6.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Meshtari nuk është njeri i ankesave dhe gjykimeve, por i harmonisë...
HomeKryesorPapa: Meshtari nuk është njeri i ankesave dhe gjykimeve, por i harmonisë...

Papa: Meshtari nuk është njeri i ankesave dhe gjykimeve, por i harmonisë së Hyjit

Në Meshën e bagmit të Enjten e Madhe në Shën Pjetër, Françesku foli për thirrjen meshtarake dhe sprovat që me të cilat ajo mund të përballet: është e nevojshme t’i braktisësh Shpirtit dhe të lejosh që jeta vetjake të përhapë aromën e pranisë së tij, pa e lënë veten të bjerë në mediokritet dhe kompromise.

Është e Enjte e Madhe, dita në të cilën Jezusi u jep dishepujve të tij urdhrin e dashurisë së ndërsjellë, shërbesën e meshtarisë, vetveten në Eukaristi, dhe liturgjia e kësaj dite i përkujton këto dhurata. Mesha e bagmit e kryesuar në orën 9.30 në Bazilikën e Vatikanit nga Papa Françesku është një himn për Shpirtin Shenjt. Njëmend, Papa deshi të reflektojë në lidhje me Të së bashku me priftërinjtë e shumtë që përtërijnë premtimin e tyre me këtë rast. Sepse “pa Shpirtin e Zotit – pohoi ai – nuk ka jetë të krishterë dhe, pa lyerjen e tij, nuk ka shenjtëri”. Ai është në zanafillën e shërbesës dhe jetës së çdo Bariu.

Pa të as Kisha nuk do të ishte Nusja e gjallë e Krishtit, por më së shumti një organizatë fetare; jo Trupi i Krishtit, por një tempull i ndërtuar me duar njerëzore. Si të ndërtohet atëherë Kisha, nëse jo duke u nisur nga fakti se ne jemi “tempuj të Shpirti Shenjt” që “banon në ne”? Nuk mund ta lëmë jashtë shtëpisë ose ta parkojmë në ndonjë zonë devocionale. Ne duhet të themi çdo ditë: “Eja, sepse pa forcën tënde asgjë s’qëndron në njeriun”.

Lyerja e Shpirtit dhe momenti i krizës

Ashtu si Shpirti Shenjt e leu Jezusin, i cili në fillim të predikimit tha: “Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua”, kështu çdo i krishterë dhe në veçanti çdo meshtar është lyer nga Shpirti. Françesku kujtoi thirrjen e Apostujve mbi të cilët Krishti zbrazi Shpirtin, përshkrou ndikimin e thirrjes së Jezusit: ata ishin peshkatarë dhe lanë gjithçka, barkat, rrjetat, shtëpinë. “Lyerja e Fjalës ua ndryshoi jetën”. Ata fillojnë ta ndjekin Mësuesin me shumë entuziazëm derisa vjen Pashka. Dhe aty gjithçka ndryshon derisa mohojnë Jezusin. Papa vazhdoi:

Ata bënë llogaritë me papërshtatshmërinë e tyre dhe e kuptuan se nuk e kishin kuptuar atë: “Unë nuk e njoh këtë njeri”, që Pjetri tha në oborrin e kryepriftit pas Darkës së Fundit, nuk është vetëm një mbrojtje impulsive, por një pranim i padijes shpirtërore: ai dhe të tjerët ndoshta prisnin një jetë të suksesshme pas një Mesie që tërheq pas vetes turmat dhe bën mrekulli, por ata nuk e njihnin shkandullin e kryqit, i cili e thërrmoi siguritë e tyre.

Lyerja e dytë që shndërron

Është Shpirti Shenjt që u vjen në ndihmë Apostujve, zbret përsëri mbi ta në Rrëshajë dhe është ajo “lyerja e dytë” që i shndërron dishepujt, që ua heq frikën, i bën ata të dëshirojnë të japin jetën e tyre për grigjën e Hyjit, për të dalë që të shpallin Ungjillin në mbarë botën.

Vëllezër, një itinerar i tillë përqafon jetën tonë meshtarake dhe apostolike. Edhe për ne ka pasur një lyerje të parë, e cila filloi me një thirrje dashurie që na rrëmbeu zemrat. Për këtë gjë ne lamë ankorimet dhe forca e Shpirtit zbriti mbi atë entuziazëm të vërtetë, që na shuguroi. Më pas, sipas kohëve të Hyjit, për secilin vjen etapa pashkore, e cila shënon momentin e së vërtetës.

Momenti i krizës

Në predikimin e tij, Papa u ndal gjerësisht te momenti i krizës që në forma të ndryshme mund të shënojë çdo prift ashtu siç ka shënuar apostujt, thotë se “herët a vonë ndodh që njeriu të përjetojë zhgënjime, mundime dhe dobësi”, ndërsa disa prova “bëjnë që të duket besnikëria e pakëndshme përballë asaj të së kaluarës”. Është një moment vendimtar që mund të ketë rezultate të ndryshme.

Dikush mund të dalë keq, duke rrëshqitur drejt një mediokriteti të caktuar, duke e zvarritur veten të lodhur në një “normalitet” ku sulmojnë tre tundime të rrezikshme: ai i kompromisit, ku njeriu pajtohet me atë që mund të bëjë; ai i surrogatëve, ku ne “ngarkohemi” me diçka tjetër përveç lyerjes sonë; ai i shkurajimit, ku, të pakënaqur, ecim përpara për inerci. Dhe këtu është rreziku i madh: ndërsa dukjet mbeten të paprekura, ne përkulemi mbi vetvete dhe përpiqemi t’ia dalim disi; aroma e lyerjes nuk e parfumosë më jetën dhe zemra nuk zgjerohet, por tkurret, e mbështjellë në zhgënjim.

Shpirti punon mbi dobësinë dhe brishtësinë

Por kriza mund të jetë një pikë kthese për një zgjedhje më e vetëdijshme “midis Jezusit dhe botës, mes heroizmit të dashurisë dhe mediokritetit”, momenti në të cilin mund të fillojë një rrugë e re, ajo e fesë dhe e një dashurie pa iluzione. Dhe citon, pa e pasur të shkruar në letër, një tekst që propozoi të lexohet nga priftërinjtë, titulli i të cilit është: Thirrja e dytë, autori i të cilit është At’ René Voillaume. Ai ua rekomandoi të gjithëve “sepse i bën një ekzegjezë të bukur thirrjes së Pjetrit, asaj të fundit, të Tiberiadit: Pjetri i thirrjes së dytë”. Ai flet për nevojën, në një moment të caktuar të jetës meshtarake, për një shndërrim, “sepse nëse ti vazhdon kështu, pa u pjekur, të bësh një hap përpara në këtë krizë, do të përfundosh keq”. Dhe mbi momentin e krizës ai përsëri thotë:

Është “kairos”-i në të cilin zbulohet se “nuk kryhet gjithçka me braktisjen e barkës dhe rrjetave për të ndjekur Jezusin për një kohë të caktuar, por kërkon të shkojmë në Kalvar, ta pranojmë mësimin dhe frytin e tij dhe të shkojmë me ndihmën e Shpirtit Shenjt deri në fund të një jete që duhet të përfundojë në përsosmërinë e Bamirësisë hyjnore”. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt: është koha, si për ne ashtu edhe për Apostujt, për një “lyerje të dytë”, ku ne e mirëpresim Shpirtin jo në entuziazmin e ëndrrave tona, por në brishtësinë e realitetit tonë.

Shpirti protagonist i jetës meshtarake

Françesku parashtroi disa pyetje që përftojnë një shqyrtim të thellë të ndërgjegjes, si për shembull kur fton priftërinjtë të pyesin veten nëse realizimi i tyre “varet nga aftësia ime, nga roli që marr, nga komplimentet që marr, nga karriera që kam” apo nga jeta që “lëshon aromën” e lyerjes së Shpirtit. Për ta ndërmarrë këtë hap të pjekurisë, është e nevojshme, thotë Papa, të fillohet nga pranimi i dobësisë vetjake:

Vëllezër, pjekuria meshtarake vjen nga Shpirti Shenjt, ajo arrihet kur Ai bëhet protagonisti i jetës sonë. Atëherë çdo gjë ndryshon këndvështrim, madje edhe zhgënjimet dhe hidhërimet, sepse nuk bëhet fjalë më për t’u përpjekur që të përmirësojmë duke rregulluar diçka, por t’u dorëzuar, pa frenuar asgjë, tek Ai që na ka përshkuar me lyerjen e tij dhe që dëshiron të zbresë në ne deri në fund.

Kujdes nga dyfytyrësia e jetës

Papa përmbledh në një fjali kuptimin e kësaj ripërtëritjeje të jetës meshtarake kur njeriu nuk dëshiron ta harnojë veten, por e lejon të udhëhiqet nga Shpirti. Ai pohon: “meshtaria jonë nuk rritet duke harnuar, por duke u mbushur plot”. Dhe ai paralajmëroi kundër tundimit për të bërë kompromis midis gënjeshtrës dhe dritës duke iu dorëzuar mediokritetit:

Është e vërtetë, çdo dyfytyrësi që sulmon është e rrezikshme: nuk duhet toleruar, por duhet sjellë në dritën e Shpirtit. Sepse nëse “asgjë nuk është më e pabesë se zemra dhe mezi shërohet”, Shpirti Shenjt, vetëm Ai, na shëron nga pabesitë. Për ne është një luftë e pashmangshme: në fakt është e domosdoshme, siç shkruante edhe Shën Gregori i Madh, që “kush shpall fjalën e Hyjit t’i përkushtohet më parë mënyrës së tij të jetesës, që më pas, duke nxjerrë nga jeta e tij, të mësojë çfarë dhe si ta thotë. […] Askush të mos e nxjerrë nga goja atë që nuk e ka dëgjuar më parë nga zemra”.

Shpirti është Ai që sjell harmoninë në Kishë

Ka një aspekt të dytë që Papa Françesku dëshiroi ta nënvizojë pas atij të lyerjes dhe është fjala harmoni që, thotë ai, është pasoja e saj. “Shpirti Shenjt, në fakt, është harmoni”, në Qiell, por edhe në tokë. Në Kishë, thotë ai, “përfton larminë e karizmave dhe e rikomponon atë në unitet, krijon një harmoni që nuk bazohet në homogjenizimin, por në krijimtarinë e dashurisë”. “Është ne-ja e Atit dhe e Birit, sepse është lidhja e tyre, është në vetvete harmoni, bashkim, harmoni”. Krijimi i harmonisë është detyrë e atyre që janë shuguruar nga Shpirti, madje, nënvizoi Papa, krijimi i harmonisë “është një kërkesë e brendshme e jetës së Shpirtit”. Françesku paralajmëroi:

Ne mëkatojmë kundër Shpirtit që është bashkim kur bëhemi, edhe nga mendjelehtësia, instrumente të përçarjes; dhe bën lojën e armikut, i cili nuk del sheshit dhe i do thashethemet dhe insinuatat, nxit partitë dhe konsorciumet, ushqen nostalgjinë për të kaluarën, mosbesimin, pesimizmin, frikën. Të jemi të kujdesshëm, ju lutem, të mos e njollosim lyerjen e Shpirtit dhe petkun e Kishës Nënë me përçarje, me polarizime, me ndonjë mungesë dashurie dhe bashkimi. Le të kujtojmë se Shpirti, “ne-ja e Hyjit”, pëlqen formën bashkësiore: gatishmërinë para nevojave vetjake, bindjen para shijeve personale, përvujtërinë para pretendimeve vetjake. […] Po mendoj edhe për mirësjelljen e priftit: nëse njerëzit shohin edhe te ne njeriun e pakënaqur që kritikojnë dhe drejtojnë gishtin, ku do ta shohin harmoninë? Sa shumë njerëz nuk afrohen apo largohen sepse në Kishë nuk ndihen të mirëpritur dhe të dashur, por të parë me dyshim dhe të gjykuar!

Papa Françesku e mbylli me fjalë mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj priftërinjve. Ai i falënderoi për dëshminë e tyre, për të mirat e bëra shpeshherë në mënyrë të fshehur, “për faljen dhe ngushëllimin që jepni në emër të Hyjit”. Dhe ai thirri mbi ta Shpirtin për t’i mbështetur dhe për t’i bërë “profetë të lyerjes së tij dhe apostuj të harmonisë”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme