në famulli; te disa viktima abuzimi që kërkojnë të dëgjohen; te të burgosurit që më prisnin në burg; te të rinjtë plot shqetësime dhe projekte; te migrantët në qendrat e pritjes së parë në Ishujt Kanarie.
Pikërisht atje, në Ishujt Kanarie, ndalesa e fundit e këtij udhëtimi, m’u dha një çelës leximi i tërësishëm. Ma ofruan, nga njëra anë, vetë pozita gjeografike e këtij arkipelagu dhe, nga ana tjetër, realiteti i një Kishe vendore që pret një numër të madh migrantësh të detyruar, të ardhur kryesisht nga Afrika. E dimë se dukuria e migrimit është e ndërlikuar dhe kërkon plane veprimi organike e të bashkërenduara. Por ky çelës leximi hap një perspektivë tjetër, më të gjerë: na ndihmon të kuptojmë se jemi të thirrur ta rilexojmë Ungjillin në botën e sotme, duke shkëmbyer dhuratat e kulturave tona përkatëse dhe, në veçanti, frytet që në to ka prodhuar begatia e mesazhit të Krishtit. Një nga këto fryte është pikërisht dialogu ndërmjet personave dhe popujve, takimi në frymën e vëllazërisë, që bën të mundur zbulimin dhe vlerësimin e ndërsjellë të vlerave që mbart tjetri. Ky rrugëtim nuk është i lehtë; ai kërkon vullnet të mirë dhe ndihmën e Hyjit, por është rrugëtimi që çon drejt qytetërimit të dashurisë.
Të dashur vëllezër e motra, motoja e këtij Udhëtimi Apostolik ishte: “Alzad la mirada”, “Ngrijeni shikimin!” (krh. Gjn 4,35). Janë fjalë të Jezusit drejtuar dishepujve të parë, për t’u mësuar atyre që të shohin në njerëzit dhe në turmat dëshirën për jetë, për të vërtetën dhe për plotësi. Mua të parit Zoti m’i përsërit këto fjalë dhe, me hirin e tij, pata mundësi t’i përjetoj gjatë këtij Udhëtimi. Sot dëshiroj ta ndaj me ju këtë ftesë: ta ngremë shikimin! Të mësojmë nga Jezusi për ta parë të afërmin, për t’i parë njerëzit dhe botën “me sytë e Hyjit”, domethënë me dashuri, respekt dhe dhembshuri.
Së fundi, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që janë lutur për mbarëvajtjen e këtij Udhëtimi Apostolik, veçanërisht bashkësitë e murgeshave soditëse, të cilat në Spanjë, falë Hyjit, janë të shumta. Vazhdoni të luteni, që, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, farat që kam mbjellë të japin fryte të bollshme. Faleminderit!

