5.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku:  Fuqia e dëshirës është busulla për të ecur përpara.
HomeKryesorPapa Françesku:  Fuqia e dëshirës është busulla për të ecur përpara.

Papa Françesku:  Fuqia e dëshirës është busulla për të ecur përpara.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 12 tetor 2022

Katekezë mbi Dallimin: 5. Elementet e dallimit. Dëshira

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në këto katekeza po marrim në shqyrtim elementet e dallimit. Pas lutjes dhe njohjes së vetvetes, pra, lutje dhe njohje e vetvetes, sot do të doja të flisja për një tjetër, si të thuash, “përbërës” të domosdoshëm: sot do të doja të flisja për dëshirën. Njëmend, dallimi është një formë kërkimi dhe kërkimi lind gjithmonë nga diçka që na mungon, por që në një farë mënyre e njohim, kemi nuhatjen për të.

E çfarë lloji është kjo njohje? Mësuesit shpirtërorë e tregojnë atë me termin “dëshirë”, e cila, në rrënjë, është një mall për plotësinë që nuk gjen kurrë përmbushje të plotë, dhe është shenja e pranisë së Hyjit në ne. Dëshira nuk është dashja e momentit, jo. Fjala italiane vjen nga një term shumë i bukur latin që ngjall kureshtje: de-sidus, fjalë për fjalë “mungesa e yllit”, dëshira është mungesa e yllit, mungesa e pikës së referimit që drejton udhën e jetës; ajo evokon një vuajtje, një mungesë dhe njëkohësisht një tension për të arritur të mirën që na mungon. Dëshira, pra, është busulla për të kuptuar se ku jam dhe ku po shkoj, madje është busulla për të kuptuar nëse kam ndalur apo po eci përpara, një person që nuk dëshiron kurrë është një person që ka ndalur, mbase i sëmurë, pothuajse i vdekur. Është busulla për të kuptuar nëse po eci apo kam ndalur. Si është e mundur ta njoh këtë?

Le të mendojmë, një dëshirë e sinqertë di të prekë thellë fijet e qenies sonë, për këtë arsye nuk shuhet përballë vështirësive apo pengesave. Është si atëherë kur kemi etje: nëse nuk gjejmë për të pirë, nuk dorëzohemi, përkundrazi, kërkimi pushton gjithnjë e më shumë mendimet dhe veprimet tona, derisa bëhemi të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për ta kënaqur atë, pothuajse të fiksuar. Pengesat dhe dështimet nuk e mbysin dëshirën, jo, përkundrazi e bëjnë atë edhe më të gjallë në ne.

Ndryshe nga dashja e kotë apo emocioni i momentit, dëshira zgjat në kohë, madje edhe për kohë të gjatë, dhe priret të konkretizohet. Për shembull, nëse një i ri dëshiron të bëhet mjek, do t’i duhet të ndërmarrë një rrugëtim studimi dhe pune që do t’i marrë disa vite nga jeta e tij, për rrjedhojë duhet të vendosë kufij, të thotë së pari “jo” përkundrejt të gjitha rrugëtimeve të tjera të studimit, por edhe kundrejt argëtimeve dhe shpërqendrimeve të mundshme, veçanërisht në momentet e studimit më intensiv. Mirëpo, dëshira për t’i dhënë drejtim jetës së vet dhe për ta arritur këtë qëllim – shembulli ishte për t’u bërë mjek – ia mundëson atij që t’i kapërcejë këto vështirësi. Dëshira të bën të fortë, të bën të guximshëm, të bën të ecësh gjithmonë përpara në mënyrë që t’ia arrish qëllimit: “Unë e dëshiroj këtë gjë”.

Në të vërtetë, një vlerë bëhet e bukur dhe më lehtë e arritshme kur është tërheqëse. Siç tha dikush, «më shumë se të jesh i mirë, është e rëndësishme të kesh dëshirën për t’u bërë i tillë». Të jesh i mirë është tërheqëse, të gjithë duam të jemi të mirë, por a kemi dëshirë që të bëhemi të mirë?

Është domethënëse që Jezusi, para se të kryejë një mrekulli, shpesh e pyet personin mbi dëshirën e tij: “A dëshiron të shërohesh?”. Dhe ndonjëherë kjo pyetje duket e pavend, ngaqë shihet se është i sëmurë. Për shembull, kur takon të paralizuarin te pishina Betsata, i cili qëndronte atje prej shumë vitesh dhe nuk arrinte të kapte momentin e duhur për të hyrë në ujë. Jezusi e pyet: “A dëshiron të shërohesh?” (Gjn 5,6). Si vallë? Në realitet, përgjigja e të paralizuarit zbulon një sërë rezistencash të çuditshme ndaj shërimit, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me të. Pyetja e Jezusit ishte një ftesë për të qartësuar zemrën e tij, për të mirëpritur një ndryshim të mundshëm cilësor: mos mendo më për vetveten dhe jetën e tënde “prej të paralizuari”, që transportohet nga të tjerët. Por njeriu në shtrojë duket se nuk është aq i bindur. Duke dialoguar me Zotërinë, ne mësojmë të kuptojmë se çfarë duam vërtet nga jeta jonë. Ky paralitik është shembulli tipik i njerëzve: “Po, po, dua, dua” por nuk dua, nuk dua, nuk bëj asgjë. Dëshira për të bërë bëhet si një iluzion dhe nuk hidhet hapi për ta bërë atë gjë. Këta janë njerëz që duan e nuk duan. Kjo gjë nuk shkon, ky i sëmurë, 38 vjet atje, gjithmonë me ankesa: “Jo, e di Zotëri, por a e di se kur lëvizin ujërat – që është momenti i mrekullisë – ti e di, vjen dikush më i fortë se unë futet dhe unë arrij me vonesë”, dhe ai ankohet e ankohet. Por, bëni kujdes, sepse ankimet janë helm, helm për shpirtin, helm për jetën sepse nuk të lënë të rrisësh dëshirën për të ecur para. Kujdes me ankimet. Ka ankime në familje, ankohen bashkëshortët, ankohen për njëri-tjetrin, fëmijët për babain ose priftërinjtë për ipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë për shumë gjëra të tjera… Jo, nëse e gjeni veten duke u ankuar, bëni kujdes, është thuajse mëkat, sepse nuk e lë dëshirën të rritet.

Shpesh është pikërisht dëshira që bën dallimin midis një projekti të suksesshëm, koherent dhe të qëndrueshëm, dhe mijëra dashjeve pa themel dhe qëllimeve të mira për të cilat, siç thuhet: “të lënë në ferr”: “Po, do të doja, do të doja, do të doja …”, por nuk bën asgjë. Epoka në të cilën jetojmë duket se favorizon lirinë maksimale të zgjedhjes, por në të njëjtën kohë atrofizon dëshirën – dëshiron ta kënaqësh veten vazhdimisht – e reduktuar kjo kryesisht në dashjen e momentit. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e atrofizojmë dëshirën. Jemi të bombarduar me një mijë propozime, projekte, mundësi, të cilat rrezikojnë të na shpërqendrojnë dhe të mos na lejojnë që ta vlerësojmë me qetësi atë që duam përnjëmend. Shpeshherë ndeshim njerëz – të mendojmë për të rinjtë për shembull – me celularë ndër duar që kërkojnë, shikojnë … “Por a ndalon ndonjëherë për të menduar?” – “Jo”. Gjithmonë i dalë nga vetja, kundrejt tjetrit. Dëshira nuk mund të rritet kështu, ti jeton momentin, ngopesh në atë moment dhe dëshira nuk rritet.

Shumë njerëz vuajnë sepse nuk e dinë se çfarë duan nga jeta e tyre; ata ndoshta kurrë nuk kanë pasur kontakt me dëshirën e tyre të thellë, askurrë nuk morën vesh: “Çfarë dua për jetën time?” – “Nuk e di”. Prej kësaj vjen rreziku i kalimit të jetës mes tentativave dhe rrugëdaljeve të llojeve të ndryshme, pa arritur asgjëkundi dhe duke çuar dëm mundësi të çmuara. Kështu, disa ndryshime, edhe pse duke i dashur në teori, kur paraqitet mundësia nuk zbatohen kurrë, mungon dëshira e fortë për ta çuar para diçka.

Nëse Zoti, për shembull, do t’ia drejtonte, sot, cilitdo prej nesh, pyetjen që i bëri të verbrit nga Jerihoni: «Çka dëshiron të bëj për ty?» (Mk 10,51) – le të mendojmë se Zoti ia bën secilit prej nesh, sot, këtë pyetje: “çfarë dëshiron që unë të bëj për ty?” – çfarë do t’i përgjigjeshim? Ndoshta, më në fund do të mund t’i kërkonim që të na ndihmojë për ta njohur dëshirën e thellë për Të, të cilën vetë Hyji e ka vendosur në zemrën tonë: “Zot, që t’i njoh dëshirat e mia, që unë të jem një grua, një burrë me dëshira të mëdha”, ndoshta Zoti do të na japë forcën për ta realizuar atë gjë. Është një hir i pamasë, në themel të të gjitha të tjerave: ta lejosh Zotin, si në Ungjill, të bëjë mrekulli për ne: “Jepna dëshirën dhe bëje të rritet, Zot”.

Sepse edhe Ai ka një dëshirë të madhe kundrejt nesh: të na bëjë pjesëtarë të plotësisë së jetës së tij. Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme