23.5 C
Tirana
HomeKISHPAPA QË PO VJEN
HomeKISHPAPA QË PO VJEN

PAPA QË PO VJEN

Imzot Gjergj Meta
President i KISH

Nesër Kardinalët që kanë të drejtë të zgjedhin Papën, do të hyjnë në ditën e tyre të parë të konklavës. Do të hyjnë duke kënduar Litanitë e Shenjtërve, duke thirrur në ndihmë edhe Kishën e qiellit e më pas “Veni creator Spiritus!”, lutja që ne të krishterët i bëjmë Shpirtit Shenjtë i cili na udhëheq drejt së vërtetës, na bashkon e na frymëzon.

Riti që zhvillohet brenda mureve të Kapelës Sikstine, nën pikturën madhështore të Gjykimit Universal të Mikelanxhelos, është sa i vjetër aq edhe i ri. Është farkëtuar e përmirësuar në procedurat e tij përgjatë shekujve, deri edhe me Papa Benediktin XVI. Ky i fundit me letrën e tij Normas Nonullas (23 shkurt 2013) sjell disa ndryshime në Kushtetutën apostolike të Gjon Palit II, Universi Dominici Gregis (22 shkurt 1996). Papa Françesku nuk ka bërë asnjë ndryshim.

Tashmë personeli ndihmës ka bërë betimin e mbajtjes së sekretit të asaj që do të ndodhë në konklavë. Vetëm Papa i ardhshëm ose çdo Papë tjetër mund t’i zgjidhë nga ky betim. Sot edhe Kardinalët do të bëjnë të njëjtën gjë. Por ata do të betohen edhe kur të hedhin votën e tyre. Secili, ndërsa hedh votën, do të thotë: “Thërras si dëshmitar Krishtin Zot, i cili do të më gjykojë, se vota ime i është dhënë atij që sipas Hyjit, mendoj se duhet zgjedhur”. Solemniteti nuk mungon. Në thjeshtësinë e tij ky solemnitet është madhështor.

Kushedi çfarë kanë në mendje dhe në zemër secili prej Kardinalëve që do të hyjnë në konklavë. Vetëm Zoti e di. Por një gjë është e sigurtë. Papa Françesku ka krijuar një kolegj kardinalësh shumë heterogjen. Nga çdo cep i botës e nga çdo etni, mendësi apo bindje. E secili prej tyre sjell ndjeshmëri nga vendet ku vijnë, nga problemet, sfidat dhe dhuntitë e popujve që përfaqësojnë. Papa që do zgjidhet me siguri do të mbartë ngjyrat e shpresës dhe të pritshmërive më të larmishme të mundshme.

Fakti që mediat po merren gjërësisht me këtë gjë, prej shumë ditësh, do të thotë se interesi është i madh edhe për botën. Me siguri që po. Papa që iku dhe ai që do të vijê kanë një fjalë edhe për botën, për paqen në kohë konfliktesh dhe luftërash, për varfërinë dhe të mënjanuarit e kohës tonë, në mënyrë që Ungjilli të jetë sa më i mishëruar në realitetin e botës.

Ne që jemi jashtë konklavës shoqërojmë heshtjen e tyre me lutjen tonë. Një Papë nuk është një monark e as një udhëheqës politik. Ai është një bari, një peshkatar, një dashurues i Zotit, një mëkatar i rehabilituar nga mëshira e Hyjit (Gjn 21). Ai është një vëlla i madh që përforcon vëllezërit e tij në fe kur ata çalojnë (Lk 22, 31-32).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme