29.5 C
Tirana
HomeKISHDita Botërore e Lutjes për shenjtërimin e Meshtarëve - Ish kampi i...
HomeKISHDita Botërore e Lutjes për shenjtërimin e Meshtarëve - Ish kampi i...

Dita Botërore e Lutjes për shenjtërimin e Meshtarëve – Ish kampi i përqendrimit në Tepelenë

Kremtim Eukaristik

Fort të dashur Vëllezër Ipeshkvinj!

Të dashur Meshtarë e diakonë!

E falënderoj Zotin që po na dhuron mundësinë të jemi së bashku e të Kremtojmë së bashku Eukaristinë në këtë muaj të qershorit që i kushtohet Zemrës së Krishtit, ku secili prej nesh mund ta mbështesë zemrën në parzmën e Zemrës se tij e për të marre prej Saj butësinë, përvujtërinë dhe Mëshirën në mënyrë që shërbesa jone t’i përngjaje sa më shume shërbesës së Bariut të mirë.

Po jetojmë këtë Vit Jubilar, si shtegtare të shpresës, ky vit i Shenjte po e përtërin jetën dhe fytyrën e Kishës dhe po e forcon thirrjen tonë Meshtarake për ta mbushur atë me shprese drejt realizimit dhe vazhdimësisë të asaj Vepre që Zoti ka ndërmarrë në ne dhe së bashku me ne.

Në këtë Vit Jubilar disa prej nesh kremtojnë 25 vjetorin e Meshtarisë. E kemi zemrën plot mirënjohje për këtë Dhuratë e Mister që na është dhuruar falas dhe pa meritën tonë.

Vitet 90 në jetën dhe zemrat tona rinore sollën plot shprese, etjen për Liri dhe nevojën që Dashuria ndaj Zotit dhe Njeriut me patjetër do duhej të triumfonte ndaj atij sistemi ateisto-Komunist që për një gjysmë shekulli kishte mbjelle në zemrat e shqiptareve urrejtje ndaj Zotit dhe njeriut. Ajo urrejtje shkaktoi shume krime, derdhi shume gjak të pafajshëm, shume u burgosen e shume të tjerë u internuan, kalvari i gjate ofroi mundësinë për të dhënë dëshmi dashurie, faljeje dhe besnikërie ndaj Krishtit e ndaj Atdheut. Prandaj ai gjak nuk mund të humbiste apo të përpihej nga zemra e tokës por qëndronte i nxehte për të ngrohë dhe për të nxitur akoma shumë zemra të tjera ndonëse të vuajtura dhe të rraskapitura, të sapo dala nga katakombet arritën falë nxitjes së Shpirtit Shenjt me zell apostolik te ringrihen për ta shpalle kudo Lajmin e Mire.

Nuk kam për ta harrur kurrë Dom Martin Trushin, kur isha 19 vjeç, atë Meshtar plak me plot vuajtje të shkaktuara nga burgjet e gjata pesha e të cilave nuk e lejonte të qëndronte i sigurt në këmbët e veta ndërsa kremtonte Eukaristine në kishën e Shën Kollit në Pistull, por krahnori i tij ishte mbështetur ne Elter e prej aty merrte fuqi për ta lartësuar Osten, ajo zëmër e atij meshtari plak mbështetur në Elterin e Krishtit që bëhet fli për ne do ta trondiste zemrën time rinore dhe do ngjallte në të dëshirën për ta ndjekur Zotin. Pse të mos behëm edhe unë meshtarë për ta zëvendësuar atë meshtarë plak.

Sot gjendemi se bashku në ish kampin e internimit të Tepelenës, ipeshkvij, meshtarë e diakonë, të vendosur në shtegtim drejt shpresës në një ish kamp internimi që u instalua me qellim që të internuarve jeta tu rendohej e shpresa tu asgjësohej me çdo kusht. Kazermat ushtarake të ndërtuara gjate pushtimit te Italisë u përshtatën në vendbanime për të internuarit duke u hapur në prill të vitit 1949 ku u mbajtën familjet e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakeve dezertor. Sipas udhëzimeve aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar dhe agjentë të huaj, familje te ardhura kryesisht nga veriu i Shqipërisë. Shumë kush këtë kamp do e quante si një Aushvic shqiptar, ku krematoriumin e zëvendësuan sëmundjet, uria, duke lënë të vdesin me qindra fëmijë. Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj.

