HomeArqidioqeza Shkodër-PultNdryshime nё Seminarin e Shkodrës: dom Leonardo Falco largohet, vjen dom Mark...
HomeArqidioqeza Shkodër-PultNdryshime nё Seminarin e Shkodrës: dom Leonardo Falco largohet, vjen dom Mark...

Ndryshime nё Seminarin e Shkodrës: dom Leonardo Falco largohet, vjen dom Mark Shtjefni 

Konferenca Ipeshkvore Katolike ka mbajtur Asamblenë e përgjithshme vjetore më 14 e 15 qershor, mbajtur nё Tiranё, gjatё sё cilёs, mes tjerash, ka marrë disa vendime të rëndësishme pёr jetёn e Kishёs nё Shqipёri, si zgjedhja e Don Mark Shtjefnit si Rektor i ri i Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, i cili zëvendëson Rektorin e deritanishëm, misionarin don Leonardo Falco, i cili pёr 9 vjet, pra, pёr tre mandate e drejtoi kёtё Institucion tё Kishёs katolike tё Shqipёrisё qё nga shtatori i viti 2013, nё kalimin historike tё udhëheqjes së Seminarit nga duart e Jezuitëve në duart e ipeshkvijve tё Shqipërisë.

Dom Kolë Dedaj, Zv-Rektor: secili fund është fillim i ri

Dom Leonardi erdhi për herë të parë në Shqipëri me 16 gusht 1992 si seminarist së bashku me Jezuitët, të cilët kishin organizuar kampe nëpër Shkodër dhe rrethina. Si 22 vjeçar që sapo kishte mbaruar vitin e dytë të filozofisë, e ndërsa priste për të filluar vitin e parë të teologjisë, erdhi dhe u ndal që prej fillimi në Sheldi për të bërë katekizëm me të rriturit. Këtë gjë e bëri edhe dy vitet në vazhdim, 1993 e 1994. Një viti më vonë, 1995, u shugurua meshtarë dhe së bashku me vikarin gjeneral të dioqezës së tij erdhën në kohën e dimrit me rastin e festës së 1600 vjetorit ku shën Paulini kishte ardhur në Nolë. Me këtë rast ipeshkvi Imzot Umberto Tramma kishte organizuar një simpozium shkencorë në dioqezë dhe, duke qenë se shën Paulini kishte punuar shumë për të varfrit, dom Leonardi i pati propozuar të bëhet diçka në Shqipëri.

Pas një viti meshtari, me 1996, erdhi si famullitar në zonën e Sheldisë, të Rragamit, Mazrekut dhe Shporit e qëndroi aty deri në vitin 2002. Në të njëjtën kohë, nga viti 1998 e në vazhdim, ishte edhe zëvendës rektor i Seminarit të lartë e më pas edhe i propedeutikut. Nga viti 2002 deri në 2005 ishte përgjegjës për Seminarin e ulët. Pas nëntë viteve misioni në Shqipëri ipeshkvi i tij i kërkoi të kthehet në dioqezën e Nolës, ku shërbeu si famullitarë nga 2005 deri në 2012 në famullinë e Lauro-s. Në vitin 2012-13 kreu kursin për formues në Universitetin e Gregorianës në Romë, për t’u përgatitur për shërbimin e ardhshëm si rektor.  

Seminari, brenda Kishës, është një vend i privilegjuar për formim. Në këtë vend formuesit kanë mundësinë të bëjnë një përvojë fort të bukur, atë të kalimit të Hyjit në jetët e disa të rinjve që ndjehen të thirrur në jetën meshtarake. Atë L. M. Rulla S.I. thoshte se: «thirrja meshtarake është takimi mes dy mistereve: misterit të Hyjit që do për amshim e thërret dhe misterit të njeriut që, pavarësisht brishtësisë së tij, ndjehet i thirrur për të bashkëpunuar me Hyjin për shëlbimin e botës».

Pas shumë dekadash që Shoqëria së Jezusit e udhëhoqi Seminarin në Shkodër, nga shtatori i viti 2013 dom Leonardi u emërua si rektor, duke bërë kështu kalimin e udhёheqësisë së Seminarit nga duart e Jezuitëve në duart e ipeshkvijve tё Shqipёrisё. Megjithatë dom Leonardi vazhdoi në linjën e formimit që kishin vendosur Jezusitët dhe shoqëroi shumë seminaristë deri në meshtari. Disa prej tyre përfunduan edhe studimet e mëtejshme duke u bërë edhe profesorë në Shkollën Teologjike dhe Filozofike të Seminarit.

Tani pas nëntë vjetësh, siç e parasheh edhe statuti i Seminarit, dom Leonardi ka mbaruar tre mandate të shërbimit si rektor dhe kthehet në dioqezën e lindjes, duke pritur shërbimin që ipeshkvi i tij do t’ia caktojë.

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka parashtruar kërkesë e një rektori të ri Kongregatës për Klerin e cila e aprovoi emërimin e dom Mark Shtjefnit, për një mandat tre vjeçar i cili mund të rinovohet edhe dy hera tjera.

Dom Marku, pasi kreu shkollën në Torovicë dhe në Gjadër, me ardhjen e lirisë fetare në vitet ’90ta ra në kontakt me misionarët rregulltarë e pastaj edhe me famullitarin dom Antonio Sciarra-n. Duke pas ndjerë thirrjen, në vitin 1997, nisë formimin e tij në Seminarin Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë”. Në vitin 2003 u shugurua diakon dhe u inkardinua në dioqezën e Sapës. Një vit pas, në vitin 2004, u shugurua meshtarë në kishën e Blinisht. Pastaj kreu shërbimin e famullitarit në famullinë e Pistullit për katër vite (2004-2008) dhe njëkohësisht kreu edhe shërbimin e sekretarit të Kuries Dioqezane të Sapës. Nga viti 2005 deri në vitin 2013 shërbeu si sekretarë i zyrës së Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 qe zëvendës rektor i Seminarit Ndërdioqezan në Shkodër. E pastaj, nga viti 2012 deri në 2016, studioi “Komunikimin shoqërorë/baritorë” në Universitetin Papnor Salezian të Romës. Në kthimin e tij, pas një viti shërbim si famullitar në famullinë e Gramshit, u caktua si famullitarë i kishës katedrale në Vau Dejës. Njëkohësisht kryente edhe detyrën e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë prej viti 2018 deri me 2022.

Prej datës 1 korrik 2022, dom Markut iu dorëzua Seminari dhe që nga shtatori do të fillojë në mënyrë të rregullt shërbimin e tij për formimin e brezave të rinj të meshtarëve.

Falënderojmë të gjithë misionarët, ndër të cilët gjendet edhe dom Leonardi, që në heshtje shuan jetën e tyre duke dëshmuar mirësinë e Zoti tek ne Shqiptarët. I falënderojmë për të gjitha të mirat që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë akoma sot. Njëkohësisht i urojmë dom Markut, që pasi të ketë lëshuar famullinë e Laç-Vau Dejës, të vazhdojë këtë shërbim të ri me zell dhe me dashuri për të mirën e Kishës në Shqipëri e më gjerë.

Zv-Rektor Dom Kolë Dedaj

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
115FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme