11.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Mësoni ta dëshmoni Krishtin edhe në dobësinë e pleqërisë
HomeKryesorPapa Françesku: Mësoni ta dëshmoni Krishtin edhe në dobësinë e pleqërisë

Papa Françesku: Mësoni ta dëshmoni Krishtin edhe në dobësinë e pleqërisë

Duke e fokusuar katekezën e tij në Audiencën e Përgjithshme në bisedën që Jezusi pati me Pjetrin në fund të Ungjillit të Gjonit (21:15-23), Papa Françesku reflektoi mbi humbjen graduale të forcës fizike me kalimin e moshës, për të cilën ai tha se ofron një shans për të fillojë një mënyrë të re për të ndjekur Krishtin.

Ai vuri në dukje se marrëdhënia e Pjetrit me Jezusin ishte e butë, e drejtpërdrejtë, e lirë dhe e hapur, por jo melankolike: «një marrëdhënie në të vërtetën».

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 15. Pjetri dhe Gjoni

Të dashur vëllezër dhe motra, mirë se erdhët dhe mirëdita!

Në rrugëtimin tonë të katekezave mbi pleqërinë, sot, ne meditojmë mbi dialogun midis Jezusit të ngjallur dhe Pjetrit, në fund të Ungjillit të Gjonit (21.15-23). Është një bisedë prekëse, ku zbulohet e gjithë dashuria e Jezusit për dishepujt e tij, dhe gjithashtu humanizmi sublim i marrëdhënies së tij me ta, veçanërisht me Pjetrin: një marrëdhënie dashamirëse, por jo e pakripë, e drejtpërdrejtë, e fortë, e lirë, e hapur. Një marrëdhënie prej burrash dhe në të vërtetën. Kështu, Ungjilli i Gjonit, kaq shpirtëror, aq i lartë, mbyllet me një kërkesë që të prek thellë dhe një ofertë dashurie mes Jezusit dhe Pjetrit, e cila ndërthuret, fare natyrshëm, me një diskutim mes tyre. Ungjilltari na paralajmëron: ai dëshmon vërtetësinë e fakteve (krh. Gjn 21,24). Dhe pikërisht në to duhet kërkuar e vërteta.

Mund të shtrojmë pyetjen: a jemi të aftë ta ruajmë qëndrimin e kësaj marrëdhënieje të Jezusit me dishepujt, sipas stilit të tij kaq të hapur, kaq të çiltër, kaq të drejtpërdrejtë, kaq të njëmendtë nga ana njerëzore? Si është marrëdhënia jonë me Jezusin? A është kështu, si ajo e apostujve me të? A nuk jemi të tunduar, në të vërtetë, shumë shpesh, që ta mbyllim dëshminë e Ungjillit në guaskën e një zbulese “të sheqerosur”, së cilës i shtojmë nderimin tonë të rastit? Ky qëndrim, i cili duket se është respekt, në fakt na largon nga Jezusi i vërtetë, madje bëhet një rast për një ecje feje shumë abstrakte, shumë vetë-referenciale, shumë mondane, që nuk është rruga e Jezusit. Jezusi është Fjala e Hyjit që u bë njeri, dhe Ai sillet si njeri, na flet si njeri, Hyj-njeri. Me këtë butësi, me këtë miqësi, me këtë afërsi. Jezusi nuk është si ai imazhi i zbukuruar i figureve të vogla, jo: Jezusi është i dorës sonë, ai është pranë nesh.

Gjatë diskutimit të Jezusit me Pjetrin, gjejmë dy pasazhe që lidhen pikërisht me pleqërinë dhe kohëzgjatjen: koha e dëshmimit, koha e jetës. Hapi i parë është paralajmërimi i Jezusit drejtuar Pjetrit: kur ishe i ri ishe i vetë-mjaftueshëm, kur të plakesh nuk do të jesh më padroni i vetvetes dhe i jetës sate. Ma thoni mua që më duhet të eci me karrige me rrota, eh! Mirëpo, është kështu, jeta është kështu: me pleqërinë të vijnë të gjitha këto sëmundje dhe duhet t’i pranojmë ashtu siç vijnë, apo jo? Nuk kemi forcën e të rinjve! Edhe dëshmia jote – thotë Jezusi – do të shoqërohet me këtë dobësi. Ti duhet të jesh dëshmitar i Jezusit edhe në dobësi, në sëmundje dhe në vdekje. Ekziston një pasazh i bukur nga Shën Injaci i Lojolës, i cili thotë: «Ashtu si në jetë, edhe në vdekje, ne duhet të dëshmojmë si dishepuj të Jezusit». Fundi i jetës duhet të jetë fund jete prej dishepulli: dishepulli të Jezusit, sepse Zoti na flet gjithmonë sipas moshës që kemi. Ungjilltari shton komentin e tij, duke shpjeguar se Jezusi aludoi për dëshminë e skajshme, atë të martirizimit dhe vdekjes. Por ne mund ta kuptojmë gjithnjë mirë domethënien e këtij paralajmërimi edhe më në përgjithësi: Ndjekja [sekuela] jote do të duhet të mësojë të udhëzohet dhe formohet nga brishtësia jote, pafuqia jote, nga varësia jote ndaj të tjerëve, madje edhe në të veshur e në të ecur. Por ti «më ndiq mua» (rr. 19). Ndjekja e Jezusit shkon gjithmonë para, në shëndet të mirë, në shëndet jo të mirë, në vetë-mjaftueshmëri dhe në jo vetë-mjaftueshmëri fizike, por ndjekja e Jezusit është e rëndësishme: Jezusi duhet ndjekur gjithmonë, në këmbë, duke vrapuar, ngadalë, në karrige me rrota, por atë ndiqeni gjithmonë. Urtia e ndjekjes duhet të gjejë rrugën për të qëndruar në dëshmimin e fesë – kështu përgjigjet Pjetri: «Zotëri, ti e di se të dua» (rr. 15.16.17) – edhe në kushtet e kufizuara të dobësisë dhe pleqërisë. Mua më pëlqen të flas me të moshuarit duke i parë në sy: ata kanë asi sysh të ndritshëm, ata sy që të flasin më shumë se fjalët, kanë dëshminë e një jete. Dhe kjo është e bukur, duhet ta ruajmë deri në fund. Ta ndjekim Jezusin kështu, plot me jetë.

Kjo bisedë mes Jezusit dhe Pjetrit përmban një mësim të çmuar për të gjithë dishepujt, për të gjithë ne besimtarët. Dhe gjithashtu për të gjithë të moshuarit. Të mësojmë nga brishtësia jonë për të shprehur koherencën e dëshmisë sonë të jetës në kushtet e një jete të mirëbesuar kryesisht të tjerëve, të varur kryesisht nga nisma e të tjerëve. Me ardhjen e sëmundjes, të pleqërisë, varësia shtohet dhe nuk jemi më të vetëmjaftueshëm si dikur; varësia nga të tjerët rritet dhe feja piqet edhe atje, edhe atje Jezusi është me ne, edhe aty rrjedh ajo pasuri e fesë e jetuar mirë gjatë rrugëtimit të jetës.

Por përsëri duhet ta pyesim veten: a e kemi një përshpirtëri përnjëmend të aftë për të interpretuar stinën – tashmë të gjatë dhe të kudogjendur – të kësaj kohe të dobësisë sonë që i është besuar të tjerëve, më tepër sesa fuqisë së autonomisë sonë? Si t’i qëndrojmë besnikë sekuelës [ndjekjes së Jezusit] së jetuar, dashurisë së premtuar, drejtësisë së kërkuar në kohën e aftësisë sonë për nisma, në kohën e brishtësisë, në kohën e varësisë, të lamtumirës, në kohën e largimit nga protagonizmi i jetës sonë? Nuk është e lehtë të largohesh nga të qenurit protagonist, nuk është e lehtë.

