Përmes një Motu Proprio Papa vendos se janë ipeshkvijtë të vetmit ata që autorizojnë Meshët me Mesharin e 1962-shit. Sidoqoftë, jo në kisha famullitare.
Papa ka vendosur rregulla të reja dhe më të rrepta për Meshët e kremtuara me Mesharin e 1962-shit. Moto Proprio “Traditionis custodes”, u botua sot, e premte 16 korrik, duke përditësuar normat e vendosura asokohe nga Benedikti XVI. Ndër risitë kryesore janë roli ekskluziv i ipeshkvit për të autorizuar përdorimin e Mesharit të para reformës liturgjike të vitit 1970, ndalimi i ngritjes së famullive të reja personale për këtë qëllim (dhe vlerësimi, gjithnjë nga ipeshkvi dioqezan, rreth volitshmërisë për mbajtjen e atyre tashmë ekzistuese), udhëzimi për të zgjedhur kisha jo famullitare për këto kremtime, caktimi i një prifti, ekspert në Mesharin “e vjetër” dhe i pajisur me një njohuri të mirë të latinishtes, për kujdesin baritor të këtyre grupeve dhe të krijimit të atyre të reja. Leximet duhet të bëhen në gjuhë moderne, pra jo në latinisht.
Më poshtë publikojmë rregullat që përmbahen në Motu Proprio, të lëshuara pas një konsultimi të gjerë të kryer nga Kongregata për Doktrinën e Fesë pranë ipeshkvijve, në vitin 2020.
- Nen. 1. Librat liturgjikë të shpallur nga Papët e shenjtë Pali VI dhe Gjon Pali II, në përputhje me dekretet e Koncilit II të Vatikanit, janë shprehja e vetme e lex orandi e Ritit Romak.
- Nen 2. I takon ipeshkvit dioqezan, si drejtues, përnxitës dhe mbikëqyrës i të gjithë jetës liturgjike në Kishën vendore që i është besuar atij, të rregullojë kremtimet liturgjike në dioqezën e vet. Prandaj, është kompetencë e tij ekskluzive të autorizojë përdorimin e Mesharit Romak të vitit 1962 në dioqezë, duke ndjekur udhëzimet e Selisë Apostolike.
- Nen. 3. Ipeshkvi, në dioqezat në të cilat deri më tani ekziston prania e një ose më shumë grupeve që kremtojnë sipas Mesharit të para reformës së vitit 1970:
- § 1. të sigurohet që grupe të tilla nuk përjashtojnë vlefshmërinë dhe legjitimitetin e reformës liturgjike, të caktimeve të Koncilit II të Vatikanit dhe të Magjisterit të Papëve;
- § 2. të tregojë një apo më shumë vende ku besimtarët, që u bashkohen këtyre grupeve, mund të mblidhen për kremtimin eukaristik (por jo në kisha famullitare dhe pa ngritur famulli të reja personale);
- § 3. të caktojë, në vendin e treguar, ditët në të cilat lejohen kremtimet eukaristike me përdorimin e Mesharit Romak, të shpallur nga shën Gjoni XXIII në vitin 1962. Në këto kremtime, leximet duhet të shpallen në gjuhën vendase, duke përdorur përkthimet e Shkrimit të shenjtë për përdorim liturgjik, të miratuara nga Konferencat Ipeshkvore përkatëse;
- § 4. të caktojë një prift i cili, si delegat i ipeshkvit, është përgjegjës për kremtimet dhe kujdesin baritor të grupeve të tilla të besimtarëve. Prifti të jetë i përshtatshëm për këtë detyrë, të jetë kompetent për të përdorur Mesharin Romak të para reformës së vitit 1970, të ketë atë njohuri të gjuhës latine që i lejon atij të kuptojë plotësisht rubrikat dhe tekstet liturgjike, të jetë i gjallëruar nga një dashuri e gjallë baritore dhe nga ajo pikëpamje që kërkohet nga bashkimi kishtar. Njëmend është e nevojshme që prifti i ngarkuar me këtë detyrë të ketë në zemër jo vetëm kremtimin me dinjitet të liturgjisë, por edhe kujdesin baritor dhe shpirtëror të besimtarëve.
- § 5. mbi famullitë personale të ngritura në mënyrë kanonike për të mirën e këtyre besimtarëve, të kryejë një vlerësim të duhur sa i përket dobisë konkrete të tyre për rritjen shpirtërore dhe të vlerësojë nëse duhet t’i mbajë ato apo jo.
- § 6. do të ketë parasysh që të mos autorizojë themelimin e grupeve të reja.
Nen. 4. Presbiterët e urdhëruar pas botimit të këtij Motu Proprio, të cilët kanë ndërmend të kremtojnë me Mesharin Romak të 1962-shit, duhet t’i paraqesin një kërkesë zyrtare Ipeshkvit dioqezan i cili do të konsultohet me Selinë Apostolike përpara se të japë autorizimin.
Nen. 5. Presbiterët që tashmë kremtojnë sipas Mesharit Romak të 1962-shit do t’i kërkojnë ipeshkvit dioqezan autorizim për të vazhduar përdorimin e kësaj të drejte.
Nen. 6. Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, të ngritura asokohe nga Komisioni Papnor Ecclesia Dei kalojnë nën kompetencën e Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.
Nen. 7. Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve dhe Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, për çështjet brenda kompetencës së tyre, do të ushtrojnë autoritetin e Selisë së Shenjtë, duke mbikëqyrur respektimin e këtyre dispozitave .
Nen. 8. Normat, udhëzimet, lejimet dhe zakonet e përparshme, që nuk janë në përputhje me dispozitat e këtij Motu Proprio, shfuqizohen.
Motu Proprio do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Osservatore Romano.
Në një letër dërguar të gjithë ipeshkvijve, Papa shpjegon motivet e rregullave të reja. Në të vërtetë, ai kujton arsyet që çuan shën Gjon Palin II dhe Benediktin XVI në dhënien e mundësisë për të përdorur Mesharin Romak të shpallur nga shën Piu V, botuar nga shën Gjoni XXIII në 1962-shin, për kremtimin e Flisë Eukaristike. Domethënë “vullneti për të favorizuar ribashkimin e skizmës me lëvizjen e udhëhequr nga Mons. Lefebvre”. Sidoqoftë, 13 vjet më vonë u vërejt se mundësia, shkruan Papa, «është përdorur për të rritur distancat, për të forcuar dallimet, për të ngritur kundërshtime që dëmtojnë Kishën dhe pengojnë ecjen e saj, duke e ekspozuar atë para rrezikut të ndarjeve. Unë jam po aq i brengosur në shpirt nga abuzimet e njërës dhe tjetrës palë në kremtimin e liturgjisë. Jo më pak më trishton – vijon Papa – një përdorim instrumentalizues i Mesharit Romak të 1962-shit, i karakterizuar gjithnjë e më shumë nga një refuzim në rritje, jo vetëm i reformës liturgjike, por i Koncilit II të Vatikanit, me pohimin e pabazuar dhe të paqëndrueshëm se e ka tradhtuar Traditën dhe “Kishën e vërtetë”». Motivimi themelor është, pra, të nxisë dhe rivendosë unitetin e lutjes në Kishë.
Marrë nga Avvenire
Mond MARKU