20.5 C
Tirana
HomeKISHNjë kemio për shoqërinë tonë!
HomeKISHNjë kemio për shoqërinë tonë!

Një kemio për shoqërinë tonë!

Dom Mark PASHKJA
Zëdhënës i KISH

Skandali i fundit në lidhje me rastin e mjekëve te spitali onkologjik mendoj se është më shumë se një shperdorim detyre dhe rrënjët i ka shumë më të thella. Parimisht jam kundër çdo lloj përgjithsimi siç fatkeqsisht ndeshemi këto ditë. Personalisht kam kaluar një përballje me kancerin dhe kuptoj shumë mirë zemërimin e familjarëve dhe personave të sëmurë e shpeshherë edhe të grabitur ekonomikisht nga spitalet publike-private.

Po ashtu kuptoj edhe perpjekjen e madhe mjeksore që qëndron në krahun tjetër, nga ana e bluzave të bardha, kushtet dhe rrethanat, në luftën kundër armikut të pabesë. Shumë pak flitet per ata mjekë dhe infermierë, që në ambientet e punës janë të parët që ekspozohen nga rrezatimet e ndryshme. Prandaj besoj se domosdoshmërisht, duhet të evitojmë rrezikun e përgjithsimit dhe identifikimit të të gjithë mjekve me “individët” e skandalit.

Pa dyshim që vendi ynë ka mjek shumë të mirë, të aftë dhe të ndershëm. A mjafton kjo? Sigurisht që jo. Ky skandal duhet shikuar në një prespektivë më të gjerë, në mënyrë që të shkojmë në thelb të problemit. Reflektimi ynë duhet të nis me vlerën që ka jeta në një shoqëri si e jona. A ka vlerë vërtetë jeta në vendin dhe shoqërinë tonë? A jemi vërtetë promovues të jetës? Përgjigja sasiore dhe cilësore e kësaj pyetje lidhet pashmangshmërisht me qasjen ose raportin që kemi ndaj të vërtetës.

Personalisht besoj se raporti dhe qasja me të vërtetën influencon edhe në cilësinë, vlerësimin dhe promovimin e jetës. Jo rrallëherë si individ apo edhe si shoqëri, me ose padashje jemi përqafues të asaj çka na intereson apo pelqen para të vërtetës universale, që është e mira e shoqërisë. Në shumë raste komoditeti personal shikohet si “arritje”, pa marrë parasysh mënyrën si është përfituar. Rastet kur rehatia( luksi) personale prevalon para të mirës së përbashkët, janë jo pak të përhapura në shoqërinë tonë.

Fatkeqsisht ndonjëherë shiten edhe si modele. Në vetvete kjo është një hipokrizi, personi një hipokrit dhe aktet në vetvete janë akte hipokrizie. Këto akte dhe persona,janë të përhapura jo vetëm në shëndetsi. Janë të pranishme në arsim, në administratën publike, në sport, kulturë apo edhe në shumë organizma jo publikë e jo shtetërorë. Shumësia ketyre akteve ndikon në cilësinë e jetës tonë,në vlerën dhe promovimin e saj.

Kur të fitojmë betejën si shoqëri me hipokritin dhe hipokrizinë si fenomen, do të kemi individ që betimin e Hipokratit nuk do e trajtojnë si të hipokritit. Do të kemi një shoqëri ku jeta njerëzore nuk do jetë objekt përfitimi për kënaqësinë e të pangopurve dhe të papergjegjshmëve. Kur kjo papërgjegjshmëri shtrihet deri aty, sa të përfitohet edhe në kemion e një të sëmuri me kancer, është shenjë e qartë se mbarë shoqëria jonë ka nevojë për kemio.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme