Meshtarë të rinj nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë morën pjesë sot në një takim formues dhe vëllazëror, të organizuar nga Komisioni Kombëtar për Klerin dhe Thirrjet. Të pranishëm ishin Arqipeshkvi Metropolit, Imzot Arjan Dodaj F.d.C., dhe Imzot Giovanni Peragine, barnabit, Arqipeshkëv i Shkodrës-Pult. Dom Jetmir Nikolli, famullitar i kishës “Naltimi i Kryqit” në Stajkë, i cili priti bashkëvëllezërit e tij në meshtari, mbajti një reflektim mbi aspektet kristologjike dhe antropologjike të mundimeve të Krishtit.

“Jezusi është i vetmi Kryemeshtar i Besëlidhjes së Re dhe, në Të, i gjithë populli i Zotit bëhet popull meshtarak. Megjithatë, ndër dishepujt e Tij, Zoti Jezus dëshiron të zgjedhë posaçërisht disa, për të ushtruar publikisht në Kishë, në emër të Tij, detyrën meshtarake në dobi të të gjithë njerëzve, duke vijuar kështu misionin e Tij personal si Mësues, Meshtar dhe Bari.
Jezusi, i dërguar nga Ati, i nisi në botë apostujt, dhe më pas ipeshkvijtë, bashkëpunëtorë të të cilëve janë meshtarët, për t’i shërbyer popullit të Zotit përmes predikimit, veprimtarisë liturgjike dhe, mbi të gjitha, përmes Eukaristisë.

Ju lutem, mos u lodhni kurrë së qeni të mëshirshëm. Mendoni mëkatet tuaja, mjerimet tuaja, që Jezusi i fal. Jini të mëshirshëm!
Një porosi e fundit: ta keni gjithmonë parasysh shembullin e Bariut të Mirë, i cili nuk erdhi për t’i shërbyer vetes, por për të shërbyer dhe për të shpëtuar atë që ishte e humbur!” (Françesku meshtarëve të rinj, 4.22.2018)