Nga Motër Roza Syku
Po ju marr pak minuta sepse kam një arsye të fortë për të falënderuar Zotin dhe ju.
Ky përvjetor ka një shije të veçantë falënderimi për dhuratën e jetës. Jeta është dhuratë prej Zotit, pastaj na takon ne se si dhe ku e jetojmë, në familje apo në jetën e kushtuar.
Janë plot 25 vite nga kushtimi i parë, ishte viti 1997.
Po kujtoj pak zanafillën e thirrjes.
Sapo mbaroi diktatura komuniste, priftërinjtë e mbijetuar u vunë menjëherë në shërbim, ndër ta qe edhe P. Anton Luli. Një ditë pas Meshe në pallatin e kulturës në Shënkoll na shpërndanë ungjillin e Gjonit në shqip; një libret i vogël që unë sapo shkova në shtëpi e lexova me një frymë. Me preku shumë. Të dielën e ardhshme pas Meshës, i them nënës me prit pak, dua të flas me pader Lulin. I thashë: a ekzistojne gra qe i kushtohen Zotit? Ai m’u pergjigj: po, por duhet të presësh sa te vijnë misionaret. Nëna më tha: çfarë fole me pader Lulin? I tregova të vërtetën, dua ti kushtohem Zotit. Ajo që më njihte mirë dhe sa egoiste dhe lojcake që isha më përgjigjet: “Mos e ban me njet se duhet ta mbash nijetin, e ti nuk ke me qene e zonja ta mbajsh”.
Me lër ta provoj i them nënës, po, do jem shumë e lumtur nëse një vajzë e imja do i kushtohej Zotit, unë do lutem për ty. Kurse baba më është përgjigjur, pse dëshiron të vuash, tani që na erdhi koha e lirisë, ti mund të martohesh e të krijosh familjen tande të bukur, por gjithsesi unë nuk të them as po as jo, bëje vetë zgjidhjen tënde, nese një ditë do të pendohesh derën e ke të hapur. Kështu fillova ecjen me bekimin e prindërve të mi.
Qe ajo dite e vendimit, në jetën time kanë kaluar vite gëzimi, angazhimi, lodhje, mundime edhe dyshime plot, o Zot a thua është ky vullneti yt? Zoti nëpërmjet personave me dërgonte mesazhin e tij që po, ec përpara.
Një mesazh i fortë me erdhi këtë vit. Kur je mirë, me shëndet të plotë, të gjithë të admirojnë për punën që bën, ndjen kënaqësi dhe shtysë të fortë të ecësh përpara, por kur jeta të vë në kryq atëherë është në lojë thirrja jote. Janë në lojë miqtë e tu, ata që me të vërtetë i ke dashur dhe të kanë dashur. Atëherë të del nga shpirti thirrja, u bëftë mbi mua vullneti yt.
Në tetor më zbulohet tumori në mushkëri, nëpërmjet Dr. Natale Capodicasa që më drejton tek një specialist mjek dhe pas shumë analizave identifikohet mirë sëmundja dhe se kishte avancuar, ai me mjekun specialist të Tiranës këshillojnë motrat që të më dërgojnë në Itali. Në Itali mjekët duke parë gjendjen e rëndë, më morën në kurim për mëshirë. Zoti edhe këtu e kishte një plan, se sa unë mund t’i besohem Atij. Kam eksperimentuar shumë shumë solidaritet, afrimitet, dashuri që Zoti po e çonte përmes njerëzve të mirë. Nuk mund t’i përmend të gjithë se janë shumë, por disa në emër të të gjithëve dua t’i falënderoj.
Falenderoj Padër Antonio Leuci dhe konsullen e ambasadës italiane Doktoreshe Mara Vastano që mundësuan për një orë nisjen në Itali.
Falenderoj motër Carla Meschini që më priti dhe më qëndroi aq afër çdo ditë dhe infermieren motër Gesualden që la motrën e vet në reanimacion, që të vinte me mua në spital dhe vrapoi aq shumë pas mjekeve dhe spitalit.
Falenderoj mjekët e spitalit Paskal Napoli, dua të përmend Doktoreshë Anjeza Montanino që ka qarë nga gëzimi kur ka parë skanerin e fundit që tumori ishte pothuajse zhdukur.
Falenderoj motër Magden, motër Edin qe vrapuan me mua dhe çuan përpara veprën pa u ndjerë mungesa ime.
Falenderoj Florenc Markun nga Shkodra me bujarinë e tij me ka ndihmuar nga ana financiare, dhe unë e them gjithmonë, nuk jep xhepi por zemra, është ai që shumë herë sillte makinën me ushqime për familjet e varfra këtu, dhe thoshte: “Nuk vjen asgjë nga qielli, motrat ndihmojnë sepse dikush i ndihmon”.
Falenderoj të gjitha motrat saleziane në Itali ispetriçen Sr. Ausilia, këshillin ispetorial dhe motrat e bashkësisë së Napolit. Motrat këtu në Shqipëri që nuk u lodhen duke u lutur dhe duke u interesuar se si unë po shkoja me kurën.
Falenderoj bashkëvëllezërit salesian në Shqipëri dhe Itali, inspetorin që së bashku me një grup vëllezërish erdhën të më takojnë e të më inkurajojnë, dua të përmend edhe don Bledar Huba, fjalët e tij ngushëlluese që me shkruan: “Jam pa fjalë, por Zoti i sprovon ata që i do. Dorëzohu Atij, përjeto gjithçka me qetësi, të shoqëroj me lutjen time”.
Falenderoj dioqezën time të Lezhës, motrat, priftërinjtë, janë të shumtë për t’i përmendur për lutjet dhe mbështetjen shpirtërore, për telefonatat, mesazhet që më dërgonin. Dhe këtu dua të përmend Mons. Ottavio Vitale si baba i mirë, si bari që kujdeset për delet e tij, sapo e ka marr vesh për sëmundjen time, ka ardhur të më takojë dhe më ka telefonuar disa herë, më ka ngushëlluar, dhe sa kam ardhur, ka ardhur përsëri të më takojë, një gjest që nuk ka për t’u harruar.
Falenderoj Dr. Arben Gjonaj dhe Kardinal Ernest Simoni (Troshani) që sa e kanë marrë vesh për 5 muaj rresht çdo natë dr. Beni më lidhte në telefon për lutje saqë unë një natë i them: Doktori Beni, më duket se është vullneti i Zotit që unë të iki, mos e lodh më kardinalin, ai më përgjigjët: motër, Zoti kur sheh lutjet tona, Ai mund ta ndryshojë vullnetin e Tij.
Falenderoj familjen time, babën, motrat, nipat, mbesat te gjithë kushërinjtë janë të shumtë, që janë bërë të pranishëm dhe janë lutur shumë.
Falenderoj edhe ata në qiell, nënën dhe nipin Nikolinin e di se janë afër Zotit dhe janë lutur për mua.
Falenderimin e fundit e kam lëne për te rinjtë dhe fëmijët e oratorit, familjet e Tale Bregdet ku Zoti më dërgoi para 7 viteve në shërbim. Më ka prekur shumë gjesti i tyre që besoj se ka prekur edhe zemrën e Zotit, mama e Fiorit e Almesianos, Alketa Karaçi, që disa herë ka ofruar Meshë për mua, dhe të rinjtë animatore Alberti, Flora, Xheni, Rozarta, Mimoza, vajzat e shkollës së mesme e shumë të tjerë, dhe fëmijët janë lutur pa pushim, saqë disa herë u kthenin nga shkolla dhe thonin: kemi ardhur për t’u lutur për motër Rozën. Janë fëmijët dhe te rinjtë e korit që sot e gjallëruan këtë kremtim.
Mund të përdor fjalët e Don Boskos: jeni të gjithë hajdutë, më keni vjedhur zemrën, por s’ka problem që tani e tutje komplet jeta ime, edhe frymëmarrja e fundit do të jepet për ju!
Motër Teuta me shkruan cilit shenjtë do që t’i lutemi në mënyrë të veçantë? I thashë: Zojës, vetëm Zojës Mari.
Kisha në mendje thënien e Don Boskos: besojeni Zojës jetën tuaj dhe do shihni mrekulli.
Faleminderit të gjithëve, lutjet tuaja kanë bërë të mundur këtë kremtim sot.