Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë dhe Administratori Dioqezan i Dioqezës së Sapës marrin pjesë në punimet e Asamblesë së LXXVI të Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, që mbahet, më 9 shkurt, në Tiranë. Më hollësisht njoftimi i zëdhënësit të KISH dom Mark Pashkja:
Ditën e djeshme në Tiranë filloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Në Meshën e hapjes së punimeve, të udhëhequr nga Sh. T. Imzot Gjergj Meta, ipeshkvijtë kujtuan dhe ofruan një lutje të veçantë për shpirtin e Imzot Simon Kullit, i ndarë nga jeta pak muaj më parë.
Në fjalën e tij hapëse Imzot Meta kujtoi se “…prej vitit 2017 kjo është plenarja e parë pa Imzot Kullin.
Duke e shikuar këtë ngjarje me sytë e besimit, i themi Hyjit, nuk po të pyesim pse na e more, por faleminderit për kohën që ai qëndroi me ne e mes nesh”.

I pranishëm në këto punime është edhe Imzot Ionuţ Paul Strejac, i Ngarkuari me punë i Selisë së Shenjtë pranë Nunciaturës Apostolike në vendin tonë. Në fjalën e përshëndetjes ai e vlerësoi shumë pozitive mënyrën se si Kisha vendore e ka kremtuar Vitin jubilar duke theksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të këtij entuziazmi.
Atë Mariano Tarantino merr pjesë në këtë plenare të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë si Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës, ku do të informojë ipeshkvijtë për situatën aktuale, nevojat dhe emergjencat e kësaj Kishe Dioqezane. Çështjet, problematikat dhe veprimtaritë e ndryshme, të cilat barinjtë e Kishës katolike në Shqipëri do t’i marrin në shqyrtim, do të jenë të shumta. Jeta e Kishës dhe funksionimi i strukturave kishtare mbeten vazhdimisht në fokusin e Ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

