Nga Dom Gjergj Meta
Papa Françesku thotë se bota gjendet në një “katastrofë edukative”. Për këtë arsye ai ka shpallur paktin global të edukimit, i cili ka si qëllim krijimin e një aleance edukuese për ta ruajtur dhe mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët. Ky pakt synon të jetë “një takim për të rigjallëruar një angazhim për dhe me brezat e rinj, duke përtërirë pasionin për një edukim më të hapur dhe më përfshirës, i aftë për një dëgjim të durueshëm, një dialog konstruktiv dhe një mirëkuptim të ndërsjelltë”.
Togfjalëshi “katastrofë edukative” mund të tingëllojë disi i tepruar, por kur e sheh se çfarë ndodh në këtë cep të botës si Shqipëria, të mbushet mendja se Papa nuk e ka gabim. Ngjarjet e ndodhura së fundmi në vendin tonë, e kam fjalën në muajt e fundit e jo vetëm në këto ditë, për shumëkënd janë çështje që kanë të bëjnë me një administrim të keq të rendit publik. Policia akuzon organet e akuzës dhe të gjykimit, këto të fundit mbrohen duke thënë se nuk mund të jenë më të ashpra sesa germat e ligjeve. Njerëzit akuzojnë policinë për paaftësi dhe korrupsion. Po të pyesësh policët, ata ndihen të pambrojtur, pasi thonë se kriminelët kanë mbështetje nga lart. Ata lart thonë se do bëjnë reforma të thella etj., etj.
Akuza e kundërakuza pambarim këto kohë dhe si padashur hyjmë në një rreth vicioz, nga i cili është vështirë të dilet lehtësisht. Kuptojmë se mbetemi vendnumëro, në mos kthehemi mbrapsht në kohë. Kjo bën që përpjekjet nëpërmjet ashpërsimit të ligjit apo retorikës se “shteti duhet të marrë në dorë gjithçka”, si në kohën kur sundonte regjimi komunist, të kthehen në përpjekje të dështuara qysh në zanafillë.
Në thelb të situatës qëndron një mendësi e mbrapshtë dhe mendësia nuk ndryshohet vetëm me egërsim të ligjit apo me rritjen e gjobave dhe të dënimeve, por me edukim. Kjo do të thotë se krijimi i një rendi publik të denjë për një shoqëri normale, ku të respektojmë njëri-tjetrin dhe ligjin, kalon nga arsimimi. Ky i fundit, prej kohësh gjendet në një ngërç dhe nuk po arrin të ngrihet në fluturimin e pretenduar nëpërmjet të të ashtuquajturave reforma në arsim. Dëshira për të nisur një fluturim të ri me arsimin nuk përkon me çka është arrirë: mjafton të shihen rezultatet e maturës në rang vendi dhe ato flasin për shumëçka. Mjafton të shihet mendësia e shumë të rinjve dhe e vërteton lehtësisht katastrofën edukative.
Mendësia ka të bëjë kryesisht me arsyen si logos dhe edukimin me logos-in, i cili nuk është vetëm informim, mbushje e trurit me nocione e koncepte, por mbi të gjitha formim me universalen, me atë çka e dallon shoqërinë njerëzore nga një tufë dhensh. Ky logos, që është njëkohësisht reflektim, por dhe shpirti i poiesis-it, pra i zejes që transformon shoqërinë, nuk ndodh ashtu natyrshëm brenda nesh, por duhet të latohet nëpërmjet edukimit në shkolla. Kjo punë kërkon durim të madh dhe shumë sakrifica nga ana e të gjithëve ne. Mbi të gjitha nevojitet vullneti për të dëgjuar të gjithë faktorët e shoqërisë, ndër të cilët shoqëria civile, komunitetet fetare, që kanë në gjirin e tyre persona mjaft të vlefshëm, edhe pse jo domosdoshmërisht të angazhuar në struktura shtetërore apo politike.
Një reformë në arsim, tejet e domosdoshme, është e lidhur ngushtë me një shoqëri të paqtë dhe të jetueshme. Rendi publik mbahet, ruhet e promovohet jo vetëm në sajë të ligjeve të forta, por nga njerëz që jetojnë sipas ligjeve. Për të bërë një ligj mjaftojnë disa ekspertë, për të krijuar një mendësi ligjore kërkohen njerëz të urtë dhe shumë mund dhe kohë, kërkohet edukim.
Po e mbyll këtë shkrim duke cituar përsëri Papa Françeskun: “…është e nevojshme të ndërtohet një “fshat i edukimit” ku në larmi, të bashkëndahet angazhimi për krijimin e një rrjete marrdhëniesh njerëzore dhe të hapura. Një fjalë e urtë afrikane thotë se “për të edukuar një fëmijë nevojitet një fshat i tërë”. Por duhet ta ndërtojmë këtë fshat, si një kusht për të edukuar”.