Një Konferencë ndërkombëtare mbi veprimtarinë e Kishës katolike kundër krimit të organizuar është zhvilluar këto ditë në Berlin, në Hotel Aquin, nën patronazhin e Komisionit Justitia et pax (Drejtësi dhe Paqe) dhe të Konferencës Ipeshkvore Gjermane.
Panorama e krimit të organizuar në pjesë të ndryshme të botës, në mënyrë të veçantë në Europë dhe në Amerikën Latine, kanë qenë ndër përvojat e rëndësishme që pjesëmarrësit ndanë me njëri-tjetrin.
Nga Amerika Latine (Kolumbi, El Salvador, Meksikë) nga Evropa (Shqipëri, Itali, Gjermani), u pa se krimi i organizuar është sot një sfidë e madhe në punën e qeverive dhe të kishave tona. Angazhimi në luftën kundër krimit të organizuar është jetësor për shoqëritë tona.
Imzot Gjergj Meta (nga KISH), Zonja Ariela Mitri (nga Caritas-i) dhe Z. Luigj Mila (nga Komisioni Drejtësi dhe paqe) përfaqësojnë Shqipërinë në këtë takim. Ata paraqitën sfidën e krimit të organizuar për shoqërinë shqiptare, historikun e këtyre 30 viteve pas rënies së regjimit komunist, sfidat që krimi i organizuar i ka sjellë shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Puna që është bërë dhe që duhet të behet, si dhe pikat e dobëta nga të cilat përfiton krimi i organizuar, sikurse korrupsioni sistemik, një reformë në drejtësi ende në rrugë e sipër, polarizimi politik ishin në qëndër të paraqitjes së delegacionit shqiptar.
Zonja Mitri bëri një prezantim të punës së Caritas-it Shqiptar për viktimat e krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë viktimat e trafikimit dhe kontrabandimi i migranteve dhe refugjateve. Ajo paraqiti strategjitë e ndjekura dhe bashkëpunimet me organizma të ndryshëm që merren me këto sfida të shoqërisë shqiptare.
Kisha Katolike në Shqipëri gjithashtu, sidomos nëpërmjet ipeshkvinjëve të saj, në këto vite ka denoncuar fenomenet e krimit të organizuar në fushën e trafikimti të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore, por edhe ndikimin e tyre në jetën politike të vendit dhe në zgjedhjet e zhvilluara në këto vite, sidomos nëpërmjet shitblerjes së votës.
Në vazhdim konferencën do ta plotësojnë edhe pjesmarrës nga Italia (Don Luigi Ciotti dhe Mons. Luigi Renna) si edhe përfaqësues të Vatikanit, nga Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit njerëzor Integral (Dr. Vittorio Alberti).
Aktiviteti është sponsorizuar edhe nga Renovabis, Adveniat, Misereor, të gjitha këto fondacione që ndihmojnë kishat në gjithë botën, sidomos ato Kisha që kanë më shumë nevoje, ndër të cilat është edhe Kisha në Shqipëri. Gjithashtu në takim po marrin pjesë edhe ekspertë të qeverisë gjermane në çështjen e krimit të organizuar. Një ndër vizitat e grupit të punës do të jetë edhe ajo në Bundestag-un gjerman.
Aktiviteti do të mbyllet me datë 7 korrik dhe synon të rrisë rrjetin e bashkëpunimt midis nesh për t’i dhënë përgjigjet e duhura, secili sipas përgjegjësisë dhe mundësisë së tij, fenomenit të krimit të organizuar.