13.5 C
Tirana
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: feja fiton pjekurinë nëse në qendër të saj është...
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: feja fiton pjekurinë nëse në qendër të saj është...

Papa në Angelus: feja fiton pjekurinë nëse në qendër të saj është Zoti, jo nevojat tona

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Skena e fillimit të Ungjillit në Liturgjinë e sotme (krh. Gjn 6,24-35), na paraqet disa varka që lëvizin drejt Kafarnaumit: turma po shkon të kërkojë Jezusin. Ne mund të mendojmë se është një gjë shumë e mirë, megjithatë Ungjilli na mëson se nuk është e mjaftueshme të kërkojmë Hyjin, duhet të pyesim veten edhe mbi motivin pse e kërkojmë atë. Në të vërtetë, Jezusi pohon: «Më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë» (rr. 26). Njëmend, njerëzit kishin qenë dëshmitarë të mrekullisë së shumimit të bukëve, por nuk ia kishin marrë kuptimin atij gjesti: ata kishin ngelur te mrekullia e jashtme, ishin ndalur te buka materiale: vetëm aty, pa shkuar më tej, te domethënia e saj.

Ja, atëherë pyetja e parë që të gjithë ne mund t’ia drejtojmë vetes: pse e kërkojmë Zotin? Pse unë e kërkoj Zotin? Cilat janë arsyet e fesë sime, e fesë sonë? Kemi nevojë të bëjmë dallim mbi këtë gjë, sepse, midis shumë tundimeve që kemi në jetë, midis shumë tundimeve, është një që mund ta quajmë tundimi i idhujtarisë. Ai na shtyn ta kërkojmë Hyjin për përdorimin dhe konsumin tonë, për të zgjidhur problemet, për të pasur, falë Tij, atë që nuk mund ta marrim vetë, për interes. Porse, në këtë mënyrë, feja mbetet sipërfaqësore dhe gjithashtu – ia lejoj vetes këtë fjalë – feja mbetet mrekullistike: e kërkojmë Hyjin për të na shuar urinë dhe pastaj e harrojmë atë kur jemi të ngopur. Në qendër të këtij besimi të papjekur nuk është Hyji, por janë nevojat tona. Mendoj për interesat tona, shumë gjëra … Është e drejtë t’i paraqesim nevojat tona para zemrës së Hyjit, por Zoti, i cili vepron fare përtej pritshmërive tona, para së gjithash, dëshiron të jetojë me ne një marrëdhënie dashurie. E dashuria e vërtetë është e painteres, është falas: nuk dashurojmë për të marrë një nder në këmbim! Ky është interes; dhe shumë herë në jetë ne kërkojmë interesin.

Pyetja e dytë mund të na sjellë dobi, ajo që turma i drejton Jezusit: «Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?» (rr. 28). Është sikur njerëzit, të provokuar nga Jezusi, të thoshin: «Si mund ta pastrojmë kërkimin tonë të Hyjit? Si të kalojmë nga një fe magjike, e cila mendon vetëm për nevojat vetjake, në një fe që i pëlqen Hyjit?». Jezusi na e tregon rrugën: ai përgjigjet se vepra e Hyjit është të pranojmë atë që Ati ka dërguar, domethënë të pranojmë vetë atë, Jezusin. Nuk është shtim i praktikave fetare apo respektim i urdhërimeve të veçanta; është pranimi i Jezusit, është pranimi i tij në jetë, është të jetuarit e një historie dashurie me Jezusin. Do të jetë Ai që e pastron fenë tonë. Me forcat tona nuk mundemi. Porse Zoti dëshiron të ketë një marrëdhënie dashurie me ne: të duam atë vjen para gjërave që marrim dhe bëjmë. Ekziston një marrëdhënie me të që shkon përtej logjikës së interesit dhe rënies së lapsit.

Kjo vlen në lidhje me Hyjin, por vlen gjithashtu edhe për marrëdhëniet tona njerëzore dhe shoqërore: kur kërkojmë përmbushjen e nevojave tona përmbi çdo gjë, rrezikojmë t’i përdorim njerëzit dhe t’i shfrytëzojmë situatat për qëllimet tona. Sa herë kemi dëgjuar nga ndonjë person: «Ky i përdor njerëzit dhe pastaj i harron ata». Përdorimi i njerëzve për përfitimin vetjak: kjo është e shëmtuar. Një shoqëri që në qendër vendos interesat në vend të njerëzve, është një shoqëri që nuk përfton jetë. Ftesa e Ungjillit është kjo: në vend që të shqetësohemi vetëm për bukën materiale që shuan urinë, le të pranojmë Jezusin si bukën e jetës dhe, duke u nisur nga miqësia jonë me të, të mësojmë të duam njëri-tjetrin; me falasshmëri dhe pa i rënë lapsit. Dashuri dhuruese dhe pa llogaritur, pa i përdorur njerëzit, me falasshmëri, me zemërgjerësi, me shpirtmadhësi.

Marrë nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme