7.5 C
Tirana
HomeKryesorMë 25 mars, Papa do t’ia kushtojë Rusinë e Ukrainën Zemrës së...
HomeKryesorMë 25 mars, Papa do t’ia kushtojë Rusinë e Ukrainën Zemrës së...

Më 25 mars, Papa do t’ia kushtojë Rusinë e Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Marisë

“Të premten, më 25 mars, gjatë Kremtimit të Pendesës, që do ta kryesojë në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku do t’ia kushtojë Rusinë dhe Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Marisë. I njëjti akt, në të njëjtën ditë, do të kryhet në Fatima nga kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar apostolik, i dërguar i Atit të Shenjtë”. Ky është njoftimi i dhënë pasditen e djeshme nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Për këtë kushtim u zgjodh dita e festës së Lajmërimit të Zotit. Lajmin e bën të ditur edhe Papa, përmes një postimi në Twitter, duke i ftuar njerëzit të luten për paqen.

Zoja, në dukjen e saj më 13 korrik 1917 në Fatima, kërkoi pikërisht t’i kushtohej Rusia Zemrës së saj të Papërlyer, duke pohuar se po të mos plotësohej kjo kërkesë, Rusia do të përhapte “gabimet e saj në mbarë botën, duke nxitur luftëra dhe persekutime kundër Kishës. Të mirët – shtonte Zoja e Bekuar – do të martirizohen, Ati i Shenjtë do të vuajë shumë, kombe të ndryshme do të shkatërrohen”. Pas dukjeve në Fatima, janë kryer akte të ndryshme kushtimi Zemrës së Papërlyer të Marisë: Papa Piu XII, më 31 tetor 1942, ia kushtoi gjithë botën, ndërsa më 7 korrik 1952 ia kushtoi popujt e Rusisë kësaj Zemre, me Letrën Apostolike “Sacro vergente anno”:

“Ashtu si disa vjet më parë ia kushtuam gjithë botën Zemrës së Papërlyer të Virgjërës, Nënës së Zotit, kështu tani, në një mënyrë tejet të veçantë, ia kushtojmë të gjithë popujt e Rusisë po asaj Zemre të Papërlyer”.

Papa shenjt Pali VI, më 21 nëntor 1964, e ripërtëriu kushtimin e Rusisë Zemrës së Papërlyer të Zojës, në praninë e Etërve të Koncilit II të Vatikanit. Papa Gjon Pali II, edhe ai shenjt, shkroi një lutje për atë, që e quajti “Akt i lëshimit në duart e Marisë” e që do të kremtohej në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, më 7 qershor 1981, në solemnitetin e Rrëshajëve. Ky, teksti:

“O Nëna e njerëzve dhe e popujve, Ti i njeh të gjitha vuajtjet dhe shpresat e tyre, Ti i ndjen si nënë të gjitha betejat ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet dritës dhe errësirës që trondisin botën, pranoje lutjen tonë, që i lartohet, në Shpirtin Shenjt, drejtpërdrejt zemrës Tënde e përqafoi me dashurinë e Nënës dhe të Shërbëtores së Zotit ata, që mezi e presin këtë përqafim, si edhe ata, besimin e të cilëve edhe Ti e pret në mënyrë të veçantë. Merre nën mbrojtjen Tënde amnore gjithë familjen njerëzore, të cilën, me gjithë shpirt, ta besojmë Ty, o Nënë. Ardhtë për të gjithë koha e paqes dhe e lirisë, koha e së vërtetës, e drejtësisë dhe e shpresës”.

Më pas, për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave të Zojës, Papa deshi ta kujtojë edhe një herë gjatë Vitit Shenjt të Shëlbimit aktin e kushtimit të 7 qershorit 1981, përsëritur në Fatima më 13 maj 1982. Në kujtim të “Fiat”, “PO”-së shqiptuar nga Maria në çastin e Lajmërimit të Zotit, më 25 mars 1984, në Sheshin e Shën Pjetrit, në bashkim shpirtëror me të gjithë ipeshkvijtë e botës, të njoftuar më parë, Gjon Pali II ia besoi të gjithë popujt Zemrës së Papërlyer të Marisë:

“Prandaj, o Nëna e njerëzve dhe e popujve, Ti që i njeh të gjitha vuajtjet dhe shpresat e tyre, Ti që i ndjen si nënë të gjitha betejat ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet dritës dhe errësirës, të cilat trondisin botën bashkëkohore, pranoje lutjen tonë, që, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, ia lartojmë drejtpërdrejt Zemrës Sate: përqafoje me dashurinë e Nënës dhe të Shërbëtores së Zotit, këtë botë tonën njerëzore, të cilën ta besojmë dhe ta kushtojmë, plot shqetësim për fatin tokësor e qiellor të njerëzve dhe të popujve. Sidomos, T’i besojmë dhe T’i kushtojmë ata njerëz dhe kombe, që kanë veçanërisht nevojë për këtë besim dhe kushtim”.

Në qershor të vitit 2000, Selia e Shenjtë bëri të njohur pjesën e tretë të sekretit të Fatimës. Kryeipeshkvi i atëhershëm Tarcisio Bertone, sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, theksoi se Motër Luçia, në një letër të vitit 1989, pati konfirmuar personalisht se ky akt kushtimi solemn dhe universal i përgjigjej kërkesës së Zojës: “Po, u bë ashtu siç e kërkoi Zoja, më 25 mars 1984”, shkroi atëherë vegimtarja.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme