11.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Shqyrtimi është i lodhshëm, por i domosdoshëm për jetën e...
HomeKryesorPapa Françesku: Shqyrtimi është i lodhshëm, por i domosdoshëm për jetën e...

Papa Françesku: Shqyrtimi është i lodhshëm, por i domosdoshëm për jetën e secilit 

Filloi keshtu një cikël i ri katekizimi, në të cilin Papa Françesku do të reflektojë mbi temën e aftësisë dalluese. Njohuria, përvoja, dashuria, vullneti janë disa nga pjesët përbërëse, që e karakterizojnë këtë gur themeli të përshpirtërisë injaciane, e cila kërkon marrëdhënie bijsh me Zotin. Zgjedhja është fryt i lirisë dhënë njeriut: “Ti mund ta bësh tokën kopsht të mrekullueshëm – kujtoi Papa – ose shkretëtirë ku ‘kullot vdekja’”.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi dallimin: 1. Çfarë do të thotë të bësh dallim?

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Fillojmë sot një cikël të ri katekezash: kemi përfunduar katekezat mbi pleqërinë, tani fillojmë një cikël të ri mbi temën e dallimit [shoshitjes]. Të bësh dallim është një akt i rëndësishëm që na përket të gjithëve, sepse zgjedhjet janë një pjesë thelbësore e jetës. Të bësh dallim mbi zgjedhjet. Zgjedhim një ushqim, një veshje, një rrugëtim studimi, një punë, një marrëdhënie. Në të gjitha këto, konkretizohet një plan jete, konkretizohet edhe marrëdhënia jonë me Hyjin.

Në Ungjill, Jezusi flet për dallimin me figura të marra nga jeta e zakonshme; për shembull, përshkruan peshkatarët që përzgjedhin peshqit e mirë dhe flakin të këqijtë; ose tregtari që di të spikasë, mes shumë perlave, atë me vlerën më të madhe. Ose ai që, duke lëruar një arë, ndesh në diçka që rezulton thesar (krh. Mt 13,44-48).

Në dritën e këtyre shembujve, dallimi paraqitet si një ushtrim i inteligjencës, dhe gjithashtu i zotësisë dhe i vullnetit, për të kapur momentin e duhur: këto janë kushtet për të bërë një zgjedhje të mirë. Duhet inteligjencë, zotësi dhe gjithashtu vullnet për të bërë një zgjedhje të mirë. Kërkohet gjithashtu një kosto në mënyrë që dallimi të bëhet veprues. Për të kryer punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, peshkatari merr parasysh mundin, netët e gjata të kaluara në det dhe më pas faktin e hedhjes së një pjese të peshkut të zënë, duke pranuar një humbje të fitimit për të mirën e atyre të cilëve u destinohet. Tregtari i perlave nuk ngurron të shpenzojë gjithçka për ta blerë atë perlë; dhe po ashtu bën edhe njeriu që ka hasur në një thesar. Situata të papritura, të paplanifikuara, ku është thelbësore të njihet rëndësia dhe urgjenca e një vendimi që duhet marrë. Vendimet duhet t’i marrë secili; nuk ka njeri tjetër që i merr për ne. Në një moment të caktuar të rriturit, të lirë, mund të kërkojnë këshilla, të mendojnë, por vendimi është i tyre; nuk mund të thuhet: “Këtë e kam humbur, sepse ka vendosur burri im, ka vendosur gruaja ime, ka vendosur vëllai im”: jo! Ti duhet të vendosësh, secili prej nesh duhet të vendosë, dhe për këtë arsye është e rëndësishme të dimë të dallojmë: për të vendosur mirë është e nevojshme të dimë të dallojmë.

Ungjilli sugjeron një aspekt tjetër të rëndësishëm të dallimit: ai përfshin afektet [ndjeshmërinë]. Kush e ka gjetur thesarin nuk e ndjen vështirësinë për të shitur gjithçka, aq i madh është gëzimi i tij (krh. Mt 13,44). 

Termi i përdorur nga Mateu ungjilltar tregon një gëzim shumë të veçantë, të cilin nuk mund ta japë asnjë realitet njerëzor; dhe, njëmend, rikthehet në shumë pak pasazhe të tjera të Ungjillit, të cilat të gjitha i referohen takimit me Hyjin. Është gëzimi i Dijetarëve kur, pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, e shohin sërish yllin (krh. Mt 2,10); gëzimi, është gëzimi i grave që kthehen nga varri i zbrazët pasi kanë dëgjuar kumtimin e engjëllit për ngjalljen (krh. Mt 28,8). Është gëzimi i atyre që kanë gjetur Zotin. Marrja e një vendimi të mirë, një vendimi të drejtë, të çon gjithmonë në atë gëzim përfundimtar; ndoshta gjatë rrugës duhet të vuash pak pasiguri, të mendosh, të kërkosh, por në fund vendimi i drejtë të sjell gëzim.