Si mund të forcohet e të përtërihet shpresa jonë sot kur nën këmbët tona vlon akoma gjaku dhe djersa e derdhur e të internuarve te cilëve në këtë kamp ju privua liria, u shfrytëzuan, u torturuan, uria dhe mungesa e ilaçeve mori jetën e me shume se 300 fëmijëve për 4 vite nga 1949 deri ne 1953 vit në të cilin u mbyll për faktin se kushtet u bene çnjerëzore e të pa përballueshme. Dëshmon i mbijetuari i këtij kampi Simon Mirakaj ‘‘Ne fëmijët rreth moshës 14 vjeç na nxirrnin ne pune, ne mal me bajte dru, me bajte pleh, me bajte gur nga 800 vete qe vdiqën 300 ishin fëmijë. Tre here ua lëvizën varret, herën e fundit qëllimisht komanda e policisë se kampit dha urdhër qe varrezat te vendoseshin buze lumit. Dimrit lumi fryhej nga prurjet duke i marre me vete varret, sot te gjithë ato fëmijë janë pa varr.

Edhe pse në pamje të parë mund të dukej se Zoti e kishte braktisur popullin tonë apo familjet e të internuarve ne këtë kamp gjatë atyre viteve të tmerrshme përkundrazi zemrat dhe jetët e vuajtura e përjetonin praninë e Zotit, duke e kremtuar së bashku praninë e Tij të gjallë, kështu ata njerëz e lejonin Zotin te ngushëllonte jetën e tyre e te përtërinte me forca të reja peshën e ditëve plot vuajtje. Këtë te vërtetë na e sjell dëshmia e te mbijetuarve. E denje për tu kujtuar është dëshmia Lek Pervizit, i vuajtur në këtë Kamp. Ai shkruan kështu:

‘‘Ardhja e klerikëve katolikë nga burgu i Shkodrës disi e gjallnoi pjesën katolike të kampit te Tepelenës që përbanin gjysmën e tij, veç me mirditorët e malësorët, që ruenin ne vetvete besimin e tyne me devocion. Në këto rrethana, një ma i gjallë dhe nismëtar i tyne ishte Dom Nikoll Mazrreku, që i kishte ra me qenë në kazermën tonë.

Po afroheshin Pashkët, që binin me 13 Prill. Dom Nikolli ndërhyni pranë Shefit te degës, nëse i lejonin të ngrinin një meshë aty në kamp, ku kishte shumë katolikë. Feja akoma nuk ishte ndalue zyrtarisht, dhe shefi e akordoi lejën. Duke qenë se mungonin sendet e duhuna, për atë ceremoni, na vjen ne takim një i ri Zef Pllumi, qe ma vone me 1958 do shugurohej meshtar e do bahej Pater Zef Pllumi i bjen Dom Nikollit , gjithçka duhej. Dom Nikolli se bashku me klerikët e tjerë, si Jak Gardini, Viktor Volaj, Zef Gilaj e Ferdinand Paci, u aktvizuen e ndihmuen dom Nikollin në këtë nismë. Si u muer vesh se mesha do të mbahej, gjithë katolikët u gëzuen dhe e quajtën një mrekulli të Zotit. Ndërkohë ne të rijtë, unë, Gjosho Vasija, Karlet Luka, Suzana Topalli, e kushrijt tonë, Gjon, Kristian e Celestina Gjomarkaj, kishim pregatite disa kange te rastit.

Erdhi e diela e Pashkëve, dhe mesha do të ngrihej në qoshën e kazermës së prishun, veç me dy pjese muri në kambë, ku zakonisht te internuemit ndiznin zjarre për gatim kush kishte mundësi e larje teshash të fëmijëve… Gjithë kampi u mblodh aty, katolikë, myslimanë e orthodoksë. Si ditë e diele, punëtorët nuk i çonin në punë. Por Kryesisht familjet e njohuna katolike, Gjomarkaj, Pervizi, Merlika, Mirakaj Sokoli, Mëlyshi, Miri, Topalli, Luka, e tjera familje katolike. Dallohej nanë Mrika e Kapidan Gjonit, me dy vajzat, Marta e Bardha. midis mirditoreve te tyne Aty kishin sjellë edhe Martën e paralizueme në karrikën e saj dy burra mirditorë. Si u mblodhën të gjithë e kur u duk Dom Nikolli me veshjen e rastit, ra heshtje. Dom Nikolli mbajti një fjalë të nivelit të naltë. Mjafton të përmendët fillimi:

Jemi mbledhë këtu, në këtë qoshe nën këto mure të rrënueme e të nximë por që asht ma madhështore se kishat, katedralet e bazilikat kudo që janë në botë.

Fjala e tij ngjalli emocion të madh, në ato njerëz të shkretë, që të mbyllun aty si berre, kishin humbë edhe nocionin e besimit e të Zotit. Me Dom Nikollin rrinin dhe fetaret e tjerë, si Pater Viktor Volaj, Patër Jak Gardini, Pater Ferdinand Paci, Dom Zef Gilaj. Mesha u përcoll nga kangët e neve të rinjve që i kishim pregatitë siç treguem ma sipër.

Mesha u ndoq me një heshtje e qetësi të madhe, aq ishte ndikuese ajo ceremoni fetare që bahej në kushte të tilla paimagjinueshme. Kishte gra që qanin nga emocioni, të cilave u kishin vdekë fëmijët. Binte në sy pjesmaarrja e grave mirditore me kostumet e tyne.

Një meshë e përveçme, që mjerisht humbet në harresën e pakujdesinë e njerëzve për të ruejt ato çaste të papërsëritshme ma kurrë. Një meshë e përmasave historike, për vendin e kushtet ku ishte zhvillue. Si mbaroi ceremonia dhe njerzit u përfalën me njeni tjetrin tue urue festën e Pashkëve, Dom Nikolli, që kishte sajue një shportë me një sasi vezësh, ua ndau fëmijëve që ishin mbledhë aty. Fëmijë që s’kishin pa vezë me sy, donin t’i kafshonin, ashtu pa qerue Sa na vinte për të qeshë, dhe u tregonim se si hiqej gzhoja e mbasandej te hahej. Ja pra ku kishte arritë puna, që fëmijët të rriteshin pa njofte frutat, deri dhe vezët, të izoluem krejtësisht nga bota e jeta. E s’na qenka ky një kamp i tmerrshëm?

Kjo ndodhi të dielën e Pashkëve më 13 prilli 1952. Vërtet se ne s’ishim në tunele të nëndheshme, por fare mirë në tunelet e një ideologjie perverse, katakomba të vërteta, ku njerëzit përpëliteshin për të mbijetue me çdo kusht e sakrificë e me ruejtë vlerat e tyne shpirtnore, ku feja, ishte kusht i parë, i rranjosun prej dymijë vjetësh në mendjen, zemrën e shpirtin e shqiptarëve.

Sot vëllezër të dashur edhe Shën Pali ne leximin e pare na dëshmon për kalvarin e tij, në lodhje, në burgje, në të rrahura, në rrezik të vdekjes të gjitha të shkaktuara nga njeriu vëlla, këtu ne këtë kamp nga shqiptari shqiptarit, Shën Pali nga Judeu, prej judenjve mora pese here nga 39 frushkuj. Por e veçanta dhe e bukura qe ndodh ne jetën e Shën Palit është fakti se lejon Zotin te veproje ne ligështinë, vuajtjen dhe brishtësinë e tij dhe vazhdon përpara duke e mbështetur shpresën në Atë që na dhuron fuqinë. Uroj me gjithë zemër vëllezër qe jeta jonë, Meshtaria jone te konsiderohet prej nesh si thesari me i çmueshëm qiellor si pasuria me e madhe, komoditeti, rehatia dhe çdo gjë tjetër që mund ta breje tenja e ndryshku përreth nesh te mos çmohet e rëndësishme për ne, zemra jone te mos lidhet për të. Visari ma i çmueshëm për ne te jete Krishti Zot, shpallja e Lajmit te Mire dhe shërbimi ndaj njeriut le te pranojmë te heqim keq për Ungjill, le te pranojmë te vuajmë sepse do bëhemi me te forte, sepse vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnike të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua ne zemrat tona me ane te Shpirtit Shenjte qe na u dhurua.

Atij i qoftë Nderi e Lavdia në Shekuj të Shekujve. Amen!

Mons Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme