Shkolla e Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen është vizituar sot nga përfaqësuesit e delegacioni gjerman “RENOVABIS”, Organizata e Ndihmës së Evropës Lindore e Kishës Katolike në Gjermani.
Delegacioni kryesohej nga Administratori i Përgjithshëm i “Renovabis” Prof. Dr Thomas Schwartz.
Ndërkohë pjesë e këtij delegacioni ishin edhe 12 gazetarë gjerman.
Qëllimi i vizitës ishte për të parë nga afër se si kjo shkollë po realizon me dashuri dhe profesionalizëm formimin profesional të të rinjve shqiptar.
Gjithashtu gazetarët gjerman realizuan reportazhe dhe intervista me nxënësit e kësaj shkolle mbi tematika të ndryshme si: rëndësia e arsimit profesional, mundësitë e integrimit në tregun e punës vendas dhe të huaj, arsyet e emigrimit të të rinjve, mendimet e tyre mbi frenimin e këtij fenomeni.
Delegacioni dhe gazetarët gjermanë vizituan ambientet e shkollës si edhe laboratorët, duke u takuar dhe bashkëbiseduar me nxënësit, të cilët marrin dije dhe profesion në një nga 6 degët profesionale: Elektroteknik, Hidraulik, Mekanik, Shërbime Sociale Shëndetësore, Hoteleri-Turizëm si edhe TIK.
Miqtë gjerman vlerësuan misionin e shkollës “Shën Jozefi” në shërbim të arsimimit dhe formimit profesional jo vetëm të nxënësve por edhe të kursantëve.
Intervistat dhe reportazhet do të transmetohen në mediat gjermane sociale, të shkruara si edhe audio-vizive.
Lindita Kokaj