Kjo kohë e re është gjithashtu një kohë sprove, me siguri. Duke filluar nga tundimi – shumë njerëzor, padyshim, por edhe shumë tinëzar – për të ruajtur protagonizmin tonë. Dhe ndonjëherë protagonisti duhet të zvogëlohet, duhet ta ulë veten, ta pranojë se pleqëria të ul si protagonist. Por do të kesh një mënyrë tjetër për t’u shprehur, një mënyrë tjetër pjesëmarrjeje në familje, në shoqëri, në rrethin e miqve. Dhe është kureshtja që i vjen Pjetrit: “Po ai?”, thotë Pjetri, duke parë dishepullin e dashur që i ndiqte (krh. rr. 20-21). Duke futur hundët në jetët e të tjerëve. Jo: Jezusi thotë: “Hesht!”. A duhet të jetë me të vërtetë në sekuelën “time”? A duhet të zërë hapësirën “time”? A do të jetë ai pasardhësi im? Këto janë pyetje që nuk shërbejnë, që nuk ndihmojnë. A duhet të qëndrojë më gjatë se unë dhe të zërë vendin tim? Dhe përgjigja e Jezusit është e drejtpërdrejtë dhe madje e ashpër: «Ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!» (rr. 22), Si për t’i thënë: ti kujdesu për jetën tënde, për situatën tënde aktuale dhe mos i fut hundët në jetën e të tjerëve. Ti me ndiq mua. Po, kjo është e rëndësishme: ndjekja e Jezusit, ndjekja e Jezusit në jetë dhe në vdekje, në shëndet dhe në sëmundje, në jetën kur është e begatë me kaq shumë suksese dhe gjithashtu në një jetë të vështirë me kaq shumë momente të këqija rënieje. Dhe kur ne duam të futemi në jetën e të tjerëve, Jezusi përgjigjet: «Ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!». Shumë e bukur kjo. Ne të moshuarit nuk duhet të jemi ziliqarë për të rinjtë që marrin rrugën e tyre, që na zënë vendin, që qëndrojnë më gjatë se ne. Nderi i besnikërisë sonë ndaj dashurisë së premtuar, besnikëria ndaj ndjekjes së fesë që i kemi zënë besë, edhe në kushtet që na afrojnë me lamtumirën e jetës, janë titulli ynë i admirimit për brezat që do të vijnë dhe i mirënjohjes së nderuar të Zotërisë. Të mësojmë të japim lamtumirën: kjo është urtia e të moshuarve. Por ndahu mirë, me një buzëqeshje; mësoni t’i thoni lamtumirë shoqërisë, t’i thoni lamtumirë të tjerëve. Jeta e të moshuarit është një lamtumirë, e ngadaltë, e ngadaltë, por një lamtumirë e gëzueshme: e kam jetuar jetën time, e ruajta fenë time. Kjo është e bukur, kur një i moshuar mund ta thotë këtë: “Unë e kam jetuar jetën, kjo është familja ime; e kam jetuar jetën, kam qenë një mëkatar, por kam bërë edhe mirë”. Dhe ajo paqe që vjen, ajo është lamtumira e të moshuarit.

Edhe sekuela, joaktive në mënyrë të pavullnetshme, e bërë nga soditja e ndjerë dhe dëgjimi rrëmbyes i fjalës së Zotit – si ai i Marisë, motrës së Lazrit – do të bëhet pjesa më e mirë e jetës së tyre, e jetës së ne të moshuarve. Se kjo pjesë nuk do të na hiqet kurrë, kurrë (krh. Lk 10,42). Le t’i shikojmë të moshuarit, t’i shikojmë ata dhe t’i ndihmojmë që ata ta jetojnë dhe ta shprehin urtinë e tyre të jetës, që të mund të na japin atë që kanë të bukur e të mirë. Le t’i shikojmë, le t’i dëgjojmë. Dhe ne të moshuarit, t’i shikojmë të rinjtë gjithmonë me një buzëqeshje: ata do ta ndjekin rrugën, do ta çojnë para atë që kemi mbjellë, edhe atë që ne nuk kemi mbjellë ngaqë s’kemi pasur guximin apo mundësinë: ata do ta çojnë përpara. Por mbani gjithmonë këtë marrëdhënie reciprociteti: një i moshuar nuk mund të jetë i lumtur pa parë të rinjtë dhe të rinjtë nuk mund të ecin para në jetë pa parë të moshuarit. Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme