Nuk është e lehte të shkruash në pak rreshta kujtimet e një miku dhe udhëheqësi shpirtëror shumë të vyer. Jeta e At’ Lelos ishte një dhuratë e çmuar që u ofrohej të gjithë atyre që kërkonin ngushëllim, drejtim shpirtëror dhe mbështetje në rrugëtimin e fesë.
Çdo çast të jetës së vet ja kushtoi dëgjimit të kujdesshëm dhe udhëheqjes shpirtërore të atyre që atij i afroheshin për pakëz dritë dhe ngushëllim. Aftësitë e tija për të kuptuar vuajtjet e të tjerve dhe që bash atyre t’u ofronte fjalë urtie dhe ngushëllimi, i kanë shënuar thellësisht jetët e atyre që e njohën.
Ishte i palodhshëm në angazhim, për të qenë për të tjerët, dritë shprese dhe dashurie duke u dhuruar sigurinë se nuk ishin vetëm në çastet e vështirësisë. Prania e tij ishte shenjë e prekshme e dashnisë hyjnore për secilin nga ne, pavarësisht papërsosmërive tona.
Sot, ndërsa e kemi kujtuar me mirënjohje dhe afekt, ditën e tij të salikimit, e dijmë se jeta e At’ Lelos u shkri e gjitha në dhurimin bujar të vetëvetes për të tjerët, në dëgjimin e kujdesshem dhe në drejtimin shpirtëror që ja ofronte kujtdo që atij i drejtohej.
Trashëgimia e tij e dashurisë dhe e zemërdhembshurisë do të vazhdojë të jetojë në zemret tona, duke na frymëzuar të ndjekim shembullin e tij të përkushtimit dhe të altruizmit. Shpirti i tij bujar dhe urtia e tij e bute dhe atërore, na shoqërofshin në rrugëtimin tonë tokësor, deri në atë ditë në të cilën do takohemi sërish në dritën e amshuar të Atit Qiellor.
Sa herë që udhëtonim, përherë ai e mbaronte lutjen tonë me fjalët drejtuar Zojës së Bekuar: Zoja e Rrugës së mbarë, lutu për ne! Tani, përballë pranisë së Saj, lutet për ne: Zoja e Rrugës së mbarë, mbroji ata!