Në gjykimin e fundit, Hyji do të kryejë një dallim – dallimi i madh – ndaj nesh. Figurat e bujkut, peshkatarit dhe tregtarit janë shembuj të asaj që ndodh në Mbretërinë e qiellit, një Mbretëri që shfaqet në veprimet e zakonshme të jetës, të cilat kërkojnë marrjen e një qëndrimi. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të dish të dallosh: zgjedhjet e mëdha mund të lindin nga rrethana që në pamje të parë janë dytësore, por që rezultojnë të jenë vendimtare. Për shembull, le të mendojmë për takimin e parë të Andreut dhe Gjonit me Jezusin, një takim që lind nga një pyetje e thjeshtë: “Mësues, ku banon?” – “Ejani e shihni” (krh. Gjn 1,38-39), thotë Jezusi. Një shkëmbim shumë i shkurtër, por është fillimi i një ndryshimi që, hap pas hapi, do të shënojë gjithë jetën. Vite më vonë, Ungjilltari do të vazhdojë ta kujtojë atë takim që e ndryshoi atë përgjithmonë, do ta kujtojë edhe orën: “Ishte rreth katër pasdite” (rr. 39). Është ora në të cilën koha dhe e përjetshmja janë takuar në jetën e tij. Dhe, në një vendim të mirë e të drejtë, takohet vullneti i Hyjit me vullnetin tonë; takohet ecja aktuale me të përjetshmen. Marrja e një vendimi të drejtë, pas një rruge dallimi, është të bësh këtë takim: të kohës me të përjetshmen.

Prandaj: dija, përvoja, afektet, vullneti: këto janë disa elemente të domosdoshme të dallimit. Gjatë këtyre katekezave do të shohim edhe të tjera, po aq të rëndësishme.

Dallimi – siç thashë – bashkëmbart një mundim. Sipas Biblës, ne nuk gjejmë para nesh, tashmë të paketuar, jetën që duhet ta jetojmë: jo! Duhet ta vendosim në vazhdimësi, sipas realiteteve që vijnë. Hyji na fton të vlerësojmë dhe të zgjedhim: na ka krijuar të lirë dhe do që ne ta ushtrojmë lirinë tonë. Për këtë arsye, të bësh dallim është kërkuese.

Ne e kemi bërë shpeshherë këtë përvojë: zgjedhja e diçkaje na është dukur mirë, por në fakt nuk ishte e tillë. Ose rasti kur e kemi ditur se cila ishte e mira jonë e vërtetë dhe nuk e kemi zgjedhur atë. Ndryshe nga kafshët, njeriu mund të gabojë, ai mund të mos dëshirojë të zgjedhë në mënyrë korrekte dhe Bibla e tregon këtë që në faqet e para. Hyji i jep njeriut një udhëzim të saktë: nëse dëshiron të jetosh, nëse dëshiron ta shijosh jetën, mos harro se je një krijesë, se nuk je ti kriteri i së mirës dhe së keqes dhe se zgjedhjet që bën do të kenë një pasojë, për ty, për të tjerët dhe për botën (krh. Zan 2,16-17); mund ta bësh tokën një kopsht të mrekullueshëm ose mund ta bësh atë një shkretëtirë vdekjeje. Një mësim themelor: nuk është rastësi që është dialogu i parë midis Hyjit dhe njeriut. Dialogu është: Zoti të jep misionin, ti duhet të bësh këtë e këtë; dhe njeriu, në çdo hap që bën, duhet të dallojë se cilin vendim të marrë. Dallimi është ai reflektim i mendjes, i zemrës që ne duhet ta bëjmë përpara se të marrim një vendim.

Dallimi është i mundimshëm, por i domosdoshëm për të jetuar. Kërkon që ta njoh veten time, që të di se çfarë është e mirë për mua këtu dhe tani. Mbi të gjitha, kërkon një marrëdhënie birnore me Hyjin. Hyji është Atë dhe nuk na lë vetëm, ai është gjithmonë i gatshëm të na këshillojë, të na inkurajojë, të na mirëpresë. Por ai kurrë nuk e imponon vullnetin e tij. Përse? Sepse ai dëshiron të duhet e jo të kihet frikë. Dhe Hyji do gjithashtu të jemi bij e jo skllevër: bij të lirë. Dhe dashuria mund të jetohet vetëm në liri. Për të mësuar si të jetosh, duhet të mësosh të duash, dhe për këtë gjë është e nevojshme të bësh dallim: çfarë mund të bëj tani, përballë kësaj alternative? Qoftë një sinjal i më shumë dashurie, më shumë pjekurie në dashuri. Le të kërkojmë që Shpirti Shenjt të na udhëheqë! Ta thërrasim atë çdo ditë, veçanërisht kur duhet të bëjmë zgjedhje. Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme