10.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleTeologji. Tomáš Halík: «Kjo është koha e fesë së ringjallur»
HomeKisha UniversaleTeologji. Tomáš Halík: «Kjo është koha e fesë së ringjallur»

Teologji. Tomáš Halík: «Kjo është koha e fesë së ringjallur»

Në këtë epokë krize dhe kontradiktash të thella, Kisha duhet të dijë të rigjejë vitalitetin shpirtëror dhe t’u ofrojë përgjigje përhumbjeve ekzistenciale.

«Kisha mund të izolohet gjithnjë e më tepër ose të shkojë drejt një epoke të re, pasditore dhe të pjekur». Tomáš Halík, teolog, i urdhëruar prift në mënyrë klandestine në Pragë gjatë regjimit komunist dhe një nga këshilltarët e Vaclav Havel-it, del me një libër në të cilin ai përvijon një reformë të Kishës që e sheh atë si një bashkëbiseduese të kulturës dhe shoqërisë së kohës sonë. Pomeriggiodel cristianesimo (Vita e Pensiero, [Pasditja e Krishterimit (Jeta dhe Mendimi)], faqe: 280, euro: 18), nga i cili shkëpusim një fragment, u prezantua dje në Milano. Këtë mbrëmje autori do të jetë në Firence dhe të premten në Romë në Institutin Gjon Pali II me Sequeri-n dhe Armando Matteo-n.

«Kjo kohë nuk është vetëm një epokë ndryshimi, por një ndryshim epoke», pohon papa Françesku. Ndryshojnë edhe format e religjionit dhe roli i tyre në shoqëritë dhe kulturat përkatëse. Shekullarizimi nuk ka shkaktuar fundin e religjionit, por ndryshimin e tij. Ndërsa disa forma të religjionit po përjetojnë tronditje të forta, të tjerat janë aq vitale saqë kanë dalë nga kufijtë e tyre të mëparshëm. Institucionet fetare tradicionale kanë humbur monopolin e tyre mbi karakterin religjioz. Globalizimi, i cili ka arritur kulmin e tij, ndeshet me disa rezistenca: manifestimet e populizmit, nacionalizmit dhe fundamentalizmit, po forcohen. Bota jonë është gjithnjë e më e ndërlidhur dhe njëkohësisht e ndarë. Bashkësia botërore e të krishterëve nuk është e bashkuar; megjithatë, sot, dallimet më të mëdha nuk janë midis njërës Kishë dhe Tjetrës, por brenda secilës. Dallimet në doktrinë, pozitat fetare dhe politike, shpesh kanë rrënjë të fshehura në shtresime të thella të jetës psikologjike dhe shpirtërore të individëve. Ndonjëherë, personat që, në të njëjtin stol në kishë, shpallin të njëjtën Besojmë, kanë ide shumë të ndryshme për Hyjin. Ndër ndryshimet në skenën e sotme shpirtërore hyn edhe rënia e murit midis “besimtarëve” dhe “jobesimtarëve”: pakicat e zhurmshme të besimtarëve dogmatikë dhe ateistëve militantë po zhvendosen anash, ndërsa rritet numri i atyre në mendimet dhe fenë e të cilëve, feja (në kuptimin e “bindjes origjinare”) dhe mosbesimi (në kuptimin e skepticizmit të dyshimtë) përzihen mes tyre. E mbarova së shkruari këtë libër gjatë pandemisë së Koronavirusit: çdo ditë, rreth meje, në spitalet e stërmbushura, vdisnin shumë të sëmurë dhe shumë njerëz ende gjallë dhe të shëndetshëm përballeshin me probleme jetese. Edhe kjo përvojë ka shkundur botën tonë: krizës së vazhdueshme të sigurive fetare tradicionale i është shtuar kriza e sigurive tradicionale të shekullarizimit, në radhë të parë ajo e besimit në sundimin absolut të njeriut mbi natyrën dhe fatin e vet. Gjendja aktuale e Kishës katolike të kujton, në shumë aspekte, situatën që i parapriu fare afër Reformës. Kur dolën në dritë rastet e shumta, të pakonceptueshme, të abuzimeve seksuale dhe psikologjike, kjo tronditi besueshmërinë e Kishës dhe hapi një sërë çështjesh në lidhje me krejt sistemin kishtar. Kishat, të mbyllura dhe të zbrazëta gjatë pandemisë, m’u paraqiten si një qortim profetik: kjo do të jetë së shpejti gjendja e Kishës, nëse ajo nuk do të përballet me ndryshim. Njëfarë frymëzimi mund të ofrohet nga “reforma katolike” e kryer nga mistikë të guximshëm si Gjoni i Kryqit, Tereza e Avilës, Injaci i Loyolës dhe shumë të tjerë, të cilët, përmes përvojës së tyre origjinale shpirtërore, kanë pasuruar si reflektimin teologjik mbi fenë ashtu edhe formën e dukshme dhe praksën e Kishës. Përpjekjet më të fundit për reformë nuk mund të kufizohen në ndryshimin e disa strukturave institucionale dhe ndonjë paragrafi të Katekizmit, të Kodit të së Drejtës Kanonike dhe të teksteve morale. Frytshmëria dhe vitaliteti i ardhshëm i Kishës varet nga ripërtëritja e marrëdhënies me dimensionin e thellë shpirtëror dhe ekzistencial të fesë. Unë e çmoj krizën aktuale si një udhëkryq, në të cilin hapet mundësia për të arritur te një epokë e re, “pasditore” e historisë së krishterimit. Një krishterim i shkundur – pikërisht falë përvojës së vet të dhimbjes – mund të zhvillojë, si një mjek i plagosur, potencialin terapeutik të fesë. Nëse Kishat i bëjnë ballë tundimit të egocentrizmit, të narcisizmit kolektiv, të klerikalizmit, izolacionizmit dhe provincializmit, ato do të jenë në gjendje të kontribuojnë për një ekumenizëm më të gjerë dhe më të thellë. Në ekumenizmin e ri është në çështje diçka më shumë se uniteti i thjeshtë i të krishterëve: ripërtëritja e fesë mund të jetë një hap drejt asaj “vëllazërie universale” që është tema madhore e pontifikatit të papa Françeskut. Ajo mund ta ndihmojë familjen njerëzore të marrë një drejtim jo drejt një përplasjeje qytetërimesh, por drejt krijimit të civitas oecumenica – një kulturë komunikimi, bashkëndarjeje dhe respekti për diversitetin. Gjatë historisë Hyji shfaqet në fenë, dashurinë dhe shpresën e njerëzve, edhe të atyre që gjenden anash Kishave dhe jashtë kufijve të tyre të dukshëm. Kërkimi i Hyjit, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha situatat e historisë, e çliron jetën tonë nga vetëreferimi monologjik dhe e shndërron atë në hapje dialoguese. Në këtë gjë shoh një shenjë të kohës dhe një dritë shprese edhe në një epokë të vështirë. Ky libër dëshiron të jetë në shërbim të kësaj shprese.

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme