10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Nga Kanadaja ftesa për harmoninë ndërmjet modernizimit e kulturave stërgjyshore
HomeKryesorPapa Françesku: Nga Kanadaja ftesa për harmoninë ndërmjet modernizimit e kulturave stërgjyshore

Papa Françesku: Nga Kanadaja ftesa për harmoninë ndërmjet modernizimit e kulturave stërgjyshore

Ishte shtegtim me popujt indigjenë, në udhën e “kujtesës, pajtimit, shërimit”, nga i cili “buron shpresa për Kishën: në Kanada dhe kudo”. Por dhe ftesë për të gjithë, për të rifituar “harmoninë që shkrin në një modernen me kulturat stërgjyshore, laicizimin me vlerat shpirtërore”. Ftesë nga Kisha, për të “mbjellë vëllazërinë universale që respekton dhe promovon pasuritë e shumta të “përmasës vendase”. Pati edhe çaste “shumë të dhimbshme” në të cilat – kujtoi – “m’u desh ta ndjej si shuplakë dhimbjen e atyre njerëzve, atyre të moshuarve, që humbën fëmijët e nuk e dinin se ku përfunduan, pasojë e kësaj politike asimiluese. Por duhej kthyer faqja për shuplakën, “përballë gabimeve tona, mëkateve tona”. Kështu i rikujtoi Papa Françesku ngjarjet kryesore të “shtegtimit pendestar” në Kanada, nga data 24 deri më 30 korrik, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, e para, pas ndërprerjes së muajit korrik, muaj pushimesh, që përfundoi me një shtegtim jo pak të lodhshëm.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot dëshiroj të bashkëndaj me ju disa reflektime mbi udhëtimin apostolik që bëra në Kanada ditët e fundit. Bëhej fjalë për një udhëtim ndryshe nga të tjerët. Në të vërtetë, motivimi kryesor ishte të takohesha me popullatat origjinare për t’iu shprehur atyre afërsinë dhe dhimbjen time dhe për t’iu kërkuar falje – për të kërkuar falje – për të keqen e bërë atyre nga ata të krishterë, mes të cilëve shumë katolikë, që në të kaluarën kanë bashkëpunuar në politikat e asimilimit të detyruar të qeverive të kohës.

Në këtë kuptim, në Kanada është ndërmarrë një rrugëtim për të shkruar një faqe të re në ecjen që Kisha po bën prej disa kohësh së bashku me popujt indigjenë. Njëmend, motoja e udhëtimit “Të ecim së bashku” e shpjegon pak këtë. Një ecje pajtimi, shërimi, që supozon njohurinë historike, dëgjimin e të mbijetuarve, ndërgjegjësimin dhe mbi të gjitha kthimin, ndryshimin e mendësisë. Nga ky thellim del se, nga njëra anë, disa burra dhe gra të Kishës kanë qenë ndër mbështetësit më të vendosur dhe më të guximshëm të dinjitetit të popujve autoktonë, duke marrë mbrojtjen e tyre dhe duke kontribuar në njohjen e gjuhëve dhe kulturave të tyre; por, nga ana tjetër, fatkeqësisht, nuk mungojnë të krishterët, domethënë priftërinj, rregulltarë e rregulltare, laikë që kanë marrë pjesë në programet që ne sot e kuptojmë se janë të papranueshme dhe madje në kundërshtim me Ungjillin. Dhe për këtë unë shkova të kërkoja falje në emër të Kishës.

Prandaj ishte një shtegtim pendestar. Momentet e gëzueshme ishin të shumta, por vështrimi dhe toni i të tërës ishte reflektimi, pendimi dhe pajtimi. Katër muaj më parë prita në Vatikan, në grupe të veçanta, përfaqësuesit e popujve origjinarë: ishin gjithsej gjashtë takime, për t’u përgatitur për këtë takim.

Etapat e mëdha të shtegtimit ishin tri: e para, në Edmonton, në pjesën perëndimore të vendit. E dyta, në Québec, në pjesën lindore. Dhe e treta në veri, në Iqaluit, ndoshta 3000 km nga rrethi polar arktik. Takimi i parë u zhvillua në Masqwacis, që do të thotë “kodra e ariut”, ku u mblodhën liderët dhe anëtarët e grupeve kryesore indigjene nga i gjithë vendi: First NationsMétis e Inuit.Së bashku bëmë kujtesë: kujtesa e mirë e historisë mijëravjeçare të këtyre popujve, në harmoni me tokën e tyre: kjo është një nga gjërat më të bukura të popujve origjinarë, harmonia me tokën. Ata kurrë nuk e keqtrajtojnë krijimin, kurrë. Në harmoni me tokën. Gjithashtu kemi mbledhur kujtimin e dhimbshëm të abuzimeve të pësuara edhe në shkollat rezidenciale, nga politikat e asimilimit kulturor.

Pas kujtesës, hapi i dytë i rrugëtimit tonë ishte ai i pajtimit. Jo një kompromis mes nesh – do të ishte një iluzion, një inskenim – por një lejim për t’u pajtuar nga Krishti, i cili është paqja jonë (krh. Ef2,14). Ne e bëmë këtë duke marrë si referim figurën e pemës, thelbësore për jetën dhe simbolikën e popujve indigjenë.

Kujtesë, pajtim dhe më pas shërim. Këtë hap të tretë të udhëtimit e bëmë në bregun e liqenit Shën Ana, pikërisht në ditën e festës së shën Joakimit dhe shën Anës. Të gjithë mund të marrim nga Krishti, burimi i ujit të gjallë, dhe aty, te Jezusi, kemi parë afërsinë e Atit që na jep shërimin e plagëve dhe gjithashtu faljen e mëkateve.

Nga ky rrugëtim kujtese, pajtimi dhe shërimi buron shpresa për Kishën, në Kanada dhe në çdo vend. Dhe aty, figura e dishepujve të Emausit, të cilët pasi ecën me Jezusin e ngjallur, me Të dhe falë Tij kaluan nga dështimi në shpresë (krh. Lk 24,13-35).

Siç thashë në fillim, rrugëtimi së bashku me popujt indigjenë ishte shtylla kurrizore e këtij udhëtimi apostolik. Mbi të u ndërlidhën dy takime me Kishën vendore dhe me Autoritetet e vendit, Autoritete ndaj të cilave dëshiroj të përtërij mirënjohjen time të sinqertë për gatishmërinë e madhe dhe mirëpritjen e përzemërt që kanë rezervuar për mua dhe bashkëpunëtorët e mi. Edhe për Ipeshkvijtë, vlen e njëjta gjë. Përpara Qeveritarëve, Krerëve indigjenë dhe Trupit diplomatik, ripohova vullnetin konkret të Selisë së Shenjtë dhe të Bashkësive katolike vendore për të promovuar kulturat origjinare, me rrugëtime të përshtatshme shpirtërore dhe me vëmendje ndaj zakoneve dhe gjuhëve të popujve. Në të njëjtën kohë, vura në dukje se si mentaliteti kolonizues, sot, paraqitet nën forma të ndryshme të kolonizimit ideologjik, të cilat kërcënojnë traditat, historinë dhe lidhjet fetare të popujve, duke rrafshuar dallimet, duke u fokusuar vetëm në të tashmen dhe shpesh duke lënë pas dore detyrimet ndaj më të dobëtëve dhe më të brishtëve. Prandaj, bëhet fjalë për të rikuperuar një ekuilibër të shëndoshë, për të rikuperuar harmoninë, që është më shumë se një ekuilibër, është tjetër gjë; të rikuperosh harmoninë mes modernitetit dhe kulturave stërgjyshore, ndërmjet shekullarizimit dhe vlerave shpirtërore. Dhe kjo thërret drejtpërdrejt misionin e Kishës, e dërguar në mbarë botën për të dëshmuar, për të “mbjellë” një vëllazëri universale që respekton dhe promovon përmasat vendase me pasuritë e veta të shumta (krh. Enc. Të gjithë vëllezër, 142-153). E kam thënë tashmë, por dua të ritheksoj falënderimet e mia për Autoritetet civile, për Guvernatorin e Përgjithshëm, për Kryeministrin, për Autoritetet lokale të vendeve ku kam shkuar: shumë falënderime për mënyrën se si kanë përkrahur realizimin e qëllimeve dhe gjesteve që kam përmendur. Dëshiroj të falënderoj Ipeshkvijtë mbi të gjitha për unitetin e episkopatit: realizimi i qëllimeve të Udhëtimit u bë i mundur sepse Ipeshkvijtë ishin të bashkuar dhe, ku ka unitet, mund të ecet përpara. Për këtë arsye, dua ta theksoj këtë dhe t’i falënderoj Ipeshkvijtë e Kanadasë për këtë unitet.

Dhe në shenjën e shpresës ishte takimi i fundit, në tokën e inuitëve, me të rinj e të moshuar. Dhe ju siguroj se në këto takime, sidomos në atë të fundit, më është dashur ta ndjej si shuplakë dhimbjen e atyre njerëzve: të moshuarve që humbën fëmijët dhe nuk dinin se ku kishin përfunduar, për shkak të kësaj politikeasimiluese. Ishte një moment shumë i dhimbshëm, por duhej tashihnim në fytyrë: duhet të përballemi hapur me gabimet tona, me mëkatet tona. Edhe në Kanada ky është një binom-kyç, të rinjtëdhe të moshuarit, është një shenjë e kohës: të rinj e të moshuar në dialog për të ecur së bashku në histori mes kujtesës dhe profecisë, të cilat pajtohen. Qëndrueshmëria dhe veprimi paqësor i popujve indigjenë të Kanadasë qoftë shembull për të gjitha popullatat origjinare që të mos mbyllen në vetvete, por të japin kontributin e tyre të domosdoshëm për një njerëzim më vëllazëror, i cili di tadojë krijimin dhe Krijuesin, në harmoni me krijimin, në harmoni me të gjithë ju.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme