25.5 C
Tirana
HomeKISHLUTJA E ZOTIT: «ATI YNË»
HomeKISHLUTJA E ZOTIT: «ATI YNË»

LUTJA E ZOTIT: «ATI YNË»

Në Lutjen e Zotit nuk kërkohen vetëm të gjitha gjërat që mund të dëshirojmë ndershmërisht, por edhe në rendin në të cilin ato duhet të dëshirohen. Kështu, kjo lutje jo vetëm që mëson të kërkohet, por edhe formon të gjitha ndjenjat tona.

Shpirti i Zotit u jep një formë të re dëshirave tona, këtyre lëvizjeve të brendshme që gjallërojnë jetën tonë.

«Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet”» (Lk 11,1). Në përgjigje të kësaj kërkese, Zoti u besoi dishepujve të vet dhe Kishës së vet lutjen e krishterë themelore. Shën Luka na jep një tekst të shkurtër (prej pesë kërkesash), ndërsa shën Mateu një më të gjerë (prej shtatë kërkesash). Tradita liturgjike e Kishës ka përdorur gjithmonë tekstin e shën Mateut (Mt 6,9-13).

«Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në dhe! Bukën tonë të përditshme na e jep sot! Na i fal fajet tona sikurse ua falëm ne fajtorëve tanë! E mos lejo të biem në tundim, por na liro nga i Ligu!»

2760 Shumë shpejt përdorimi liturgjik e ka përfunduar Lutjen e Zotit me një doksologji. Në Didake: «Sepse yti është pushteti dhe lavdia në shekuj». Kushtetutat apostolike shtojnë «mbretëria» në fillim të doksologjisë; kjo është formula që përdoret në ditët tona në lutjen ekumenike. Tradita bizantine shton pas «lavdisë»: «Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt». Meshari Romak zhvillon kërkesën e fundit në perspektivën e qartë të pritjes së shpresës së lume dhe të ardhjes së Zotit tonë, Jezu Krishtit; pastaj vjen brohoritja e bashkësisë, që rimerr doksologjinë e Kushtetutave apostolike.

2761 «Lutja e Zotërisë është me të vërtetë sinteza e tërë Ungjillit» (TERTULIANI, De oratione). «Pasi Zoti na përçoi këtë formulë lutjeje, shtoi: “Kërkoni e do të merrni” (Gjn 16,24). Prandaj, secili mund të drejtojë kah qielli lutje të ndryshme sipas nevojave të veta, por, duke filluar gjithmonë me Lutjen e Zotit, e cila mbetet lutja themelore» (TERTULIANI, De oratione).

Në qendër të Shkrimeve të Shenjta

2762 Pasi ka treguar se si psalmet janë ushqimi kryesor i lutjes së krishterë dhe përmblidhen në kërkesat e lutjes “Ati ynë”, shën Augustini përfundon: «Në qoftë se i përimton të gjitha fjalët e lutjeve që i përmban Shkrimi Shenjt, me sa mendoj unë, nuk do të gjesh qoftë edhe një të vetme që të mos përfshihet në këtë lutje që na ka mësuar Zoti» (SHËN AUGUSTINI, Epistula).

2763 Të gjitha Shkrimet (Ligji, Profetët dhe Psalmet) janë përmbushur në Krishtin. Ungjilli është ky «Lajm i Gëzueshëm». Kumtimi i tij i parë është përmbledhur nga shën Mateu në Fjalimin e malit. Po, lutja “Ati ynë” është në qendër të këtij kumtimi. Në këtë kontekst ndriçohet çdo kërkesë e lutjes që na ka lënë Zoti: «Lutja “Ati ynë” është tejet e përsosur […]. Në Lutjen e Zotit nuk kërkohen vetëm të gjitha gjërat që mund të dëshirojmë ndershmërisht, por edhe në rendin në të cilin ato duhet të dëshirohen. Kështu, kjo lutje jo vetëm që mëson të kërkohet, por edhe formon të gjitha ndjenjat tona» (SHËN TOMA I AKUINIT, Summa theologiae).

2764 Fjalimi i malit është doktrinë jete, ndërsa Lutja e Zotërisë është lutje, por si në njërën, ashtu dhe në tjetrën, Shpirti i Zotit u jep një formë të re dëshirave tona, këtyre lëvizjeve të brendshme që gjallërojnë jetën tonë. Jezusi na mëson jetën e re me fjalët e veta dhe na edukon ta kërkojmë atë me anë të lutjes. Nga ndershmëria e lutjes sonë do të varet ajo e jetës sonë në të.

«Lutja e Zotit»

2765 Shprehja tradicionale «Oratio dominica» (domethënë «Lutja e Zotërisë») do të thotë se lutja «Ati ynë» na është mësuar dhe dhuruar nga Zoti Jezus. Kjo lutje që na vjen nga Jezusi është me të vërtetë unike: është «e Zotit». Njëmend, nga njëra anë, me fjalët e kësaj lutjeje, Biri i njëlindur na jep fjalët që Ati i ka dhënë atij: është mësuesi i lutjes sonë. Nga ana tjetër, si Fjalë e mishëruar, ai njeh në zemrën e vet prej njeriu nevojat e vëllezërve dhe të motrave të tij në njerëzishmëri dhe na i tregon: është modeli i lutjes sonë.

2766 Mirëpo Jezusi nuk na lë një formulë për ta përsëritur mekanikisht. Sikurse për çfarëdolloj lutjeje me zë, Shpirti Shenjt, nëpërmjet Fjalës së Hyjit, u mëson bijve të Hyjit t’i luten Atit të tyre. Jezusi nuk na jep vetëm fjalët e lutjes birnore: në të njëjtën kohë, na jep Shpirtin, me anë të të cilit ato fjalë bëhen në ne «shpirt dhe jetë» (Gjn 6,63). Për më tepër, prova dhe mundësia e lutjes sonë birnore është fakti që «Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë!» (Gal 4,6). Meqenëse lutja jonë interpreton dëshirat tona para Hyjit, është përsëri «ai që rrëmon zemrat», Ati, i cili «e di dëshirën e Shpirtit Shenjt – se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji» (Rom 8,27). Lutja drejtuar Atit tonë hyn në misionin e mistershëm të Birit dhe të Shpirtit.

Lutja e Kishës

2767 Kjo dhuratë e pandashme e fjalëve të Zotit dhe e Shpirtit Shenjt, që i gjallëron ato ndër zemra të besimtarëve, u mor dhe u jetua nga Kisha që në fillim. Bashkësitë e para e lutnin Lutjen e Zotit «tri herë në ditë» (Didaké), në vend të «tetëmbëdhjetë bekimeve», si ishte zakon në përshpirtërinë hebraike.

2768 Sipas Traditës apostolike, Lutja e Zotit është thelbësisht e rrënjosur në lutjen liturgjike: Zoti «na mëson të lutemi së bashku për të gjithë vëllezërit tanë. Në të vërtetë, ai nuk thotë Ati im që je në qiell, por Ati ynë, në mënyrë që lutja jonë të ngjitet, nga një zemër e vetme, për mbarë trupin e Kishës» (SHËN GJON GOJARTI, In Matthaeum, homilia). Në të gjitha traditat liturgjike, Lutja e Zotit është pjesë përbërëse e Orëve të mëdha të Shërbesës hyjnore. Porse karakteri i saj kishtar spikat sidomos në tre sakramentet e hyrjes në jetën e krishterë.

2769Pagëzim dhe në Përforcim, dorëzimi («traditio») i Lutjes së Zotit ka kuptimin e lindjes së re në jetën hyjnore. Duke qenë se lutja e krishterë është bisedë me Hyjin, me vetë Fjalën e Hyjit, ata që «u rilindën […] me fjalën e Hyjit të gjallë e të amshuar» (1 Pjt 1,23), mësojnë ta thërrasin Atin e tyre me të vetmen Fjalë, të cilën ai e dëgjon gjithmonë. Tashmë mund ta bëjnë këtë, sepse vula e lyerjes së Shpirtit Shenjt është ngulitur, e pashlyeshme, në zemrën e tyre, në veshët e tyre, në buzët e tyre, në tërë qenien e tyre birnore. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e komenteve patristike të lutjes “Ati ynë” janë caktuar për katekumenët dhe neofitët. Kur Kisha thotë Lutjen e Zotit, është gjithmonë populli i «të rilindurve» që lutet dhe fiton mëshirë.

2770liturgjinë eukaristike, Lutja e Zotit duket si lutja e mbarë Kishës. Aty zbulohet kuptimi i plotë dhe efektshmëria e saj. E vendosur midis anaforës (lutjes eukaristike) dhe liturgjisë së Kungimit, ajo nga njëra anë përmbledh të gjitha kërkesat dhe ndërmjetësimet e shprehura gjatë zhvillimit të epiklezës, dhe, nga ana tjetër, troket në portën e Gostisë së Mbretërisë, një hershim i së cilës është Kungimi sakramental.

2771 Në Eukaristi, Lutja e Zotit tregon edhe karakterin eskatologjik të kërkesave të veta. Ajo është lutja tipike e «kohëve të fundit», kohëve të shpëtimit, që kanë filluar me zbrazjen e Shpirtit Shenjt dhe që do të përmbushen me kthimin e Zotit. Kërkesat e lutjes “Ati ynë”, në ndryshim me lutjet e Besëlidhjes së Vjetër, bazohen në misterin e shpëtimit tashmë të realizuar, njëherë e përgjithmonë, në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

2772 Nga kjo fe e palëkundshme buron shpresa që i jep shpirt secilës prej shtatë kërkesave. Ato shprehin rënkimet e kohës së tashme, të kësaj kohe të durimit dhe të pritjes, në të cilën «çka do të jemi ende nuk u zbulua» (1 Gjn 3,2)18. Eukaristia dhe “Ati ynë” zgjaten kah ardhja e Zotit, «deri që Ai të vijë!» (1 Kor 11,26).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme