Sinodi i Ipeshkvijve është “një subjekt plural dhe simfonik i aftë për të mbështetur ecjen dhe misionin e Kishës katolike, duke ndihmuar në mënyrë efikase Ipeshkvin e Romës në shërbimin e tij ndaj bashkimit të të gjitha Kishave dhe të mbarë Kishës”. Papa i kujtoi këto gjëra, në frymën e Palit VI, duke folur në hapjen e seksionit të dytë të Sinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin dhe kërkoi që asambleja të çmohet “si një proces dhe jo thjesht si një ngjarje”. “Procesi sinodal është gjithashtu një proces nxënieje, gjatë të cilit Kisha mëson të njohë veten më mirë dhe të përshquajë format e veprimit baritor më të përshtatshme për misionin që Zoti i saj i beson”, është teza e Françeskut, sipas të cilit “ky proces nxënieje përfshin edhe format e ushtrimit të shërbesës së barinjve, në veçanti atë të ipeshkvijve”.
“Kur vendosa të thërras si anëtarë me të drejta të plota në Asamblenë XVI një numër të konsiderueshëm laikësh dhe rregulltarësh, burra e gra, diakonë e presbiterë, duke zhvilluar atë që ishte parashikuar pjesërisht për asambletë e mëparshme, e kam bërë në koherencë me kuptimin e ushtrimit të shërbesës ipeshkvore të shprehur nga Koncili II i Vatikanit”, shpjegoi Papa: “Ipeshkvi, parim dhe themel i dukshëm i unitetit të Kishës vendore, nuk mund ta jetojë shërbesën e vet veçse në popullin e Hyjit, me popullin e Hyjit, duke prirë, duke qëndruar në mesin e tij dhe duke e ndjekur pjesën e popullit të Hyjit që i është besuar”. Nga këtu lind nevoja për të shmangur dy rreziqe: “I pari ka të bëjë me anën abstrakte që harron konkretësinë e frytshme të vendeve dhe marrëdhënieve dhe vlerën e çdo personi; rreziku i dytë është ai i thyerjes së bashkimit duke vendosur hierarkinë kundër laikëve”.
“Sigurisht që nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar njërën me tjetrën, të emocionuar nga thirrja: tani është radha jonë!”, theksoi Papa: “Na kërkohet të ushtrohemi së bashku në një art simfonik, në një kompozim që i bashkon të gjithë në shërbim të mëshirës së Hyjit, sipas shërbesave dhe karizmave të ndryshme që ipeshkvi ka për detyrë t’i njohë e t’i promovojë. Të ecim së bashku, të gjithë, të gjithë, të gjithë, është një proces në të cilin Kisha, e butë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, e ndjeshme në përgjimin e shenjave të kohërave, përtërihet vazhdimisht dhe përsos sakramentalitetin e saj, për të qenë një dëshmitare e besueshme e misionit për të cilin është thirrur, për të mbledhur të gjithë popujt e dheut në një popull të vetëm që pritet në fund, kur vetë Hyji do të na bëjë të ulemi në gostinë që ai ka përgatitur”.