11.5 C
Tirana
HomeKISHTe burimet e lutjes
HomeKISHTe burimet e lutjes

Te burimet e lutjes

Kërkoni duke lexuar dhe do të gjeni duke medituar; trokitni duke u lutur dhe do t’ju hapet nga soditja.

Vijim i katekezave, në kuadër të Vitit kushtuar lutjes…

Shpirti Shenjt është «uji i gjallë», i cili, në zemrën që lutet, «rrjedh në jetën e pasosur». Është ai që na mëson ta marrim te vetë gurra: Krishti. Në jetën e krishterë ka burime ku Krishti na pret për të na ujitur me Shpirtin Shenjt (2652).

Fjala e Hyjit

2653 Kisha «nxit me forcë dhe ngulm të gjithë besimtarët […] që të përvetësojnë “njohjen e Jezu Krishtit” (Fil 3,8) me leximin e shpeshtë të Shkrimeve hyjnore […]. Por leximi i Shkrimit Shenjt duhet të shoqërohet nga lutja, në mënyrë që të mund të zhvillohet bashkëbisedimi midis Hyjit dhe njeriut; meqenëse “i flasim kur lutemi dhe e dëgjojmë kur lexojmë orakujt hyjnorë”» (Koncili II i Vatikanit, Kusht. dogm. Dei Verbum, 25) .

2654 Etërit e jetës shpirtërore, duke parafrazuar Mt 7,7, i përmbledhin kështu qëndrimet shpirtërore të zemrës së ushqyer nga Fjala e Hyjit në lutje: «Kërkoni duke lexuar dhe do të gjeni duke medituar; trokitni duke u lutur dhe do t’ju hapet nga soditja» (Guigo Çertozini, Scala claustralium 2).

Liturgjia e Kishës

2655 Misioni i Krishtit dhe i Shpirtit Shenjt që, në liturgjinë sakramentale të Kishës, kumton, bën të pranishëm dhe përcjellë misterin e shpëtimit, vazhdon në zemrën që lutet. Etërit e jetës shpirtërore ngandonjëherë e krahasojnë zemrën me një altar. Lutja brendëson dhe përvetëson liturgjinë gjatë dhe pas kremtimit të saj. Edhe kur jetohet «në fshehtësi» (Mt 6,6), lutja është gjithmonë lutje e Kishës, është bashkim me të Shenjtërueshmen Trini.

Virtytet teologale

2656 Në lutje hyhet ashtu siç hyhet në liturgji, nëpër portën e ngushtë të fesë. Nëpërmjet shenjave të pranisë së saj, është fytyra e Zotit që kërkojmë dhe dëshirojmë, është Fjala e tij që duam të dëgjojmë dhe të ruajmë.

2657 Shpirti Shenjt, që na mëson të kremtojmë liturgjinë në pritjen e kthimit të Krishtit, na edukon të lutemi në shpresë. Nga ana e tyre, lutja e Kishës dhe lutja personale ushqejnë te ne shpresën. Psalmet, në mënyrë shumë të veçantë, me gjuhën e tyre konkrete dhe të pasur, na mësojnë të ngulim shpresën tonë në Hyjin: «Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin dhe ai u prir drejt meje» (Ps 40,2). «Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj që, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kurrë të mos ju mungojë shpresa» (Rom 15,3).

2658 «Shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua» (Rom 5,5). Lutja, e formuar nga jeta liturgjike, merr gjithçka te dashuria me të cilën jemi dashur në Krishtin dhe që na lejon t’i përgjigjemi duke dashur ashtu siç na ka dashur ai. Dashuria është burimi i lutjes; kush merr aty, prek kulmin e lutjes:

«Ju dua, o Hyji im, dhe dëshira ime e vetme është t’ju dua deri në frymën e fundit. Ju dua, o Hyji im pambarimisht i dashur, dhe pëlqej më fort të vdes duke ju dashur sesa të jetoj pa ju dashur. Ju dua, o Hyj, dhe i vetmi hir që kërkoj është që t’ju dua përjetësisht. […] Hyji im, po qe se gjuha ime nuk mund ta përsërisë, çdo çast, se ju dua, dua që zemra ime t’jua përsërisë sa herë që marr frymë» (Shën Gjon Maria Vianei, Oratio).

«Sot»

2659 Ne mësojmë të lutemi në çaste të veçanta, kur dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe kur marrim pjesë në misterin e tij pashkor. Por Shpirti i tij na jepet në çdo kohë dhe në punët e çdo dite, në mënyrë që të bëjë të burojë lutja. Mësimi i Jezusit mbi lutjen drejtuar Atit tonë është në të njëjtën linjë me atë të provanisë: koha është në duart e Atit. Ne e takojmë atë në të tashmen: as dje, as nesër, por sot: «Dëgjoni sot zërin e tij: “Mos e bëni zemrën tuaj gur”» (Ps 95,8).

2660 Të lutesh në ngjarjet e çdo dite dhe të çdo çasti është një ndër të fshehtat e Mbretërisë, që u është zbuluar «të vegjëlve», shërbëtorëve të Krishtit dhe të varfërve të lumnive. Është gjë e mirë dhe e drejtë të lutesh që ardhja e mbretërisë së drejtësisë dhe paqes të ndikojë ecjen e historisë, por është po aq e rëndësishme «të mbrush» me anë të lutjes situatat e përditshme të përvuajtura. Të gjitha format e lutjes mund të jenë ai tharm me të cilin Zoti krahason Mbretërinë .

Vijon në numrin e ardhshëm

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme