6.5 C
Tirana
HomeKISH«Bukën tonë të përditshme na e jep sot!»
HomeKISH«Bukën tonë të përditshme na e jep sot!»

«Bukën tonë të përditshme na e jep sot!»

Lutu dhe puno
Duhet të lutemi sikur çdo gjë të varej nga Hyji dhe të veprojmë sikur çdo gjë të varej nga ne

2828 «Na e jep»: është i bukur besimi i bijve që gjithçka e presin nga Ati i tyre. «Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtë» (Mt 5,45) dhe u jep të gjithë të gjallëve «ushqim në kohën e duhur» (Ps 104,27). Jezusi na e mëson këtë kërkesë, që në të vërtetë përlavdëron Atin tonë, sepse është njohja dhe pranimi i mirësisë së tij përtej çdo mirësie.

2829 «Na e jep» është edhe shprehja e Besëlidhjes: ne jemi të tijtë dhe ai është yni, është për ne. Mirëpo, përemri «ne» e njeh edhe si Atin e të gjithë njerëzve dhe ne i lutemi për të gjithë, të bashkuar me ta në të gjitha nevojat dhe vuajtjet e tyre.

2830 «Bukën tonë». Ati, që na dhuron jetën, nuk mund të mos na japë ushqimin e nevojshëm për jetën, të gjitha të mirat «e duhura» materiale dhe shpirtërore. Në Fjalimin e malit Jezusi këmbëngul në këtë mirëbesim birnor që bashkëpunon me provaninë e Atit tonë. Ai nuk na shtyn drejt pasivitetit, por do të na çlirojë nga çdo brengë dhe nga çdo shqetësim. E tillë është braktisja birnore e bijve të Hyjit: «Atij që kërkon mbretërinë e Hyjit, ai i premton se do t’i japë gjithçka si shtesë. Në realitet, çdo gjë i përket Hyjit dhe asgjë nuk i mungon njeriut që ka Hyjin, në qoftë se ai vetë nuk mungon para Hyjit».

2831 Mirëpo, fakti që ka njerëz të uritur për shkak të mungesës së ushqimit, zbulon një tjetër thellësi të kësaj kërkese. Drama e urisë në botë, ç’është e vërteta, i thërret të krishterët që luten që të kenë një përgjegjësi vepruese ndaj vëllezërve të tyre, si në sjelljet e tyre personale, ashtu edhe në solidaritetin e tyre me familjen njerëzore. Ky peticion i lutjes së Zotit nuk mund të veçohet nga shëmbëlltyra e Lazrit skamnor dhe e gjyqit të fundit.

2832 Ashtu si tharmi në brumë, risia e Mbretërisë duhet «të fermentojë» tokën me anë të Shpirtit të Krishtit. Ajo duhet të bëhet e qartë nëpërmjet vendosjes së drejtësisë në marrëdhëniet personale dhe shoqërore, ekonomike dhe ndërkombëtare; as nuk duhet harruar kurrë se nuk ka struktura të drejta pa njerëz që duan të jenë të drejtë.

2833 Është fjala për bukën «tonë», «një» për «shumë». Varfëria e Lumnive është virtyti i bashkëndarjes: ajo nxit për të bashkuar dhe për të ndarë së bashku të mirat materiale dhe shpirtërore, jo me detyrim, por me dashuri, në mënyrë që begatia e njërës palë të plotësojë varfërinë e palës tjetër.

2834 «Lutu dhe puno» (Nga tradita benediktine. Krh. Shën Benedikti, Regola, 20). «Duhet të lutemi sikur çdo gjë të varej nga Hyji dhe të veprojmë sikur çdo gjë të varej nga ne» (I atribuohet Shën Injac Lojolës). Pasi të kemi mbaruar punën tonë, ushqimi mbetet një dhuratë e Atit tonë; është e drejtë t’ia kërkojmë atë dhe ta falënderojmë për të. Ky është kuptimi i bekimit të bukës në një familje të krishterë.

2835 Kjo kërkesë dhe përgjegjësia që bashkëmbart, vlejnë edhe për një uri tjetër nga e cila vuajnë njerëzit: «Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit» (Mt 4,4)106, domethënë me Fjalën e tij dhe me Shpirtin e tij. Të krishterët duhet të vënë në lëvizje tërë zellin e tyre për «t’ua shpallur Ungjillin skamnorëve». Mbi tokë ka një uri «jo uri buke e etje uji, por të dëgjimit të fjalës së Zotit» (Am 8,11). Prandaj kuptimi, mirëfilli i krishterë, i kësaj kërkese të katërt ka të bëjë me Bukën e jetës: Fjala e Hyjit që duhet të pranohet në fe dhe Korpi i Krishtit që merret në Eukaristi.

2836 «Sot». Edhe kjo është një shprehje mirëbesimi. Zoti na e mëson atë; nuk mund ta sajonte mendjemadhësia jonë. Meqenëse ka të bëjë kryesisht për Fjalën e tij dhe për Korpin e Birit të tij, ky «sot» nuk është vetëm ai i kohës sonë vdekatare: është e Sotmja e Hyjit: «Në qoftë se merr Bukën përditë, për ty çdo ditë është sot. Në qoftë se sot Krishti është i yti, ai ngjallet për ty çdo ditë. Në ç’mënyrë? “Ti je im Bir, unë sot të linda” (Ps 2,7). Sot është kur Krishti ngjallet».

2837 «Të përditshme». Kjo fjalë, ἐπιούσιος-épioúsios, nuk është përdorur në asnjë pjesë tjetër të Besëlidhjes së Re. Sipas domethënies së saj kohore, është një rifillim pedagogjik i të «sotmes», për të na përforcuar në një mirëbesim «pa rezerva». Sipas domethënies cilësore, ajo nënkupton çfarë nevojitet për jetën dhe, në kuptim të gjerë, çdo të mirë të mjaftueshme për jetesën. Marrë fjalë për fjalë (ἐπιούσιος: «përmbi-substanciale»), kjo tregon drejtpërsëdrejti Bukën e Jetës, Korpin e Krishtit, «ilaç pavdekësie», pa të cilin nuk kemi në ne jetën. Së fundi, lidhur me të mëparshmin, është i qartë edhe kuptimi qiellor: «kjo ditë» është dita e Zotit, dita e Gostisë së Mbretërisë, e hershuar në Eukaristi, që është parashijim i Mbretërisë që vjen. Për këtë arsye është mirë që liturgjia eukaristike të kremtohet «çdo ditë».

«Eukaristia është buka jonë e përditshme […]. Virtyti tipik i këtij ushqimi është që të prodhojë unitetin në mënyrë që, të bërë trup i Krishtit, të bërë gjymtyrë të tij, të jemi ajo që marrim […], por edhe leximet që dëgjoni përditë në kishë janë bukë e përditshme, edhe të dëgjuarit dhe të lartësuarit himne është bukë e përditshme. Këto janë mbështetjet e nevojshme për shtegtimin tonë tokësor» (SHËN AUGUSTINI, Sermo 57, 7, 7).

Ati i qiellit na nxit që të lypim Bukën e qiellit si fëmijë të qiellit. Krishti «ai vetë është buka që, mbjellë në Virgjërën, tharmuar në mishin, brumosur në mundimet, pjekur në furrën e varrit, ruajtur në Kishë, vënë mbi altarë, u jep përditë besimtarëve një ushqim qiellor» (SHËN PJETËR FJALARTI, Sermo, 67, 7).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme