Nga Atë Flavio Cavallini
Çfarë është lectio divina? Çfarë frytesh sjellë për jetën shpirtërore? A mund të praktikohet në jetën e përditshme nga të gjithë dhe në cilën mënyrë?
Me shumë kënaqësi do të paraqesim disa artikuj me anë të të cilëve do të kemi mundësinë të kuptojmë më mirë se çfarë është leximi shpirtëror i Shkrimit Shenjt duke uruar që, me hirin që vjen nga Shpirti Shenjt, ta vëmë në jetë. Lexim të këndshëm…
Pjesa e parë
Emërtimi: “Lectio Divina”, domethënë “Leximi Hyjnor”
Lectio divina – (Leximi hyjnor). Këto dy fjalë latine përmbledhin një traditë që, duke u nisur nga Etërit e Kishës së shekujve të parë, gjeti në jetën murgjërore të mesjetës, formën e saj klasike. Duke qenë se Koncili i Vatikanit II-të propozoi sërish që Shkrimi Shenjt të vihej në qendër të jetës shpirtërore të besimtarëve, metoda e Leximit hyjnor u bë objekt që tërhoqi vëmendjen në një mënyrë të re.
Mirëpo, çfarë kuptojmë saktësisht kur flasim për Leximin hyjnor? Për të qenë sa më të qartë, si fillim, le të themi atë që Leximi hyjnor nuk është. Para së gjithash, Leximi hyjnor nuk është të lexosh ashtu si lexohet çfarëdo gjëje që është e publikuar (gazetë, revistë, roman, etj…). Nuk është, gjithashtu, një lexim në kuptimin e studimit e aq më pak një lexim për të kënaqur një nevojë të llojit intelektual. Nëse duam që të flasim për Leximin hyjnor duhet të marrim parasysh se bëhet fjalë për leximin e ndonjërit prej shkrimeve të Besëlidhjes së Vjetër apo të Re që gjendet të Bibël. Megjithatë, kjo nuk është ende e mjaftueshme nëse me Lexim hyjnor nuk kuptojmë leximin e shkrimeve biblike të bërë nën udhëheqjen e atij që është autori hyjnor: Shpirti Shenjt.
LECTIO DIVINA SI “LEXIM – DËGJIM”
Leximi, në vetvete, është gjithmonë një formë dëgjimi. Teksti na flet, dhe, në një farë mase, na vë në marrëdhënie me autorin e tij. Mirëpo, në rastin tonë, bëhet fjalë për t’u vënë në dëgjim të Shkrimeve të Shenjta, me anë të cilave na flet Shpirti Shenjt, siç na e kujton edhe shën Ambrozi: «Kur ne lexojmë, dëgjojmë Hyjin; kur lutemi, i flasim atij». Prandaj, është e domosdoshme që e gjitha të bëhet në një klimë lutjeje. Për këtë mënyrë të veçantë lexim-dëgjimi na parapërgatit vetë Shkrimi Shenjt me anë të një teksti themelor të Besëlidhjes së Vjetër, që përdoret edhe nga Jezu Krishti në mësimet e tij (Lp 6,5; Mk 12,29):
«Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!
Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!»
Nga leximi në dëgjim, nga dëgjimi në dashuri, nga dashuria në bindje. Ja këtu programi i Leximit hyjnor i skicuar në hapat që e dallojnë atë. Pikënisja e gjithë procesit të Leximit hyjnor, pra, është një lexim-dëgjim i cili është në gjendje të prekë thellësitë e personit, thellësitë e ndjenjave e të historisë së tij (gjithë zemrën; gjithë shpirtin, gjithë fuqinë), dhe të edukojë marrëdhënien me Hyjin (Zot i vetëm).
Kjo mënyrë, është e vetmja që tejkalon keqkuptimin e shpeshtë në lidhje me lutjen, d.m.th. kur ajo bëhet me shumë fjalë njerëzore, por që Jezusi e cilëson si “pagane” (Mt 6,7), për t’u ndalur, përkundrazi, në lutjen që buron nga pranimi i të vetmes Fjalë të Hyjit që na komunikohet nga Shkrimi Shenjt. Me fjalë të tjera, për një lutje të mirë, është më e rëndësishme të dëgjohet se të flitet, siç mëson me humor të këndshëm, një shprehje e traditës rabinike:
«Hyji duke na krijuar na dha dy veshë dhe një gojë, e jo dy gojë dhe një vesh, për të na treguar se duhet të dëgjojmë dyfishin e asaj që themi».
Ambienti për Lectio Divina
Klima e duhur për dëgjim, e nevojshme për Lexim hyjnor, kërkon tre kushte themelore, të cilat mund t’i përkufizojmë si “mjedisor”. Këto kushte dalin në dukje nga disa detaje që Ungjijtë na i transmetojnë mbi mësimin e, mbi të gjitha, mbi mënyrën e lutjes së Jezu Krishtit dhe të Virgjërës Mari. Këto kushte mund të përmblidhen me këto tre fjalë: kohë, vend, zemër.
Një kohë
Në jemi gjithnjë shumë të zënë, dhe përballë një tjetër angazhimi të ri, fjala e parë që na del nga goja është: “nuk kam kohë!”. Kushti i parë, pra, që duhet arritur, është gjetja e kohës, pa të cilën nuk mund të ecet më tej në përgatitjen e Leximit Hyjnor. Ja se si Jezu Krishti e fillon një ditë plot me angazhime (Mk 1,35):
«Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej».
Pra, që të përgatitemi për Lexim hyjnor, është e nevojshme, para së gjithash, të gjejmë kohë për një vetmi në paqe, për të mos hequr dorë nga një prej dimensioneve më fisnike dhe të nevojshme të ekzistencës njerëzore: jeta shpirtërore. Vetë Shkrimi Shenjt na e paraqet këtë dimension si kulmin e veprës së Hyjit Krijues. Në fakt, pa pushimin e të dielave, krijimi nuk e arrin qëllimin e vet, sepse do të mungonte koha e nevojshme për t’u takuar Krijuesi me krijesën e vet (Zan 2,2):
«Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar».
Hyji na dhuron një kohë të “bekuar” dhe të “shenjtëruar”, për të na dhënë mundësinë që të takojmë atë i cili është “i Bekuari” dhe “Shenjti”. Në të vërtetë, pa pasur një kohë të përshtatshme dhe të mjaftueshme, nuk mund të arrihet kurrë asnjë lloj marrëdhënieje, si njerëzore ashtu edhe hyjnore.
Një vend
Çdo takim, për t’u realizuar, ka nevojë sigurisht për një hapësirë konkrete. Mirëpo, në rastin tonë, duke qenë se Leximi hyjnor është një takim shpirtëror, kur flasim për “takim”, nuk kemi ndërmend thjesht një ambient, por edhe, e mbi të gjitha, atë që e karakterizon. Edhe për këtë, Shkrimi Shenjt na vjen në ndihmë (Mt 6,6):
«Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë».
Na paraqitet, si të themi, një takim me dyer të mbyllura. Dyert e Jezusit nënvizojnë nevojën e një ‘ndarjeje’ të përkohshme, për një bashkëbisedë intime që kërkon të ruhet e fshehtë. Bëhet fjalë për kusht mjedisor konkret, që ka për qëllim të krijojë një ambient shpirtëror. Mbase edhe një kryq, një ikonë, një qiri i ndezur mund të na ndihmojnë për të perceptuar praninë hyjnore, sidoqoftë, mbetet nevoja e madhe për të mësuar që të shkëputemi nga gjërat, vëllezërit, nëse do që të takosh Hyjin në fshehtësi, për t’u familjarizuar me të si Atë. Kjo na bën ta mendojmë këtë vend si dhomën martesore të përgatitur për takimin intim të Krijuesit me krijesën e vet tashmë si Atë e bir.
Duke u larguar, pastaj, nga ambienti familjar, Bibla, shpesh, na paraqet një tjetër ambient të veçuar, larg prej takimeve, zërave dhe zhurmave, bëhet fjalë për shkretëtirën (Mk 1,12-13).
«Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë. Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin».
Megjithatë, mbetet befasues fakti që, në vetminë e shkretëtirës, zëri i parë që dëgjohet, nuk është zëri i dashur i Atit, por ai tinëzar i Tunduesit. Është kjo që e bën të vështirë pritjen në vetmi të Atit dhe shpesh na bën të heqim dorë me të shpejtë. Të qëndrojmë në vetmi me vetveten, na duket e kotë, e vështirë, humbje kohe, e, ndoshta edhe na frikëson. Me gjithë këtë, është pikërisht ky vendi që Hyji e ka caktuar për t’u takuar (Oz 2,16):
«Prandaj vetë do ta josh atë, do ta shpie në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj».
Shkretëtira është vendi ku vihesh në provë në heshtje, në vetmi, në besnikëri, por edhe vend i ngushëllimit dhe i pranisë së Hyjit. Është mënyra e tij e edukimit për të na bërë të mundur që ta dëgjojmë zërin e tij, jo vetëm me veshë, por në thellësi të zemrës.
Një zemër
Kemi pasur tashmë mundësinë të sqarojmë se Leximi hyjnor është një proces që përfshin në mënyrë të veçantë zemrën. Në fund të fundit, është pikërisht kjo dhoma e fshehtë dhe shenjtorja më e thellë ku ndodh takimi. Luka ungjilltar, kur na flet për “zemrën” e Virgjërës Mari, na vjen pamasë në ndihmë për të kuptuar se si kjo gjë mund të ndodhë. Duke folur për dy herë në lidhje me vetitë e zemrës së Marisë, ai na e paraqet atë si model të përkryer dëgjimi. Hera e parë ku na flitet, në kontekstin e vizitës që barinjtë, të dërguar nga engjëjt, bëjnë gjatë natës, komentohet nga Luka kështu:
«Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet» (Lk 2,19).
Zemra e Marisë paraqitet si pamasë e kujdesshme dhe e gatshme për të mbajtur mend gjithçka ndodhte përreth saj. Por, njëkohësisht, tregohet shumë aktive duke kërkuar të dijë domethënien e këtyre ngjarjeve. Ky aktivitet i brendshëm, në përkthimin shqip, është përshkruar më së miri me termin “shoshiste”, d.m.th. një lloj përzgjedhjeje dhe pastrimi. Ndërsa për tekstin grek, bëhet fjalë për të “simbolizuar” d.m.th. për përpjekjen e vazhdueshme nga ana e Marisë për të bërë që të përputhen dy pjesë të një objekti. Me fjalë të tjera, Nëna e Jezusit, në të vërtetë, përpiqet të ballafaqojë mesazhet e engjëjve me ngjarjet e asaj nate të shenjtë. Prandaj, në zemrën e Marisë, është vënë në punë e gjithë inteligjenca njerëzore e saj, e ndriçuar prej fesë.
Herën e dytë, Luka kthehet mbi argumentin pas ikjes tronditëse të Jezusit dymbëdhjetëvjeçar në tempull (Lk 2,51):
«E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje».
Mirëpo, në këtë rast, ajo që vihet më shumë në dukje, është aspekti i kujtesës. Zemra e Marisë nuk lejon që të ikë asgjë dhe gjithçka e ruan me duresë. Kjo zemër është si një arkiv në të cilën, me kujdes të madh, janë vendosur kujtime e pyetje në pritje për të marrë përgjigje, të cilat nuk do të jenë të menjëhershme.
Duke parë Marinë, kuptojmë se zemëra e gatshme për Leximin hyjnor, është më e rëndësishmja mes përpjekjeve që na lejojnë të shqyrtojmë me një kujdes të mençur Fjalën e Hyjit.
Vijon…